Kërko

Pamje nga muri ndarës Pamje nga muri ndarës 

Abū Māzen: "Kjo tokë nuk meriton mure, por ura për të ndërtuar"

Presidenti i Shtetit të Palestinës. Mamūd Abbas, në bisedë me L'Osservatore Romano-n, tridhjetë vjet pas marrëveshjeve të Oslos: "Paqja dhe stabiliteti, kërkesë themelore dhe e vazhdueshme në politikën palestineze, të cilën ne përpiqemi me këmbëngulje ta jetojmë përmes zbatimit të rezolutave të legjitimitetit ndërkombëtar, Iniciativës Arabe të Paqes dhe thirrjes së një konference ndërkombëtare për paqen, nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara".

R. SH. - Vatikan

Mbi rrugën që të çon nga Jeruzalemi, në Ramallah, ka rënë prej kohësh errësira e rrugët janë ndriçuar nga dritat që ndizen këtu gjatë Ramazanit. Mbrëmja është e butë dhe buzë rrugës mblidhen grupe familjesh për iftar, darkë që pason agjërimin e gjatë të përditshëm. Në terrin e natës pa hënë, bie fort në sy shtëpia e bardhë e Presidentit. Biseda me Presidentin Abbas zhvillohet natën, gjë zakontë këtu. Pas disa kontrolleve të sigurisë, hyjmë në një dhomë pritjeje, pajisur me një poster të madh fotografik me kupolën e artë të Shkëmbit dhe dy kupolat gri të Bazilikës së Varrit të Shenjtë, sikur të ishin vërtet të ngjitura. “Duam t'i paraqesim së bashku - na thotë këshilltari diplomatik i presidentit, Majdi Khaldi - sepse së bashku përfaqësojnë aderimin e Autoritetit Kombëtar Palestinez (PNA) me pluralizmin fetar që karakterizon popullin palestinez. Hyjmë, sipas rregullave të ceremonisë, në dhomën e Presidentit Abbas. Na shtrëngon  fort duart e duket shumë më i ri se mosha e tij. “Ju erdhët këtu për të më bërë pyetje. Ndërsa pyetjen e parë po jua bëj unë: si është miku im, Papa Françesku?”. Gjatë gjithë intervistës figura e Papës Françesku do të riduket disa herë. E jo me ngjyrim politik a diplomatik: sa herë që flet për Papën, Presidentit i shndrit fytyra e duket qartë se e do, e admiron Atin e Shenjtë!

Zoti President, ju jeni i vetmi mysliman (ndoshta edhe i vetmi ndërmjet të krishterëve) që çdo vit merrni pjesë në tri meshë për të festuar Krishtlindjen. Me latinët, ortodoksët dhe armenët. Çfarë mund të na thoni për marrëdhëniet tuaja me bashkësinë e krishterë në Palestinë vitet e fundit?

“Feja e krishterë në Palestinë është po aq e vërtetë, sa feja islame. Ajo që e dallon krishterimin në Palestinë është se Jezusi është bir i kësaj toke, se lindi këtu, në qytetin e Betlehemit, në një shpellë të thjeshtë, mbi të cilën u ndërtua më vonë Bazilika e Lindjes së Krishtit, të cilën ne e vizitojmë për të uruar konfesionet e ndryshme të krishtera: ortodokse, katolike dhe armene, tri herë me rastin e Krishtlindjes. Si ANP (Autoritet Kombëtar Palestinez) jemi shumë të lidhur me këto vende kulti, të dashura si për të krishterët vendas, ashtu edhe për shtegtarët e shumtë që vijnë nga e gjithë bota. Për këtë arsye, vitet e fundit nuk kemi ngurruar të fillojmë restaurimet e rëndësishme të Bazilikave të Lindjes së Krishtit, në Betlehem dhe të Varrit të Shenjtë, në Jerusalem, në marrëveshje me tre konfesionet e krishtera që i përmbahen Statu Quo-së. I festojmë festat e krishtera me të gjithë popullin tonë palestinez, të krishterë dhe myslimanë, dhe të gjitha festat fetare të krishtera i konsiderojmë si festa kombëtare palestineze. Jemi të vetëdijshëm se toka e Palestinës është toka e shenjtërisë, prej nga lindi dhe u përhap krishterimi në mbarë botën”.

Zoti President, kanë kaluar tridhjetë vjet nga Marrëveshja e Oslos dhe që atëherë procesi i paqes nuk ka bërë asnjë hap përpara. Megjithatë, ndërkohë, kanë ndodhur shumë ndryshime. Për shembull në përbërjen e popullsisë së  zonës C, përcaktimi i së cilës në ato marrëveshje u shty për të ardhmen. Ju pyes: si mund të përfytyrohet sot një shtet palestinez, nëse  i mungon afërsia territoriale? E a mendoni se zgjidhja "dy shtete për dy popuj" është ende e zbatueshme sot?

“Çështja palestineze ka kaluar nëpër shumë faza, më e rënda prej të cilave ishte kur forcat izraelite kryen atë që mbahet mend edhe sot si tragjedia më e madhe e vuajtur nga populli palestinez, Nakba e vitit 1948. Më shumë se gjysma e popullit palestinez u dëbua më pas nga toka e vet, u kryen 51 masakra dhe u shkatërruan 529 fshatra: është katastrofa më e madhe në historinë tonë. Ende sot 6 milionë palestinezë, myslimanë dhe të krishterë, jetojnë në kampet e refugjatëve. Ky vit shënon 75-vjetorin e Nakba, si dhe 54-vjetorin e pushtimit të pjesës tjetër të tokës palestineze në Bregun Perëndimor, duke përfshirë, më 1967-tën - Jeruzalemin Lindor dhe Rripin e Gazës.

Megjithë miratimin e rezolutave të shumta nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe Këshilli për të Drejtat e Njeriut, asnjëra prej tyre nuk është zbatuar deri më sot. E megjithë vullnetin e palestinezëve për shumë nisma paqeje dhe për nënshkrimin e marrëveshjeve, si marrëveshjet e Oslos më 1993, nisma arabe e paqes në 2002, udhërrëfyesi për Lindjen e Mesme më 2003 dhe shumë propozime të tjera, Qeveritë izraelite nuk i janë përgjigjur kurrë asnjërës prej këtyre nismave dhe as nuk i kanë respektuar marrëveshjet. Përkundrazi, janë zbatuar praktika koloniale që shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Katërt të Gjenevës, si ndërtimi i vendbanimeve të paligjshme, aneksimi i tokave, prishja e shtëpive, dëbimi i palestinezëve nga toka e tyre, dhunimi i islamit dhe i Vendeve të shenjta kristiane. E gjithë kjo kontribuon në minimin e mundësisë së zgjidhjes me dy shtete dhe lejon kryerjen e krimeve të diskriminimit etnik në stilin e aparteidit.

Fatkeqësisht, më duhet të vërej se në vend që të sfidojnë Izraelin për agresionin e tij kundër popullit palestinez, duke e detyruar të respektojë marrëveshjet e nënshkruara në themelet e së drejtës ndërkombëtare, shumë vende vazhdojnë të heshtin për përgjegjësitë e Izraelit, duke shprehur vetëm një afërsi të përgjithshme dhe sipërfaqësore për të drejtat legjitime të palestinezëve. Megjithatë, pavarësisht nga kjo, shteti i Palestinës gëzon  njohje të respektueshme ndërkombëtare, është vëzhgues në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe anëtar i plotë në më shumë se njëqind agjenci dhe traktate ndërkombëtare, nënshkruan marrëveshje dhe i përgjigjet të gjitha nismave të Bashkësisë Ndërkombëtare. Tani për tani, kjo Bashkësi ka përgjegjësinë për të ndaluar Izraelin, duke e detyruar të zbatojë vendimet e ligjshmërisë ndërkombëtare dhe të respektojë marrëveshjet e nënshkruara, duke i dhënë fund pushtimit izraelit të tokës së shtetit të Palestinës me kryeqytetin e tij, Jerusalemin Lindor, dhe duke u kthyer në kufijtë e vitit 1967. Në realitetin aktual, pra atë të një shteti të vetëm, çka dominon është sistemi i aparteidit, në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Populli ynë, i cili ka arritur në 15 milionë palestinezë në mbarë botën dhe në shtetin e Palestinës, meriton të jetojë në siguri, paqe dhe fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet e kësaj zone gjeografike”.

Po Gaza? Ndoshta dy popuj në tre vende?

“Rripi i Gazës është pjesë themelore, tejet e rëndësishme e shtetit të pavarur palestinez dhe e projektit kombëtar palestinez: themelor për të kundërshtuar të gjitha komplotet dhe projektet e shkatërrimit të kauzës palestineze. Rripi i Gazës dhe Bregu Perëndimor, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor, janë të gjitha toka palestineze të pushtuara që nga viti 1967, dhe sipas Rezolutës Ndërkombëtare të Legjitimitetit, përbëjnë tokën e Shtetit të Palestinës. Ajo që lëvizja Hamas ka bërë kundër legjitimitetit palestinez nuk pranohet nga populli palestinez: i vetmi përfaqësues legjitim i popullit tonë është Organizata për Çlirimin e Palestinës, me institucionet e saj legjitime të zgjedhura nga populli ynë, duke përfshirë Këshillin Kombëtar, që është parlamenti i popullit palestinez dhe komitetin ekzekutiv të organizatës, kryesuar nga Presidenti i Shtetit të Palestinës. Ne po përpiqemi, me të gjitha forcat të ripohojmë kohezionin kombëtar dhe t’i drejtojmë veprimet tona për të përballuar kërcënimin kryesor kundër popullit tonë dhe kauzës sonë: pushtimin nga izraeli dhe nevojën për t’u çliruar prej tij”.

Ju, Zoti President, njiheni si njeri i paqes. Sidomos nga të rinjtë palestinezë, të cilët kanë lindur dhe janë rritur pa e njohur lirinë ndaj, me kalimin e viteve, pushtohen nga një ndjenjë zhgënjimi, e cila shpesh kthehet në dhunë, siç ka ndodhur edhe ditët e fundit. Çfarë mendoni t’u thoni të rinjve palestinezë për këtë?

Ne jemi kundër dhunës, veçanërisht nëse ajo ka në shënjestër civilët e pambrojtur. Përkundrazi, rinia palestineze është shtylla themelore e planit tonë për ndërtimin e institucioneve kombëtare palestineze. Vitet e fundit  kemi punuar për t'u mbështetur në institucionet shtetërore të bazuara në sundimin e ligjit,  për të fuqizuar rolin e grave dhe të rinjve, për  përhapjen e kulturës së paqes, thellimin e dialogut, metodat diplomatike dhe politike dhe rezistencën paqësore popullore. E unë u them të rinjve krenarë të Palestinës se çfarëdo vështirësie dhe sfidash me të cilat përballet çështja jonë kombëtare, ne duhet të qëndrojmë në tokën tonë dhe në tokën e të parëve tanë, sepse ndryshimet që ndodhin, si në rajonin tonë, ashtu edhe në mbarë botën, tregojnë qartë se fundi i pushtimit izraelit nuk është as i largët e as i pashmangshëm. Ne duam paqen. E paqja që do të arrihet është për ne një zgjedhje strategjike, në përputhje me rezolutat e legjitimitetit ndërkombëtar, në mënyrë që më në fund të mund të jetojmë të pavarur në një shtet sovran me kryeqytet Jeruzalemin Lindor, një shtet të bazuar mbi themelet e së drejtës ndërkombëtare, me liri, barazi dhe drejtësi!

Si e shikon publiku palestinez luftën në Ukrainë dhe çfarë mendoni?

“Ne jemi popull i pushtuar. Prej 75 vjetësh jetojmë si refugjatë dhe deri tani populli ynë nuk është zhdëmtuar. Pushtimi izraelit i tokës sonë nuk ka mbaruar, marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë zbatuar e ne vazhdojmë të dëgjojmë një mori gjykimesh të gabuara për situatën tonë. Unë mund t'ju përgjigjem me siguri absolute se jemi për përfundimin e të gjitha luftërave dhe për arritjen e paqes në të gjitha anët e botës, në mënyrë që të gjithë popujt të gëzojnë siguri, liri dhe prosperitet".

Patriarkët dhe krerët e kishave të Jeruzalemit denoncojnë sulmet e përsëritura kundër kishave, varrezave dhe klerit të krishterë. A besoni, President, se bashkësia ndërkombëtare i ndjek me vëmendjen e duhur    rreziqet që kërcënojnë praninë e krishterë në Tokën Shenjte?

“Është themelore të kujtojmë se gjatë vizitës dhe shtegtimit të Shenjtërisë së Tij në Betlehem, Papa Françesku qëndroi në heshtje, i habitur nga pamja e atij poshtërimi, që përfaqëson muri ndarës. E më pas vuri dorën mbi atë mur, duke iu lutur të Gjithëpushtetshmit ta shembë, atë e të gjitha muret, sepse kjo tokë nuk meriton të ndërtohen mure, po ura. Prania e krishterë është në rrezik dhe kemi frikë se Toka e Shenjtë do të humbasë bijtë e saj të mirë të krishterë, të cilët këtu janë kripa e tokës. Në këtë kontekst, kërkojmë nga kishat dhe kryeqytetet e botës ta mbështesin popullin palestinez, që të ruhen kështu edhe vendet e shenjta të fesë së krishterë dhe asaj islame”…”.

Urime për Papën!

Këshilltarët e presidentit na kujtojnë se koha ka mbaruar e se e presin angazhime të tjera. Por ai, më shumë se ne, do të dëshironte ta vazhdonte bisedën. Ndaj ndez një cigare, duke pirë një kafe me aromë kardamom e duke kujtuar të gjitha rastet kur takoi Papën Françesku…

Makina, që na kthen në Jeruzalem, rrëshqet shpejt në errësirë ​​përgjatë rrugëve tashmë të shkreta. Në celularin e atyre që na shoqërojnë, vjen një mesazh: “Harrova të përmend një gjë të rëndësishme. A mund t'i përcillni mikut tim, Papës Françesku, urimet për Pashkë të lumtura?".

(Bashkëpunoi At Ibrahim Faltas, o.f.m., vikar i Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë)

14 prill 2023, 12:55