Ukrainë, asambleja e OKB-së voton për tërheqjen e Rusisë. Plani kinez i paqes
R.SH. – Vatikan
Një vit më parë, në orën 05:05 me orën lokale, në orën 04:00 në trojet shqiptare, filloi lufta në Ukrainë, me bombat e para të hedhura nga forcat ajrore ruse në qytetet e vendit fqinj, i cili u pushtua edhe nga trupat tokësore të Kremlinit. E filloi numërimi i viktimave të konfliktit, që Moska mendonte se do të përfundonte brenda pak ditësh. Dymbëdhjetë muaj më vonë, lufta vijon ende e numri i viktimave, civile dhe ushtarake, veçse shtohet.
Plani i Kinës: respekt për sovranitetin dhe jo armëve bërthamore
Pikërisht sot, qeveria kineze paraqiti një plan paqeje me dymbëdhjetë pika: e para bën thirrje për respektimin e "sovranitetit kombëtar të të gjitha vendeve". E teta nënvizon se “armët bërthamore nuk mund të përdoren” e as ato biologjike dhe kimike. Kina i kërkon Rusisë dhe Ukrainës "të respektojnë rreptësisht të drejtën ndërkombëtare humanitare, duke shmangur sulmet kundër civilëve, ose kundër strukturave civile", por nuk është dakord me asnjë “sanksion të njëanshëm, që nuk autorizohet nga Kombet e Bashkuara". Pekini nxit të arrihet armëpushimi dhe fundi të luftimeve në Ukrainë, sepse lufta "nuk parashikon fitimtarë" dhe bën thirrje që të shmanget mundësia që kriza të dalë jashtë kontrollit, duke “e mbështetur Rusinë dhe Ukrainën" të rifillojnë dialogun.
Rezoluta e OKB-së: tërheqje e menjëhershme e Rusisë
Pak orë më parë, në vigjilje të përvjetorit të pushtimit, Kina, India dhe 30 vende të tjera abstenuan gjatë votimit për rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, miratuar me 141 vota pro, me të cilën ftohet Rusia të tërhiqet “pa kushte dhe menjëherë" nga Ukraina, për një paqe "gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme", në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara. Teksti, i cili pati 7 vota kundër (Rusia, Bjellorusia, Siria, Koreja e Veriut, Eritrea, Mali, Nikaragua), ripohon "impenjimin për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht".