Kërko

La Madonna del Buon Consiglio La Madonna del Buon Consiglio

Kisha katolike ndër shqiptarë kremton natën e festës së Zojës së Këshillit të Mirë

Nata e festёs sё Zojёs sё Kёshillit tё mirё, njё një nga të kremtet më të dashura për katolikët shqiptarë. Figurja e Zojës u zbulua më 25 prill 1467, mbi njërin nga muret e Kishës. Nisi të tërhiqte menjëherë devocionin popullor e për të u përhapën një mori gojëdhënash. Ndër to, gojëdhëna e ikjes nga Kisha rrëzë Rozafës, shoqëruar nga dy fisnikë shkodranë, që e ndoqën duke ecur mbi valët e detit deri ne Gjenacan, për ta shpëtuar nga duart turke, që linin pas vetëm dhunime, kufoma, varre e rrënime

R. SH. - Vatikan

Sot bie nata e festёs sё Zojёs sё Kёshillit tё mirё, njё një nga të kremtet më të dashura për besimtarët katolikë shqiptarë. Pra, Shqipëria, Kosova e trevat tjera shqiptare kremtojnë sonte natën e festës së 'Zojёs sё Kёshillit tё mirё' - një e kremte, që na kujton se më shumë se kurrë, të gjithë, kemi nevojë për një Këshill vërtet të mirë, për të jetuar me Zotin, si vëllezër me të gjithë, sipas shembullit të Zojës Mari.

Në Qytetin e Veriut të Shqipërisë, Shkodër që prej kohëve të lashta nderohej me përkushtim të veçantë, një figure e mrekullueshme e Zojës. Është ajo figure që sot ndodhet në Gjenacan të Italisë. Historia e saj, është vetë historia e katolicizmit ndër shqiptarë, katolicizëm i cili, me vdekjen e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, më 1468, nisi udhën e vet të kryqit. Në sa një pjesë e madhe e banorëve, gjatë pesë shekujve të robërisë, do të shtrëngohej të ndërronte fe e një pjesë tjetër do të merrte rrugët e mërgimit, vetëm një pakicë do të mbetej besnike, duke vuajtur porsi gjarpri nën gur për shekuj e shekuj.

E pikërisht në këtë kohë, rreth vitit 1467, kur një ushtri e re e madhe e sulltanit u dynd mbi Shkodër, sipas gojëdhënës, figurja e Zojës u shkëput nga muri i Shenjtërores rrëzë Kështjellës së Rozafës, për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake. E mbartur nga engjëjt, mbështjellë prej një reje – vijon gojëdhëna- u ndalua në Gjenacan, afër Romës. Gojëdhëna tregon edhe se Figurën e mrekullueshme e përcollën dy shkodranë, rojtarë të shenjtërores, e ndërsa ecnin me sytë lart, pa u kujtuar as ata vetë, e kaluan në këmbë detin Adriatik. Si arritën në Romë, figurja u zhduk nga sytë e tyre. Por nuk vonoi e në të gjithë Italinë u hap zëri se një figure e mrekullueshme kishte zënë vend në muret e Shenjtërores së Gjenacanit, ku me ndërmjetësinë e saj po kryheshin mrekulli të panumërta. Ishte data 25 prill 1467.

Që asokohe nisën shtegtimet e besimtarëve drejt Gjenacanit, e Zoja jonë e Këshillit të Mirë, Pajtorja qiellore e shqiptarëve, nisi të nderohej edhe në Itali, Gjermani, Austri e më vonë edhe në kontinente të tjera, me të njëjtën figure, që vijon të nderohet në Gjenacan.

Figurja e Zojës është e pikturuar mbi një copë suvaje muri katrore, me teknikën e afreskut. Kjo figure, pra, nderohet në Gjenaca e në shumë Kisha e Shenjtërore kudo në bot. Po kështu edhe në Kishën e vogël Shenjtërore dy herë të rrënuar të Zojës rrëzë Kështjellës Rozafa, në Shkodër.  Duam të shtojmë se festa e Zojës së Këshillit të Mirë, kremtohet solemnisht edhe Gur Zi, në Kosovë, ku në qytetin e vogël të Klinës ka një Kishë të bukur e në vende tjera.

Në këmbë apo gërmadhë, Kisha Shenjtërore mbeti gjithnjë cak shtegtimi. Nuk ka besimtar që duke kaluar andej, edhe pas vitit 1967, kur Kisha u rrënua për herë të dytë nga diktatura enveriane e komunizmit, të mos jetë lutur në heshtje për ditë më të mira me një lutje tradicionale, që i qëndroi kohës, më shumë se muret:

O Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!”.

E kur Kisha Shenjtërore u rindërtua, Lutja u pasurua me fjalët:

Ndër duert tua të fuqishme, o Nanë e Mëshirës, po e lëshojmë të dashtunin kombin tonë, megjithsè jemi mëkatnorë të mjerë e të padenjë. Po të falënderojmë se na je gjetë e na ke ndihmue me kujdesin e një Nane të vërtetë në dimnin e gjatë e të vështirë të persekutimit, i cili na shkaktoi viktima të panjehuna, martirë që tash ndërmjetësojnë për ne në qiell. Po të falënderojmë që na e nxore nga Zoti hirin e rikthimit të pranverës së lirisë fetare e qytetare, e cila i hapë rrugën ndërtimit të një shoqnie ma të drejtë e ma vëllaznore”.

25 prill 2023, 12:12