Kërko

Kupola e një kishe është lartim drejt Zotit Kupola e një kishe është lartim drejt Zotit

Më 31 mars, kalendari kishtar kujton shën Beniaminin, diakon

Edhe në Persi, të krishterët e parë shiheshin me sy të keq. Në vitin 420, u martirizua Beniamini, diakon i Ergolit. Tradita thotë se ai mbeti viktimë e një hakmarrjeje, pas djegies së një tempulli kushtuar zotit të zjarrit. Beniamini nuk hoqi dorë nga feja dhe e humbi jetën bashkë me një grup besimtarësh

R.SH. – Vatikan

         Shën Beniamini, diakon i Ergolit në Persi, bën pjesë në një grup martirësh, vrarë gjatë përndjekjes së gjatë kundër të krishterëve, që filloi nën sundimin e Iezdegerdit I dhe përfundoi me atë të pasuesit të tij Bahram-Gor.

Ka versione të ndryshme lidhur me këtë persekutim të egër, marrë kryesisht nga sinasarët (jetë shenjtorësh) bizantinë; edhe emrat e martirëve, data dhe vendi i martirizimit janë të pasakta dhe kontradiktore.

Episodi, ndodhur gjatë përsekutimit të të krishterëve në Persi, vë në pah se rreth vitit 420, zelli i shfrenuar i disa të krishterëve, të udhëhequr nga prifti Hasu, i bëri t’i vinin flakën një tempulli kushtuar zotit të zjarrit në Ergol (Argul). U arrestuan ipeshkvi Abdas e disa të tjerë, ndër të cilët meshtarë, diakonë e laikë. Ipeshkvi u urdhërua nga autoritetet civile të rindërtonte tempullin e, pasi refuzoi, të gjithë u dënuan me vdekje. Ndër të dënuarit ishte pikërisht diakoni i Ergolit, Beniamin.

Për këtë të fundit, në Martiriologun Romak, që e përkujton më 31 mars, shkruhet: “Në Ergol (Argul) të Persisë, Shën Beniamini diakon, i cili nuk pushoi së predikuari të vërtetat e fesë, nën mbretin Bahrom-Gor, u martirizua duke i futur në çdo vrimë të trupit e nën thonj shkopa të hollë e me majë tejet të mprehtë”.

Martirizimi ndodhi rreth vitit 420, pra në dy vitet e para të mbretërimit të Bahrom-Gorit, sepse në vitin 422, ai u mund nga perandori bizantin Teodosi II, i cili, si kusht për paqen, kërkoi pikërisht lirinë e kultit për të krishterët e Persisë.

31 mars 2023, 12:27