Më 3 mars kalendari rkujton shën Marinin e Cezaresë, martir
R.SH. / Vatikan
Më 3 mars kalendari përkujton shën Marinin e Cezaresë, martir. “Marin” do të thotë “njeri i detit” e, në kalendarin kishtar, gjejmë 14 shenjtorë, të cilët në mënyra nga më të ndryshmet, e bënë të njohur këtë emër: disa duke u martirizuar për dashuri të Krishtit, të tjerë me një jetë rregulltare shembullore.
Nga të 14-tët, është Shën Marini i Riminit, oshënar që jetoi në shekullin IV. Pajtori qiellor i Riminit, që festohet me 3 shtator, qe gurgdhendës i krishterë, i ardhur në Ariminun (sot Rimini) së bashku me shokun e udhës, Leonin (nga i cili vjen emri Rocca), për të punuar në port, në kohën e perandorit Dioklecian. Konsiderohet si themelues i shtetit të vogël të San Marinos, të cilit i dha edhe emrin.
Ndërsa Shën Marini, që përkujtohet sot më 3 mars, është më popullori. Historinë e martirizimit të tij na e tregon historiani Euzebi i Cezaresë. “Asokohe të gjitha kishat gëzonin paqe”...me këto fjalë e fillon Euzebi rrëfimin mbi martirizimin e shën Marinit, oficer i ri i ushtrisë perandorake, në Cezare të Palestinës. Në sajë të aftësive të tij, Marini u emërua në postin e lartë të centurionit, të cilin e lakmonin edhe shumë të tjerë. E paditën, prandaj, si të krishterë, sepse nuk kishte pranuar të flijonte në nder të perandorit. Kur u pyet para gjykatës, ai pohoi, pa iu dridhur zëri: “Po, jam i krishterë!”.
Gjykatësi i dha tri orë kohë për t’u menduar. Si doli nga gjykata, Marini takoi ipeshkvin Teotekno, i cili e mori për dore dhe e çoi në Kishë, ku i tregoi me gisht shpatën që i varej në ijë, dhe Ungjillin në elter. Ai zgjodhi pa ngurrim Ungjillin. E ipeshkvi i tha: “Të jesh pra i Zotit, me Zotin, i fortë në hir. Vijo rrugën që zgjodhe e shko në paqe!”. E ai shkoi. Tri orët kishin kaluar. I ulur rishtas në bankën e të akuzuarit, e dëshmoi edhe më me bindje fenë e tij në Jezu Krishtin. E ata nuk pritën gjatë, por e mbytën Marinin aty për aty.