Kërko

 Vetrate delle Chiese gotiche Vetrate delle Chiese gotiche

Shenjtorët e Javës 26 mars - 2 prill

E diel 26 mars Kisha kremton të dielën e 5-të dhe të fundit të kohës së Krezhmëve, ciklit të parë ‘A‘. Gjithnjë më 26 mars përkujtohet Shën Eutiku, nëndiakon i Aleksandrisë së Egjiptit. eximet biblike të kësaj së diele pohojnë e na sigurojnë se Zoti i jetës në Jezusin e ka dëftuar pushtetin e fuqinë e tij ngadhënjimtare mbi vdekjen.

R.SH. / Vatikan

E diel 26 mars Kisha kremton të dielën e 5-të dhe të fundit të kohës së Krezhmëve, ciklit të parë ‘A‘. Gjithnjë më 26 mars përkujtohet Shën Eutiku, nëndiakon i Aleksandrisë së Egjiptit. U martirizua nga ipeshkvi heretik arian Gjergji, në kohën kur perandor i Romës ishte Kontanci, për shkak të fesë së tij katolike. 

Tema e liturgjisë së Fjalës së kësaj së diele të 5-të Krezhmëve është ajo e jetës. Të trija leximet nënvizojnë të njëjtin realitet: vetëm forca e Zotit bënë të lulëzojë shpresa përsëri, vetëm forca e Zotit i zgjidhë lidhjet e vdekjes dhe rikthen plotësinë e jetës. Leximet biblike të kësaj së diele pohojnë e na sigurojnë se Zoti i jetës në Jezusin e ka dëftuar pushtetin e fuqinë e tij ngadhënjimtare mbi vdekjen. 

Të hënën më 27 mars, përkujtohet Shën Ruperti. Me prejardhje nga Irlanda, rreth vitit 700 shkoi në Bavari, ku iu përkushtua predikimit e jetës murgare shëtetëse. Qyteti i Salsburgut (qyteti i kripës), e kujton Rupertin jo vetëm si ipeshkvin e parë, por edhe si ri-themeluesin e qytetit, mbi rrënojat romake.

Të martën më 28 mars, përkujtohet e lumja Jeane Marie de Maillé (Zhanë Mari de Majé). E veja me prejardhje fisnike, pasi e humbi të shoqin në luftë, e dëbuar nga shtëpia ku kishte lindur dhe e zhveshur nga të mirat tokësore, jetoi, e mbyllur në një qeli të vogël pranë një kuvendi françeskan, duke lypur bukën e gojës dhe plot me besim në Zotin. Vdiq në vitin 1414.

Të mërkurën më 29 mars, përkujtohet i lumi John Hambley (Gjon Hëmbli), meshtar e martir. U dënua me vdekje në vitin 1587 gjatë mbretërimit të Elizabetës I, vetëm sepse ishte meshtar.

Të enjten më 30 mars , përkujtohet Shën Gjon Klimaku, abat i Sinait, Shën Amedeu IX i Savojës e Shën Leonardi Murialdo.

Të premten më 31 mars, përkujtohet Shën Balbina, matronë romane e Shën Beniamini, diakon e martir.

Të shtunën më 1 prill, përkujton festën e shën Venancit, ipeshkëv i Salonës e martir dhe Shën Ugos, ipeshkëv i Grenoblës.

Të dielën e ardhshme më 2 prill, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e Larit. Gjithnjë më 2 prill përkujtohet edhe Shën Vinçenci nga Paola, vetmitar, themelues i Urdhrit të Rregulltarëve të Vegjël dhe Shën Marina egjiptiane. Më 2 prill bie edhe përvjetori i vdekjes së Papës Shën Gjon Palit II (2005).

Me këtë Diele të Larit të Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krishti, për Kishën katolike fillon Java e Shenjtë ose Java e Madhe e Pashkëve, siç quhej në shekullin IV në Egjeri e siç quhet edhe sot e kësaj dite ndër shqiptarë. Pra përfundojnë Krezhmët e hyjmë në kremtimet e Pashkëve. Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na propozon dy ngjarje dhe momente ngushtë të lidhura mes tyre: përkujtimin e hyrjes së Jezusit në Jerusalem dhe mundimet e Tij.

26 mars 2023, 14:23