Tërmeti në Turqi e Siri, ipeshkvi i Halebit: “Nuk e kemi parë kurrë një gjë të tillë”
R.SH. / Vatikan
Tërmeti, që tronditi Turqinë jugore dhe Sirinë qendro-veriore në orën 4:17 me orën lokale të së hënës, 6 shkurt, është më shkatrrimtari në tetë shekujt e fundit. Njoftimin e jep Marlène Brax, drejtoreshë e qendrës libaneze të gjeofizikës, e intervistuar nga gazeta libaneze L'Orient-Le Jour, duke rikujtuar se tërmeti ishte me magnitudë 7.8 ballë të shkallës Rihter, me epiqendër në jug të Turqisë.
Ipeshkvi Kaldeas i Halebit përshkruan, për agjencinë e lajmeve Fides "një qytet me dy milionë e gjysmë banorë pa energji elektrike, pa ujë e pa ngrohje. Bën shumë ftohtë e dimri është tejet i ashpër - tregon - Shoh njerëz që ecin gjysëm të ngrirë rrugës, ose mbyllen në makina. Janë tejet të frikësuar, nuk e dinë se çfarë do të ndodhë, sepse ndoshta tërmeti nuk ka mbaruar akoma e thuhet se mund të vijnë lëkundje të reja, të forta dhe shkatërrimtare”. Në të vërtetë, një tërmet i ri me magnitudë 7.6 u regjistrua në provincën jugore turke të Kahramanmaras në orën 13:24 me orën lokale dhe u ndje edhe në Damask.
Në Siri, numri i përkohshëm i raportuar nga burime zyrtare siriane, fatkeqësisht në pritje që të rritet, tani për tani flet për 371 viktima dhe më shumë se një mijë të plagosur nga tërmeti. Qindra viktima të tjera tashmë po numërohen në zonat siriane, jashtë kontrollit të qeverisë së Damaskut. Tërmeti nuk po i kursen as kishat e zonës. Nga Turqia, ipeshkvi Paolo Bizzeti, Vikar Apostolik i Anadollit, njoftoi se Katedralja e Iskenderunit u shemb dhe në atë qytet u shkatërruan edhe kishat e bashkësive siro- ortodokse dhe ortodokse. Arqipeshkvi Melkite Georges Masri u nxor i gjallë nga rrënojat, por famullitari i tij është nën mbeturinat e ndërtesës së shkatërruar, ende i pagjetur”.