Kërko

Tërmeti në Turqi Tërmeti në Turqi

Tërmeti: gati 41 mijë viktima në Turqi e Siri. Unicef: miliona fëmijë kanë nevojë për ndihmë

Vazhdojnë gërmimet: fëmijë, gra e burra gjenden ende gjallë. Unicef: dhjetra shkolla e spitale të shkatërruara. Mijëra jetimë. Erdogan: “6 mijë vetë nxirren të gjallë nga rrënojat

R.SH. – Vatikan

Shtatë ditë pas dy tërmeteve shkatërrimtare dhe më se 1600 lëkundjeve të mëpasme në Turqinë juglindore dhe në Siri, me një bilanc, që aktualisht ka arritur në më se 41 mijë viktima, UNICEF-i njofton se miliona fëmijë kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare.

Në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi jetojnë rreth 4,6 milionë fëmijë, ndërsa rreth 2,5 milionë të tjerë në Siri. Numri i fëmijëve të vrarë e të plagosur gjatë tërmetit nuk është konfirmuar ende, por mund të jetë disa mijëra. Shumë kanë mbetur jetimë. Kanë humbur jetën, janë plagosur, ose janë detyruar të shpërngulen shumë nga personeli i kërkim-shpëtimit dhe i organizatave partnere të Unicef-it. Zyrat dhe mjetet e përdorura prej tyre janë shkatërruar, dëmtuar, ose janë jashtë përdorimit.

“Fëmijët dhe familjet në Turqi e Siri po përballen me vështirësi të paimagjinueshme, si pasojë e këtyre tërmeteve shkatërruese”, deklaroi drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell. “Duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë për t’u siguruar që të mbijetuarit nga kjo katastrofë të përkrahen me ndihma, si uji i pijshëm, kanalizimet, furnizimet me ushqime e me mjete shëndetësore, si edhe duhet menduar për shëndetin mendor të fëmijëve. Jo vetëm tani për tani, por edhe në planin afatgjatë”.

14 shkurt 2023, 13:17