Shenjtorët e javës 19 – 26 mars
R.SH. / Vatikan
E diel më 19 mars, Kisha katolike kremtojë të Dielën IV të Krezhmëve 'A', gjithnjë më 19 mars kalendari kujton edhe shën Gjonin, abat. Ungjilli i kësaj së diele nga Gjoni (9,1-41) ve përballë njëra-tjetrës dritën dhe errësirën. Njeriu i prekur nga verbëria e pashërueshme, i mënjanuar nga shoqëria dhe feja është personifikimi simbolik i gjendjes mëkatare në të cilën është njeriu i pandriçuar nga Krishti. Vetëm takimi me Krishtin, Drita e botës, drita “që ndriçon çdo njeri” (Gjn 1,9) – e heq perden nga sytë, e ripërtërin njeriun, ia kthen tërë dinjitetin, e lejon të pikasë shkëlqimin e gjërave dhe shijen e re të jetës. Tregimi ungjillor i njeriut që “u lind i verbër” është interpretuar gjithmonë në perspektivën e pagëzimit.
Të hënën më 20 mars, kalendari kishtar kremton festën e Shën Jozefit, fatit të Virgjërës Mari, pajtorit të Kishës Universale. Po më 20 mars përkujtohet edhe shën Gjoni Nepomuçeno, meshtar e martir
Të martën më 21 mars, kalendari kishtar përkujton shën Nikollin Flye, pajtor qiellor i Zvicrës.
Të mërkurën më 22 mars, kalendari kishtar përkujton shën Lea-n, vejush romake, shën Palin, ipeshkëv i Narbonne-s.
Të enjten më 23 mars, kalendari kishtar përkujton shën Turibio-n nga Mogrovejo, ipeshkëv i Limës.
Të premten më 24 mars, kalenadri kishtar përkujton shën Katerinën e Suedisës, virgjër, bijë e shën Brigjidës.
Të shtunën më 25 mars, Kisha kremton festën e Lajmërimit të Zotit. Po më 25 mars, kalendari përkujton edhe shën Kuirinin, marti e shën Luçinë Filipini, virgjër e themeluese e Mësueseve të Përshpirtshme Filipini.
Të dielën e ardhshme më 26 mars, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën V të Krezhmëve, ciklit 'A' , gjithnjë më 26 mars kalendari përkujton shën Kastulo-n, martir.