Kërko

Tërmeti: në Turqi e Siri ende gërmohet. Mbi 34 mijë viktima

Një javë pas tërmetit që goditi të dyja vendet, ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë të gërmojnë nëpër rrënoja në përpjekje për të nxjerrë akoma njerëz të gjallë. Bilanci i deritanishëm i kapërcen 34.000 të vdekurit, por sipas OKB-së kjo shifër do të rritet më tej. Ndër zonat më të prekura nga tërmeti është ajo e Halebit, në veriperëndim të Sirisë

R.SH. – Vatikan

 Janë mbi 34.000, viktimat e konfirmuara të tërmetit, që shkatërroi Turqinë dhe Sirinë. Bilanc, që rritet në mënyrë dramatike, çdo orë. Por ka ende njerëz, që nxirren gjallë nga rrënojat: të fundit që u shpëtuan janë një fëmijë dhe një grua në Turqi, pas 163 orësh.

Arrestime në Turqi

Më se 32 mijë vetë po ndihmojnë në operacionet e kërkim-shpëtimit, së bashku me 8.294 të huaj. Ndërkaq, autoritetet turke kanë arrestuar më se 100 ndërtues, duke i akuzuar si përgjegjës për shembjen e shtëpive të ndërtuara prej tyre.

Mjeku i Halebit: kemi nevojë për ndihma

Ndër zonat më të prekura nga tërmeti është ajo e Halebit, në veriperëndim të Sirisë, një nga qytetet më të prekura nga lufta, e cila vijon që nga viti 2011. Drejtori i përgjithshëm i spitalit Al Arjaa (Shpresa), mjeku Emile Ketty, nënvizon në mikrofonin e Radio Vatikanit se qyteti ka shumë nevojë për ndihma dhe përshkruan gjendjen aktuale:

Gjendja në Haleb është dramatike. Shkatërrimet janë kryesisht në qendër dhe në qytetin e vjetër. Lëkundja ishte vërtet shumë e fortë. Nuk kemi ende statistika të sakta për numrin e të vdekurve, por mendojmë për rreth 300-350 viktima në qytetin e Halebit. Të plagosurit janë rreth 1500-2000, por këto janë të gjitha shifra të përkohshme, sepse mund të gjenden ende njerëz të tjerë nën rrënoja. Shumë njerëz kanë mbetur pa strehë, rreth një milion - një milion e gjysmë në Haleb dhe pesë milion e gjysmë në gjithë Sirinë – prandaj, kemi të bëjmë me një dramë njerëzore, mjekësore dhe shoqërore, sepse kishat, manastiret, xhamitë dhe shkollat ​​tani ata janë të hapura për të strehuar njerëzit, ka një valë solidariteti nga ana e popullit, por me kalimin e kohës do të duhen struktura dhe zgjidhje më të rëndësishme, ose ndërkombëtare për të ndihmuar këtë milion e gjysmë njerëzish.

Ju punoni në spital. Kush vjen aty? Cilat janë problematikat më të rënda?

Kur ndodhi tërmeti, ata që shkuan në vijën e parë të frontit ishin automjetet e shtetit për të gërmuar në rrënoja dhe autoambulancat. Dy spitalet shtetërore në Haleb trajtuan shumë njerëz, bënë shumë operacione. Jemi në Halebin e ri, ndërtesat këtu janë më të forta, kështu që ditët e para erdhën njerëz të lagjes, që ranë nga shkallët ose në rrugë, kështu që nuk kishin patologji të rënda. Ka shumë fëmijë, rreth dhjetë kanë mbërritur sot dhe duke qenë se rrugët dhe çadrat nuk kanë ngrohje, ata mezi marrin frymë - sidomos foshnjat që kanë nga një deri tre muaj - ose kanë infeksione në zorrë, për shkak të të ftohtit dhe të ushqimit të keq. Kemi nevojë për ilaçe e për materiale kirurgjikale të urgjencës. Për fëmijët, duhet qumësht dhe ushqime, sidomos ngrohje. Pastaj, dyshekë, batanije e soba për t’u vendosur pranë dyshekëve, sepse tani, bën vërtet shumë ftohtë.

13 shkurt 2023, 15:15