Kërko

Il cimitero ebraico di Opatow in Polonia da dove gli ebrei furono deportati a Treblinka  (ANSA) Il cimitero ebraico di Opatow in Polonia da dove gli ebrei furono deportati a Treblinka (ANSA)

Shtohet antisemitizmi, Selia e Shenjtë: të garantohen liria fetare dhe kodet e sjelljes në internet

Në një deklaratë drejtuar Konferencës për Luftën kundër antisemitizmit në Evropë, mbajtur më 6 dhe 7 shkurt, në Shkup, Misioni i Përhershëm në OSBE vëren se në vitet e fundit populli hebraik pësoi kufizime në kultivimin e traditave fetare dhe kërkon të mbrohet identiteti i bashkësive të ndryshme fetare në shoqëritë tona. Shqetësuese, prirja për ta banalizuar apo për ta nënvleftësuar Holokaustin. Të drejtat themelore duhet të mbrohen në internet e edhe në rrjetet sociale

R.SH. / Vatikan

“Selia e Shenjtë shqetësohet për sulmet në rritje kundër sinagogave, varrezave hebraike dhe vendeve të tjera të bashkësisë hebreje; sulmet kundër objekteve të adhurimit i kundërvihen frymës të së drejtës për lirinë e mendimit, të ndërgjegjes, të fesë a të besimit”: kjo theksohet në deklaratën e misionit të përhershëm të Selisë së Shenjtë drejtuar OSBE-së - Organizatës për sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë – lexuar nga imzot Luciano Suriani, nunc apostolik në Maqedoninë e Veriut, gjatë Konferencës për luftën kundër antisemitizmit në rajonin e OSBE-së, mbajtur më 6 dhe 7 shkurt, në Shkup.

Misioni i Selisë së Shenjtë ripohon mbështetjen e punës së Zyrës të OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut lidhur me nevojat e sigurisë së bashkësive hebraike dhe bashkësive të tjera fetare. Rikujton, në vijim, Papën Françesku që, në fjalimin e mbajtur më 8 shkurt 2021, drejtuar Trupit Diplomatik akredituar pranë Selisë së Shenjtë,  theksoi se mbrojtja e vendeve të kultit "është detyrë e autoriteteve civile, pavarësisht nga ngjyra politike dhe përkatësia fetare".

Liria fetare është themelore

Në vitet e fundit vërehet thellimi i kufizimeve në lirinë e popullit hebre për të kultivuar traditat e veta fetare dhe për të jetuar sipas ndërgjegjes - vëren Misioni i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në OSBE - duke shtuar se "disa nga kufizimet e panevojshme mbi lirinë e fesë apo të besimit duket se bazohen mbi idenë e rreme se sjelljet dhe veprimet e motivuara nga besimet fetare nuk duhet të kenë vend në shoqëritë tona”. Por liria fetare, sipas Selisë së Shenjtë, është themelore në shoqëritë laike, "si për besimtarët, ashtu edhe për jobesimtarët, pasi mbron mjedisin më intim të çdo personi dhe identitetin e bashkësive të ndryshme fetare, që jetojnë në shoqëritë tona".

Rreziku i antisemitizmit në ueb dhe në rrjetet sociale

Ajo që shqetëson Selinë e Shenjtë është prirja për ta banalizuar ose për ta minimizuar Holokaustin duke kujtuar, për shembull, konfliktet e vazhdueshme në rajonin e OSBE-së ose gjetiu: “Populli hebre vuajti shumë në periudha të ndryshme dhe në shumë vende - thuhet në deklaratën e Selisë së Shenjtë - por Holokausti ishte padyshim vuajtja më e hidhur nga të gjitha. Çnjerëzimi me të cilin hebrenjtë u persekutuan dhe u masakruan gjatë Holokaustit “nuk mund të shprehet dot me fjalë". Prandaj, për Selinë e Shenjtë "veçantia e Holokaustit e bën të papranueshme çdo formë krahasimi me fenomene të ngjashme".

Në lidhje me antisemitizmin në epokën e inteligjencës artificiale, Selia e Shenjtë vëren se me internetin dhe përhapjen e rrjeteve sociale, përmbajtjet antisemitike "mund të bëhen lehtësisht virale për shkak të amplifikimit algoritmik, me një efekt shumëfishues që nuk njihej më parë", pa mundur të identifikohen lehtësisht autorët, për këtë arsye "nëse të njëjtat të drejta që kanë njerëzit offline (jashtë linje) duhet të mbrohen online (brenda linje), detyrat dhe përgjegjësitë që kanë njerëzit jashtë linje, duhet të kërkohen edhe në internet". Selia e Shenjtë kujton se "vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet rolit të ofruesve të shërbimeve të internetit dhe shërbimeve të rrjeteve sociale", duke sugjeruar kode sjelljeje me "masa të përshtatshme ndëshkimore për shkelje, duke përfshirë edhe censurën publike" e, për rrethana të caktuara, edhe ndërhyrjen e shtetit.

08 shkurt 2023, 14:29