Bartolomeu I, CCEE, Al-Tayyeb, Welby: nga e gjithë bota, urime për Papën Françesku
R.SH. – Vatikan
Në 10-vjetorin e papnisë, Atit të Shenjtë Françesku i kanë ardhur urime nga e gjithë bota, edhe nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, në emër të së cilës, foli kreu i saj, imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit. Po vëmë në dukje edhe disa të tjerë, duke filluar nga ipeshkvijtë evropianë.
Urimet e ipeshkvijve të Evropës
Pikërisht, “magjisteri evropian” i Papës Françesku vihet në dukje në mesazhin e urimit të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE). Ipeshkvijtë i shprehin Atit të Shenjtë afërsinë dhe mirënjohjen për shërbimin e tij në favor të Kishës e të njeriut, duke përmendur disa nga pikat kulmore të impenjimit papnor në Evropë. “Si të mos kujtojmë – shkruajnë ata - vizitën tuaj në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Evropës në Strasburg, më 2014, por edhe udhëtimet tuaja të shumta në zemër të kontinentit tonë; marrjen e çmimit Karli i Madh në vitin 2016, por edhe takimin me krerët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian, në 60-vjetorin e Traktatit të Romës, më 24 mars 2017. Pikërisht në atë takim, Atë i Shenjtë, theksuat se ‘Etërit themelues na kujtojnë se Evropa nuk është bashkësi rregullash që duhen respektuar, as manual protokollesh dhe procedurash që duhen ndjekur. Ajo është jetë, një mënyrë e konceptimit të njeriut, duke u nisur nga dinjiteti i tij transhendent dhe i patjetërsueshëm, e jo vetëm tërësi të drejtash, që duhen mbrojtur apo pretendime, që duhen plotësuar”.
Patriku ortodoks: Françesku, “vëlla i dashur”, me të cilin ndaj një “udhë të bekuar”
“Është për mua nder i veçantë dhe gëzim i thellë t'i shpreh urimet e mia të sinqerta vëllait tim të dashur, Papës Françesku”, shkruan ndërkaq, Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, duke nënvizuar “miqësinë dhe bashkëpunimin, sidomos në shërbimin për t'i sjellë ngushëllim dhe paqe gjithë popullit të Zotit, si edhe në mandatin për të promovuar kujdesin dhe shërimin për gjithë Krijimin e Hyjit”. Bartolomeu I e quan Papën “vëlla Françesku” e thekson se i vlerëson jashtë mase përparësitë e papnisë së tij, maturinë e veprimeve dhe hapat e bëra. “Personalisht, - përfundon Patriku ortodoks - pres me padurim të ndaj hapat e ardhshëm të udhës tënde të bekuar, ndërsa i afrohemi përkujtimit historik dhe kremtimit të jashtëzakonshëm të Koncilit të parë Ekumenik të Nikesë, ku u formuluan frazat kryesore të Besojmës sonë të krishterë. Ad multos annos, miku im i dashur! Chrónia pollá!”
Al-Tayyeb: Françesku, promovues i madh i paqes e i vëllazërimit
Veçojmë së fundi, urimet e Imamit të Madh të Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyeb, i cili, në vlerësimin e 10 viteve të papnisë, kujton impenjimin e Papës në ndërtimin e “urave të dashurisë e të vëllazërimit ndërmjet gjithë njerëzve, përpjekjen e palodhur në promovimin e vlerave të vëllazërimit njerëzor e në vendosjen e dialogut ndërmjet ndjekësve të feve të ndryshme, si bazë për të arritur paqen, për të cilën kemi etje të gjithë”. “Vëllai im Papa Françesku, - shkruan Imami i Madh, me të cilin Ati i Shenjtë nënshkroi në Abu Dabi, Dokumentin e njohur për Vëllazërimin Njerëzor - bota jonë sot është plot sfida, konflikte dhe vështirësi në të gjitha nivelet - morale, ekonomike dhe shoqërore - gjë që ua shton vuajtjet njerëzve; prandaj, është e madhe përgjegjësia e liderëve dhe e një figure emblematike koherente si ju, për të lehtësuar vuajtjet e të shtypurve. I lutem Zotit t’i bekojë përpjekjet tuaja në kërkim të paqes dhe të na ndihmojë, së bashku me ju dhe me të gjithë ata që e duan të mirën, të kryejmë detyrën tonë fetare dhe morale për të promovuar paqen dhe për të konsoliduar mirëkuptimin e solidaritetin e ndërsjellë”. Së fundi, Al-Tayyeb i uron Papës Françesku shëndet, mirëqënie e lumturi, së bashku me bekime prej Zotit, që çdo nismë e përbashkët me myslimanët, drejt vëllazërimit njerëzor, të kontribuojë në arritjen e sigurisë, të qetësisë, të bashkëjetesës e të qëndrueshmërisë në botë.
Kryeipeshkvi anglikan: Françesku di të shohë në zemrën e njeriut
“Herën e parë, që e takova Papën Françesku ishte rreth dy-tre muaj pasi fillova mandatin dhe isha shumë nervoz”, tregon, në dëshminë e urimin e tij, kryeipeshkvi anglikan e Canterbury-t, Justin Welby. “Nuk kisha takuar kurrë një Papë, nuk dija çfarë të mendoja, nuk e dija ç’njeri ishte. Hymë, u ula, dhe ai më tha: ‘Unë jam më i madh se ti...’, e mendova: ‘O Zot, ai do të jetë nga ata...’. Ndërsa ai shtoi: ‘… prej tri ditësh!’. Sepse e kishte filluar papninë tri ditë para se ta filloja unë detyrën. Ai fillim më tha shumë për Papën Françesku”.
Kryeipeshkvi anglikan vë në dukje humanitetin e Françeskut, aftësinë për të thënë të vërtetën, pa kompromise e, faktin se i jep çdo njeriu një vlerë të pafundme. Gjithashtu, nënvizon se të qenit jezuit e bën Atin e Shenjtë të ketë një botëkuptim moral të ndryshëm nga të tjerët, një këndvështrim të veçantë, sepse “ai sheh zemrën e njeriut e gjen mënyra për të dashur, të cilat arrijnë të zhbllokojnë edhe ato pjesë të zemrës, që janë ngurtësuar”. Së treti, Justin Welby vë në pah thjeshtësinë e Papës Françesku, për të përfunduar se në personin e tij gjendet “një thellësi e një bekim për gjithë Kishën, jo vetëm për Kishën Katolike romake”.