Kërko

Fëmijë në punë Fëmijë në punë

Unicef/ILO: rritet numri i fëmijëve pa mbrojtje në botë

1,46 miliard fëmijë nën 15 vjeç, në gjithë botën, nuk kanë mbrojtje shoqërore. Ky është denoncimi i Unicef-it dhe i Organizatës Botërore të Punës, në raportin e tyre të fundit global, që u paraqit më 1 mars. Fëmijët, vihet në dukje në të, kanë një probabilitet dy herë më të lartë se ai i të rriturve për të jetuar në kushte varfërie të skajshme

R.SH. – Vatikan

 Sipas raportit të ri, publikuar më 1 mars nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe UNICEF-i, numri i fëmijëve pa mbrojtje sociale po rritet çdo vit, duke i vënë ata në rrezik varfërie, urie dhe diskriminimi.

I titulluar “More than a billion reasons: The urgent need to build universal social protection for children” (Mbi një miliard arsye: nevoja urgjente për të krijuar mbrojtje universale shoqërore për fëmijët), raporti vë në dukje se ndërmjet viteve 2016 dhe 2020, 50 milionë fëmijë të moshës nga 0 deri në 15 vjeç nuk kanë pasur mbrojtjen e duhur sociale, sidomos në formën e ndihmës familjare (paguar në para, ose në kredi tatimore), duke bërë që numri i përgjithshëm i fëmijëve pa këtë ndihmë në nivelin botëror të arrijë në 1,46 miliardë.

Më tej pohohet se ndërmjet viteve 2016 dhe 2020 treguesit e mbulimit financiar të ndihmave për fëmijët  e familjet mbetën pezull në të gjitha rajonet e botës, prandaj, asnjë vend nuk është në udhën e duhur për të plotësuar Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm brenda vitit 2030. Në Amerikën Latine dhe Karaibe, për shembull, mbulimi ka rënë ndjeshëm nga rreth 51% në 42%. Në shumë rajone të tjera, mbulimi financiar mbetet i ulët. Në Azinë Qendrore dhe Jugore, në Azinë Lindore dhe Juglindore, në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Perëndimore dhe në Afrikën e Veriut treguesit kanë lëvizur rreth shifrave 21%, 14%, 11% dhe 28%, që nga viti 2016.

Kur fëmijët nuk marrin ndihmë sociale, ka më shumë mundësi të varfërohen, të jenë pre e sëmundjeve, të mos vazhdojnë shkollën dhe të ushqehen keq. Për të mos folur për martesën e parakohshme dhe për futjen e tyre në punë. Në nivelin global, fëmijët kanë dy herë më shumë probabilitet se të rriturit të jetojnë në varfëri të skajshme. Vërtet, numri i fëmijëve, që mbijetojnë me më pak se 1,90 dollarë në ditë (PPP - purchasing poëer parity në ditë), ka arritur në 356 milionë. Përveç kësaj, një miliard fëmijë jetojnë në varfërinë e ashtuquajtur shumëpërmasore, pra, pa mundësi për arsimim, shërbim shëndetësor, strehim, ushqim, kanalizime apo ujë. Fëmijët që jetojnë në varfëri shumëpërmasore janë shtuar me 15% gjatë pandemisë COVID-19, duke bërë hapa mbrapa në krahasim me më parë përsa i përket pakësimit të varfërisë së tyre, gjë që e bën edhe më urgjente nevojën për mbrojtje sociale.

02 mars 2023, 10:36