Kërko

2019.03.23 locandina giornata dei missionari martiri 2019.03.23 locandina giornata dei missionari martiri

24 marsi Dita e Misionarëve Martirë, dëshmitarë të Ungjillit

Më 24 mars kremtohet Dita e Lutjes dhe e Agjërimit për misionarët martirë, dëshmitarë të Ungjillit, të cilët na ftojnë të qëndrojmë në shpresë, fe e vëllazërim. Kjo ditë përkon me përvjetorin e vrasjes së kryeipeshkvit katolik të San Salvadorit, imzot Oskar Arnulfo Romero më 24 mars 1980, ndërsa kremtonte Meshën e Shenjtë. E sot nuk mund të mos kujtojmë këtu, të gjithë misionarët që dhanë jetën në trevat shqiptare e posaçërisht në Shqipëri.

R.SH. - Vatikan

Më 24 mars 2023 kremtohet në të gjithë Kishën edicioni i 31-të i Ditës së Martirëve Misionarë, një përkujtim e kremtim i vendosur në vitin 1993 nga Lëvizja Rinore Misionare e Drejtorisë Kombëtare Italiane pranë Veprave Papnore Misionare. Dita  Botërore e lutjes dhe agjërimit për misionarët martirë, dëshmitarë të Ungjillit, në përvjetorin e vrasjes së imzot Oskar Romeros.

Sivjet tema e zgjedhur nga Missio Giovani (sektori i Fondacionit Missio i cili është edhe përgjegjës për organizimin e kësaj nisme) është "Ju do të bëheni dëshmitarët e mi “ nga Veprat e Apostujve (Vp 1,8)", një shprehje që rimerr temën e Ditës Misionare Botërore të tetorit të kaluar. "Ju do të jeni dëshmitarët e mi", "deri në skajet e tokës" dhe "ju do të merrni forcë nga Shpirti Shenjt". Janë, pra, fjalët e Jezusit drejtuar apostujve, janë tri shprehje kryesore, që përmbledhin tre bazat e jetës dhe të misionit të dishepujve edhe sot.

Pra, sot më 24 mars bie Dita e Lutjes dhe agjërimit për misionarët martirë, dëshmitarë të Ungjillit, ditë që përkon me përvjetorin e vrasjes së kryeipeshkvit katolik të San Salvadorit, imzot Oskar Arnulfo Romero më 24 mars 1980, derisa kremtonte Meshën e Shenjtë. Ai pati denoncuar me forcë padrejtësitë dhe pabarazinë shoqërore në vendin e tij. 

E që nga viti 1993 Kisha Katolike ia kushton këtë Ditë Misionarëve Martirë duke na ftuar të meditojmë mbi vlerën e farës së gjakut të martirëve, që dhuruan jetën e tyre për Jezu Krishtin dhe për njeriun vëlla, duke flijuar çdo gjë, deri edhe jetën për fe e për dashuri vëllazërore.

Kisha na kujton se jeta e këtyre martirëve na përket të gjithëve, për këtë arsye, në këtë ditë, që nga viti 1994 Kisha lutët për misionarët që derdhen gjakun për Krishtin dhe na fton të përforcohemi në fenë tonë të krishterë e në misionin tonë të përditshëm të dëshmisë së dashurisë së Krishtit në çdo çast e mjedis ku gjendemi, jetojmë dhe veprojmë.

E sot nuk mund të mos kujtojmë këtu, të gjithë misionarët që dhanë jetën në të gjitha trevat shqiptare e posaçërisht në Shqipëri, duke vuajtur së bashku me popullin dhunën e persekutimin e periudhave të ndryshme të errëta si në kohën otomane dhe atë komuniste, por edhe kontributin e shumë prej tyre për përparimin e mbarë kombit dhe ruajtjen e kultivimin e identitetit shqiptar.

Misionarët martirë nuk janë larg jetës së përditshme, por ata thjesht i dëgjuan zërat që vinin nga territori i tyre e sfidat e tij dhe aty e dëshmuan Krishtin. Sigurisht, nuk është e thjeshtë, por ia dolën mbanë, prandaj edhe ne duhet të dëgjojmë se ç’vjen nga vendi ku jetojmë e të jemi të krishterë gjithmonë, në Kishë, por sidomos në jetën e përditshme, jashtë Kishës. Duhet t’u japim sfidave e provokimeve që vijnë nga bota, një përgjigje të bazuar në Ungjill.

Misionarët martirë janë « shpresë për botën », që na kujtojnë vlerën e krishterë të martirizimit. Martirët dëshmojnë se dashuria e Krishtit është më e fortë se dhuna e se urrejtja. Ata nuk e kërkuan martirizimin, por qenë gati të japin jetën për t’i qëndruar besnikë Ungjillit. Martirizimi i krishterë përligjet vetëm si akti më i lartë i dashurisë për Zotin e për vëllezërit.

24 mars 2023, 12:16