Kërko

At Benedikt Dema, françeskan e studiues, në përvjertorin e vdekjes

Në një kënd të një fugure të Krishtit Fëmijë, At Benedikt Dema më 19.5.1942, shkruante: “Kur ket figurë të kesh shikjue/ndalu pak e lutu për mue”. Figura e Krishtit qe pikё qendrore e motoja e jetës së tij si rregulltar meshtar françeskan dhe si studiues. “Fjalori i shqipes”, krahas me “Fjalorin enciklopedik”, përgatitur në shtatë vëllime, janë dy prej veprave më të rëndësishme filologjike të At Benedikt Demës

R.SH. - Vatikan

Më 22 mars 1971 ndërroi jetë At Benedikt Dema, françeskan e studiues i madh. Në një kënd të një fugure të Krishtit Fëmijë, At Benedikt Dema më 19.5.1942, shkruante: “Kur ket figurë të kesh shikjue/ndalu pak e lutu për mue”. Figura e Krishtit qe pikё qendrore dhe motoja e jetës së tij si rregulltar françeskan, meshtar dhe studiues. 

At Benedikt Dema, prifti që donte të botonte një fjalor në vitin e shkatërrimit të Kishave

nga Admirina Peçi

Mes qershorit të vitit 1967, një françeskan meshtar i urtë e i ditur, luftonte të botonte një fjalor. Ishte viti kur shteti shqiptar komunist mbylli të gjithë objektet fetare dhe ndaloi ndjekjen e riteve të tyre. Duket, At Benedikt Dema, kishte zgjedhur kohën e gabuar për t’i bërë një kërkesë shtetit shqiptar.

Vepra madhore ishte puna e tij e palodhur, ditë e natë, që prej vitit 1949. Plot 18 vjet duke kërkuar fjalë, shpjegime e variante të shumta. Në këtë fjalor donte të përfshinte një lëndë të gjerë me karakter enciklopedik, përgatitur në shtatë vëllime (të cilat sot ruhen në daktiloshkrim në Arkivin Qendror Shtetëror). Vetë kjo vepër është origjinale në llojin e vet, duke bashkuar qëllimin për një enciklopedi shqiptare, që ende mungonte, me nevojën për fjalorë të terminologjisë sipas fushave, që gjithashtu ishin në kërkim.

Pikërisht në 18 qershor 1967, At Benedikt Dema po përpiqej të përfundonte rishikimet e kapitullit të fundit dhe të niste çapitjet për botimin e kësaj vepre. Por diçka e papritur i kishte ndodhur. Disa të dërguar nga Komiteti Ekzekutiv i rrethit të Shkodrës, ia kishin behur në portën e At Benedikt Demës dhe drejt e tek biblioteka e tij. Kishin marrë një pjesë të madhe të librave të tij dhe ishin larguar. Ai më kot priste t’i ktheheshin ato libra, mungesa e të cilëve i kishte lënë në mes punën me fjalorin që donte ta përfundonte. Në një letër, ku zotëron një shkrim i imët e i rregullt, ai lutet që t’i kthehen ato libra, lutet e beson se do ta botojë fjalorin e tij, të mos i ndërhyjnë në dialektin gegnisht që ka përdorur, të pranohen format gjuhësore që ka parashtruar në vepër, edhe pse janë pak ndryshe nga botimet e kohës, madje mendon të asistojë në kohën që ai të shtypet, për të ndihmuarnë përftimin e një botimi të bukur estetikisht.

Një letër e gjatë, si një pikturë, plot minifigura, dërguar Institutit Shtetëror të Shkencave në Tiranë, një letër që duket nuk u mor parasysh kurrë. Askush nuk i ktheu përgjigje dhe drejtuesit e Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës nuk ia kthyen librat e tij. Fjalori enciklopedik i At Benedikt Demës vetëm këto vite u shkund nga pluhurat dhe harresa. Ndërkohë që ngrihej e plotësohej fondi arkivor i tij me emrin Benedikt Dema, me numër 618, studiuesja Lila Plasari ndërsa shfletonte çdo ditë dorëshkrime e dokumente të At Benediktit, këmbënguli dhe e ktheu vëmendjen tek kjo vepër madhore. Nisur prej këtij fjalori, në kërkime më të hollësishme nëpër dosjet e fondit personal të At Benedikt Demës në Arkivin Qendror Shtetëror, gjetëm edhe këtë letër, shkruar bukur dhe me kujdes prej tij, mbushur plot sqarime e lutje. E kemi shkëputur nga dosja me numër 22 dhe po e botojmë të plotë bashkë me faksimilen e dokumentit origjinal.

Një fëmijë… që u bë prift

Në botën e pader Benediktit, duket po zbulohen pak nga pak anë të panjohura nga jeta dhe vepra e tij, për të cilat gjithnjë është heshtur. Të dhënat kryesore nga jeta e tij i zbulojmë nga konsultat me studiuesen Lila Plasari, dhe në një vëzhgim të dom Nikë Ukgjini dhe studiuesit prof. dr. Shaban Sinani.

At Benedikt Dema, i pagëzuar me emrin e ungjilltarit Mark, qe fëmijë i Pjetër Demës dhe nënës Roza. U lind në Boriç të Shkodrës më 28 prill 1904. Mësimet fillestare i mori në shkollën fillore françeskane pesëvjeçare në Shkodër, e cila vepronte në këtë qytet qysh në vitin 1861. Marku i vogël, pasi përfundoi ciklin e ulët të shkollimit, kishte shprehur dëshirën dhe ishte regjistruar kandidat për t’u bërë rregulltar i Shën Françeskut.

Pas përfundimit të kandidaturës, veshi petkun (zhgunin) françeskan më 12 shtator 1920. Njëherit me këtë rast, në shenjë përkushtimi dhe për të dëshmuar fillimin e një jete të re, e ndryshoi emrin e trashëguar (Mark) dhe zgjodhi emrin “Benedikt”, si emër priftërie. Më pas kaloi nëpër stacionet e domosdoshme të rrugës së rregulltarisë, duke hyrë fillimisht në rishtari a noviciat të françeskanëve, që asokohe ishte në Rubik të Mirditës. Pas kësaj prove njëvjeçare, më i bindur për zgjedhjen e rregulltarisë, bëri “kushtet e përkohshme” të jetës rregulltare në Shkodër para Eprorit të lartë (“Provinçijalit”) At Pal Dodaj, më 13 shtator të vitit 1921. Me këtë rast mori emrin “vëlla” (frater, frat) Benedikt.

Për ta vazhduar jetën e mëtejshme të rregulltarisë dhe më vonë për t’u bërë edhe meshtar,  At Benedikt Dema duhej të përfundonte shkollimin përkatës. Po në këtë vit ai filloi studimet në gjimnazin françeskan publik, i cili i kishte hapur dyert për nxënës të krishterë dhe myslimanë qysh në shtator të vitit 1921. Programi-model i përzgjedhur prej drejtuesve të kësaj shkolle ishte ai austriak. Në të vërtetë, nga pikëpamja programore dhe e strukturës së formimit, kjo shkollë ishte gjimnazi i parë në Shqipëri. Për vite me radhë atë e drejtoi At Gjergj Fishta. Më 1924 në këtë gjimnaz klasik At Benedikt Dema përfundoi me sukses maturën.

Pas diplomimit, për të thelluar dijenitë teologjike, nga eprorët e tij qe dërguar për studime universitare në Fakultetin Filozofiko-Teologjik në Antoniano në Romë, së bashku me At Anton Fishtën, At Donat Kurtin dhe At Konstandin Konajn. Ndërsa vazhdonte studimet universitare, mori vendimin t’i kushtohet tërësisht Urdhrit të Shën Françeskut, duke dhënë “kushtet e përjetshme”. Kjo ndodhi më 28 prill 1925. Në përfundimin e studimeve pesëvjeçare, filozofike dhe teologjike u shugurua meshtar më 7 prill 1928, në Romë. Pas disa viteve, në të njëjtin fakultet, u diplomua pikërisht në ditën e Shna Ndout, më 24 korrik 1937.

Studiuesi dhe mësuesi

At Benedikt Dema, duke qenë se merrej me punë intelektuale, për një kohë të gjatë qëndroi përbrenda rrethit të “kuvendit të françeskajve”. Prej vitit 1937 deri më 1946 kreu detyrat e udhëheqësit të gazetës “Zani i Shna Ndout”, që ishte nënfletë e revistës së mirënjohur “Hylli i Dritës”. Më pas, drejtues dhe profesor i liceut (gjimnazit) “Illyricum”, si dhe drejtues i shtypshkronjës “At Gjergj Fishta”. Në detyrën e profesorit të gjimnazit ai hartoi tekstet mësimore për lëndën e matematikës. Paralelisht, në klasat e nalta jepte lëndën e gjeografisë dhe atë të mësimit të fesë. Njihej si një pedagog rigoroz, që “nuk falte”, sa u takonte kërkesave të mësimdhënies.

Kishte një shkrim të bukur e të imët, gati si punë piktori, që kontrollon çdo vizë e çdo gërmë. Shkrimi i tij, me një pasuri grafematike të jashtëzakonshme, është objekt studimi më vete për shkencën e fonologjisë, të fonetikës, të dialektologjisë dhe të historisë së shkrimit. Nëse paleografët kanë mundësi dhe arrijnë të gjejnë tek mjeshtëria e bukurshkrimit, mjeshtëria e skribëve, një formë arti të aplikuar, ashtu mund të gjejnë neografët estetikë shkrimi në tekstin e dorëshkruar të At Benedikt Demës. Shkrimi i tij është gjithashtu objekt studimi për psikologjinë e tekstit, objekt i psiko-kritikës, i raporteve mes emocionit dhe ekzigjencës.

Në Kuvendin e Françeskajve

Në vitin 1946, pas mbylljes së shkollave françeskane nga regjimi komunist që u vendos, At Benedikt Dema jetën në vazhdim e kaloi brenda dyerve të “kuvendit të françeskajve”, duke mos i ndarë asnjëherë shërbimet e meshtarisë me pasionin për studime, derisa për një kohë mund të cilësohet “i ndrymë në studime”. Disa vite më vonë, për shkak të nevojave baritore, u caktuar famullitar në Brigje të Hotit, ku veproi prej vitit 1952 gjer më 1962. Periudha e fundme e shërbimit të tij si meshtar i takon famullisë kishtare të Bajzës, dhe kjo kohë nga viti 1962 gjer në mbylljen e Kishave në Shqipëri në vitin 1967.

Në të gjithë punën studimore të At Benedikt Demës, kryepëlqesa e tij ishte gjuha shqipe, pasuria leksikore dhe kuptimore e saj. Kjo kryepëlqesë e çoi vetvetiu tek hartimi i fjalorëve. Fatmirësisht, në vitin e ndalimit përfundimtar të faltoreve dhe mandej të shkatërrimit të tyre, ai e kishte përfunduar punën e mundimshme për hartimin e “Fjalorit enciklopedik”, përgatitur në shtatë vëllime, që ruhet në daktiloshkrim në Arkivin Qendror Shtetëror. Vetë kjo vepër është origjinale në llojin e vet, duke bashkuar qëllimin për një enciklopedi shqiptare, që ende mungonte, me nevojën për fjalorë të terminologjisë sipas fushave, që gjithashtu ishin në kërkim.

Ditët e fundit

Edhe pse nuk u prek drejtpërsëdrejti prej përndjekjes që shteti komunist u bëri klerikëve, sidomos klerit katolik, At Benedikt Dema e vuajti shpirtërisht goditjen që iu dha kultit në përgjithësi dhe Kishës katolike në veçanti. Vitet e fundit i përcolli në Shkodër, duke gjetur strehë tek e motra, Luçia Luigj Prela; ndërsa ditët e mbramë të jetës i kaloi në sanatoriumin e Shkodrës, gjithmonë në lutje e përvujtni, gjithmonë pranë një tavoline të vogël pune, duke mos iu ndarë studimeve deri në pragun e vdekjes, e cila i erdhi më 22 mars 1971.

Më 19. 5. 1942, në një kënd të portretit të Krishtit fëmijë, At Benedikt Dema shkruante: “Kur ket figurë të kesh shikjue/ndalu pak e lutu për mue”. Me sa duket, kjo qe motoja e tij. At Benedikt Dema paraqet tipin e një dijetari me vullnet të fortë dhe gjithmonë kryeulët në studime. Në gjithçka kërkonte saktësi klasike, prandaj në “kuvendin e françeskajve” zakonisht thirrej pedant, ndërsa në të vërtetë ai ishte një njeri me kërkesa enciklopedike. Kishte aftësitë t’u jepte kuptim teorik-përgjithësues edhe problemeve më të thjeshta.

At Dema paraqitet si zotërues i gjuhës klasike: greqishte e latinishte; i gjuhëve të qytetërimeve të reja, si italishtja, frëngjishtja dhe gjermanishtja. Në “Hyllin e Dritës” ai ka botuar më tepër se 50 artikuj e studime shkencore dhe publicistike, duke përdorur si nënshkrime dhe pseudonimet: “Ben-dea” dhe “P.B.D”. “Fjalori i shqipes”, krahas me “Fjalorin enciklopedik”, janë dy prej veprave më të rëndësishme filologjike të At Benedikt Demës.

22 mars 2023, 09:36