Kërko

Tërmet në Turqi, imzot Bizzeti: në Iskenderun u rrëzua katedralja, “shkatërrim i plotë”

Vikari i Anadollit dhe kryetari i Karitasit të Turqisë njofton për mobilizimin e organizatave të krishtera, të cilat duhet të çojnë ndihma për popullsinë në vështirësi. Tërmeti ndodhi papritur e shkaktoi “dëme serioze, tejet të shtrira”. U shkatërrua pista e aeroportit të Hatajit, janë goditur edhe spitalet. Dëshmia e imzot Audos nga Halebi

R.SH. – Vatikan

"Fatkeqësi e përgjithshme". Me një fjali, të shkurtër e dramatike, famullitari i Anadollit, imzot Paolo Bizzeti i tregon agjencisë katolike AsiaNews për tërmetin, që goditi Turqinë gjatë natës, duke shkaktuar qindra të vdekur edhe në Sirinë fqinje. Prelati ndodhet në Itali këto ditë, për një sërë takimesh, por për orë të tëra ka kontaktuar besimtarët dhe bashkëpunëtorët e zonës - për aq sa është e mundur, për shkak se linjat bien vazhdimisht e komunikimet ndërpriten. "Katedralja e Vikariatit në Iskenderun [kisha e Lajmërimit të Zotit, ndërtesë e shekullit të 19-të] është shembur", shton ai, "të gjitha ndërtesat janë të papërdorshme", por tani për tani në bashkësinë lokale të krishterë "nuk ka viktima".

Prelati është edhe kryetar i Karitasit të Turqisë, prandaj, menjëherë njoftoi fillimin e mbledhjes së fondeve për të ndihmuar popullsinë vendase. “Tërmeti ra në mesin e natës, ishte pak pas orës 4 të mëngjesit” dhe kapi në “befasi” shumicën e njerëzve, që flinin në shtëpitë e tyre. “Ngjarje katastrofike” shton ai, madje edhe tani “frika është e madhe” për goditjet e mëtejshme të tërmetit, që ndjekin atë kryesor.

Gjatë këtyre orëve në Itali, është në kërkim të një bilete për t'u kthyer menjëherë, edhe John Farhad Sadredin, përgjegjës për Karitasin e Anadollisë. “U përpoqa të lidhesha me disa persona – tregon ai për AsiaNews – por deri vonë zona të tëra ishin të izoluara dhe nuk mund të komunikohej me telefon”. “Po strehojmë rreth shtatëdhjetë njerëz të mbetur pa shtëpi – vazhdon Farhad – në një kishë dhe në konviktin” e bashkësisë kishtare. Në qytetin, që dikur njihej si Aleksandreta, “dëmet janë të rënda dhe mjaft të përhapura”.

“Tërmeti kryesor ra pak pas orës 4 të mëngjesit, numri i viktimave në të gjithë rajonin është tejet i madh, disa ndërtesa janë shembur dhe në njërën prej tyre mungon edhe një anëtar i bashkësisë sonë në Antioki”. “Janë shembur së paku 200 ndërtesa, po përpiqen të gjejnë viktimat. Muri dhe çatia e kishës siriake janë rrëzuar; është shembur edhe kisha ortodokse e nën rrënoja ka policë. Po bëhen kërkime – përfundon ai – ndërkohë që ne po përpiqemi të gjejmë një biletë për t’u kthyer, por pista e aeroportit të Hatajit, që u shërben qyteteve Antakia [Antiokia e lashtë] dhe Iskenderun është shkatërruar. Dëme regjistrohen edhe në spitalet e dy qyteteve dhe në komisariat”.

Ndërkohë, numri i të vdekurve nga tërmeti 7,8 ballësh (disa burime flasin për 7,9 ballë të shkallës Rihter), që goditi Turqinë dhe Sirinë vazhdon të shtohet. Vala u ndie edhe në Liban, Izrael e Greqi. Në Turqi, numri i të vdekurve ka arritur në 284 vetë, por shifra vazhdon të rritet me kalimin e minutave. Numri i të plagosurve e ka kapërcyer 2300-shin, por vlerësimi është i pjesshëm. Sipas disa ekspertëve, tërmeti mund të jetë më i rëndi në historinë e vonë të vendit, me të paktën 40 goditje të mëpasme, regjistruar tashmë.

Në një notë, presidenti turk Recep Tayyp Erdogan njoftoi dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit "në rajonet më të prekura. Shpresojmë t'i mbijetojmë sa më shpejt kësaj fatkeqësie - shtoi ai - me sa më pak dëme”. Në Gaziantep, pranë epiqendrës, u shkatërrua kalaja historike, një nga simbolet më të njohura të qytetit dhe në të gjithë vendin është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme. Në Sirinë fqinje, ku presidenti Bashar al-Assad mblodhi urgjentisht funksionarët përgjegjës, numri i viktimave është 427 (plus 120 të tjera në zonat e kontrolluara nga rebelët), ndërsa numri i të plagosurve e ka kaluar 600-shin. Janë goditur guvernatoratet e Halebit, Homsit, Latakias dhe Hamas.

“E ndiemë qartë tërmetin”, thotë për AsiaNews imzot Antoine Audo, ipeshkvi kaldeas i Halebit dhe ish-kryetar i Karitasit Sirian. “Kishim shumë frikë, dëgjuam tri lëkundje tejet të forta në më pak se dy minuta. Shumë kanë vdekur në Siri, të dhënat zyrtare përditësohen vazhdimisht. Dëme ka në Haleb, Tartus, Idlib dhe në shumë qytete të tjera, ku janë shembur shumë ndërtesa. Këtu në ipeshkvi kanë rënë gurë nga xhamia aty pranë, pasi një pjesë e minares është shembur. Dëme ka në të gjithë qytetin. Fillimisht, lufta e, tani, tërmeti... duhet të bëjmë vlerësimet e para, pastaj, me organizatat e ndryshme të krishtera, do të çojmë ndihma për popullsitë e prekura”.

06 shkurt 2023, 17:07