Ura Sant'Angelo, ku engjëjt këndojnë, ndërmjet qiellit e tokës
R.SH. - Vatikan
Shtatoret e engjëjve të Urës së Shën Engjëllit, në Romë nuk janë aty thjesht për të zbukuruar pamjen e lumit, që rrjedh herë qetë-qetë e herë me vrull poshtë tyre. Të ftojnë të ecësh në rrugët e historisë; të dëgjosh zhurmën e hapave të ushtrive perandorake, në kthim prej betejave ngadhënjyese. Këta engjëj guri na shoqërojnë gjatë kalimit të Tiberit, duke na kujtuar një nga përfytyrimet më të paharrueshme. Atë të ditës, krijuar nga imagjinata popullore, kur “ushtritë me krahë” zbritën nga qielli - në tokë e nisën të sillen rreth ikonës së Zojës Salus Populi Romani, mbartur nga Bazilika e Shën Marisë së Madhe me procesion, ndjekur nga një turmë vigane populli. Besimtarët i luteshin të ndërmjetësonte për t'i dhënë fund murtajës, që po e shuante jetën në trojet papnore!
Origjina e Regina Coeli, ndërmjet engjëjve dhe shikimit të Marisë
Atë ditë, e cila mbeti në histori, Papa Gregori u lut për fundin e epidemisë, që kishte gjunjëzuar të gjithë qytetin, duke shkaktuar mijëra viktima. Ndaj e kishte organizuar këtë procesion të shtatëfishtë drejt Shën Pjetrit, të cilit i printe ikona e shenjtë mariane, e ndjekur nga një mori njerëzish, me lot në sy e lutje në buzë! Ishte viti 590.
Historia e Urës
Pamja e urës, siç e shohim sot, është rezultat i përtëritjeve shekullore. Në fillim u ndërtua nga perandori Adrian për të lidhur ndërtesën vigane, që do të ishte mauzoleu i tij, varri i tij i madh dhe shumë i pasur dinastik, përuruar në vitin 134 pas Krishtit. Edhe emri, të kujtonte ndërtuesin e saj: quhej pons Aelius ose ura e Adrianit.
Nuk ishte aq pamje kalimtare, sa shprehje e fuqisë perandorake. Megjithatë, zona në bregun e majtë të Tiberit, që merrte rëndësi gjithnjë në rritje, falë tërheqjes që ushtrojnë vendet ku u kryqëzua Shën Pjetri dhe, si pasojë bazilika kushtuar Papës së parë, me kalimin e kohës u bë qendra nervore e sistemit rrugor. Në mesjetë mbi urë kalonin shtegtarët, që shkonin te Varri i Pjetrit. Ndaj ura nisi të quhej Pons Sancti Petri. Një rrugë gjithnjë përplot me njerëz, sidomos gjatë jubileut, si ai i vitit 1450, kur u kushtoi jetën shumë shtegtarëve, të cilët ranë në lumë për shkak të shembjes së parmakëve, rënduar nga turmat e njerëzve që hynin e dilnin në urë. Në hyrje të urës ishin dy kapela të cila u rrënuan në vitin 1527 dhe u zëvendësuan në 1535 me shtatoret e Pjetrit e të Palit.
Dora e Berninit
Në vitin 1669, Papa Klementi IX e zëvendësoi rrënojën dhe ndërtoi një parapet të ri, të projektuar nga protagonisti kryesor i skenës së artit romak të shekullit të shtatëmbëdhjetë: Giovan Lorenzo Bernini.
"Titulus Crucis": nga Kalvari në Romë, historia e relikes së famshme të Mundimeve
Në të dy anët e Urës, mbi balustrat, u vendosën dhjetë shtatore, nga pesë në secilën anë. Dhjetë engjëj që mbajnë në duar mjetet e Mundimeve. Drejtimi i punimeve iu besua Berninit, ndërsa realizimi, nxënësve të tij. Janë aty, ku i pati vendosur vetë Mjeshtri i pamort. Përveç dy Engjëjve, të skalitur nga i njëjti artist: engjëlli me rrotull dhe ai me kurorën e gjembave, të cilët tani ndodhen në bazilikën Sant'Andrea delle Fratte, ndërsa në urë lartohen dy kopje të tyre. Histori prekëse, për t’u treguar edhe kjo! Në çdo mbështetëse, mbi të cilën qëndrojnë shtatoret, lexohen vargje të shkurtra, shkëputur nga Besëlidhja e Vjetër dhe e Re, me kuptimin e objektit mbajtur nga krijesat me krahë.
Ndërsa Engjëlli mbi Kolonën e Rrotullës me inicialet "INRI", riprodhon përsosurisht atë që ruhet në bazilikën e Sh’na Kryqit në Jeruzalem: mbishkrimin që Pilati e vuri mbi kryqin e Krishtit, në tri gjuhë: hebraisht, greqisht dhe latinisht, siç tregojnë Ungjijtë.
Zbulimi i Titulus Crucis pati shkaktuar një sensacion të madh dhe që nga ai çast u riprodhua me mjaft besnikëri nga artistët, duke nisur nga Luca Signorelli dhe Michelangelo. Por është e qartë se transferimi i mbishkrimeve të tilla të vogla, të vështira për t'u lexuar nga larg në skulpturë, sigurisht që nuk të trondit aq sa Relikja, e sjellë nga Kalvari.
E shëtitëm simbolikisht Urën e famshme të Shën Engjëllit, prej nga shihet Kështjella - Varr vigan i kohëve që më s’janë! E faqe historie që nuk shuhet nga kujtesa. Tani na mbetet ta vizitojmë, duke marrë, më pas, me vete, një nga kujtimet më të paharruara të fesë e të jetës! Atë të shoqërimit të Krishtit drejt Kalvarit, rijetuar mbi një urë…