Tërmeti: më se 22 mijë të vdekur. Mbërrijnë ndihmat edhe në Siri
R.SH. – Vatikan
Rritet më tej bilanci i tmerrshëm i tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë. Numri i të vdekurve e ka kapërcyer 22 mijëshin, me më se 18 mijë viktima vetëm në Turqi. Mbrojtja Civile turke AFAD njofton se janë ngritur 97 mijë tenda familjare. Të plagosurit janë më se 75 mijë vetë. 53 vende kanë dërguar skuadra ndihme, që po punojnë për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat. Gjithsej, numri i të huajve në skuadrat e kërkim-shpëtimit e ka kaluar 6 mijëshin. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan premton se “askush nuk do të mbetet pa shtëpi” dhe siguron se rindërtimi do të përfundojë brenda një viti. Gjithashtu, premton rreth 500 euro për çdo njeri të prekur nga tërmeti.
Siri, lehtësohen sanksionet
SHBA-të njoftojnë për një paketë fillestare prej 85 milionë dollarësh për të ndihmuar Turqinë dhe Sirinë të rimëkëmben nga tërmeti shkatërrimtar, duke parashikuar edhe heqjen e përkohshme të disa sanksioneve kundër Damaskut. Financimi, informon Agjencia Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, do t’u jepet partnerëve në terren, të cilët do t’u japin ndihmë urgjente miliona njerëzve, duke përfshirë ushqimin, strehimin dhe shërbimet shëndetësore të emergjencës.
Parashikohet edhe sigurimi i ujit të pijshëm dhe i kanalizimeve, për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve. Në Siri mbërriti karvani i parë i ndihmave për zonat rebele, përmes korridorit humanitar Bab al-Haëa, aktualisht i vetmi: gjashtë kamionë me batanije, dyshekë, tenda, materiale ndihmëse dhe llamba diellore. Turqia deklaron se do të hapë dy pika të tjera kufitare, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres është treguar i gatshëm të dërgojë ndihma ndërkombëtare edhe përmes kalimeve të tjera, siç po bëjnë aktualisht Rusia, Irani dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Së fundi, Banka Botërore njofton për një paketë prej 1,78 miliardë dollarësh ndihma për Turqinë.