Shenjtorët e javës 5 - 12 shkurt
R.SH. / Vatikan
Më 5 shkurt, Kisha katolike romake kremton të Dielën e 5-të gjatë vitit kishtar ‘A‘ e gjithnjë më 5 shkurt, kalendari përkujton edhe shën Agen, virgjër e martire; shën Adelajden, abateshë dhe shën Elizabeta Kanorin, nënë familjeje.
Në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu (Mt 5,13-16), Jezusi i krahason dishepujt e vet me kripën dhe dritën. Ai është drita e botës, e kështu edhe i krishteri është dritë e botës nëse vihet gjurmëve të Mësuesit e Shpëtimtarit Hyjnor dhe nëse vepron, me e si Ai, për lavdinë e Atit Qiellor.
Të hënën më 6 shkurt, kalendari shënon përkujtimin e shën Pal Mikit me shokë, martirë japonezë dhe shën Dorotesë, virgjër e martire. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është kundër sjelljeve formale, dokeve e zakoneve meskine, krijuar nga traditat njerëzore, që ndryshojnë me kohë, sepse e zvogëlojnë shpirtin e njeriut. Zoti do që njeriu të ecë në rrugën e së mirës me vetëdije e liri të plotë.
Të martën më 7 shkurt, kalendari përkujton festën e shën Partenit, shën Rikardit e të Lumit Piu IX. Liturgjia e ditës së shenjtoreve na mëson se të gjithë ata që e preknin Jezusin, shëroheshin. E të prekësh do të thotë të jesh afër. Afërsia, formë e parë dhe themelore e marrëdhënieve me tjetrin, na kujton se edhe feja është lidhje e drejtpëdrejtë e personale me Hyjin. E ndërsa jemi në bashkim me Zotin, ai vetë na nxit t’i qëndrojmë pranë edhe të afërmit.
Të mërkurën më 8 shkurt, përkujtohen shën Jeronim Emiliani e shën Jozefina Bakita. Liturgjia e ditës na mëson se ligjet rituale janë të rëndësishme e duhen respektuar, por nuk duhet të bëhen pretekst për të kapërcyer Urdhërimet e Tënzot. Kjo do të ishte hipokrizi.
Të enjten më 9 shkurt, kalendari kujton shën Apolloninë e shën Maronin. Liturgjia e ditës na tërheq vëmendjen drejt faktit se edhe nëse gjërat e jashtme mund të na prishin, nuk duhet të harrojmë se problemi i vërtetë është brenda, në korruptimin e zemrës.
Të premten më 10 shkurt, përkujtohet shën Skolastika, virgjër, shën Silvani dhe i Lumi Alojze Stepinac. Liturgjia e ditës na kujton se ndërsa shumë ndjekës të Jezusit janë thjesht formalë e vërejnë edhe gjënë më të vogël që s’shkon, sjellja këmbëngulëse e gruas pagane shpreh karakteristikën thelbësore të fesë, që shpesh na mungon. Ungjilli na fton, pra, të mos u japim tepër rëndësi rregullave e ligjeve, por zemrës së pastër.
Të shtunën më 11 shkurt, Kisha Katolike kremton festën e Zojës së Lurdës, Zoja e mrekullive dhe e shërimit të sëmundjeve. Liturgjia e ditës na kujton se në dritën e Ungjillit i lum, çka do të thotë i shëruar është ai njeri të cilit i janë falur mëkatet. Vetëm Jezusi na liron, na bashkon dhe na nxit t’i thurim lavde veprave të Zotit. Më 11 shkurt bie edhe Dita botërore e të Sëmurit.
Të dielën e ardhshme më 12 shkurt, Kisha katolike romake do të kremtojë të Dielën e 6-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë ‘A‘ e gjithnjë më 12 shkurt kalendari përkujton shenjtorët martirë të Abitenit dhe shën Benediktin e Anianit. Liturgjia e ditës vënë në pah vëmendjen që i jepet Eukaristisë në predikimin e apostujve. Është një mrekulli, që zbulon mëshirën e Jezusit për ne dhe nevojën tonë për t’u ushqyer me bukën e jetës. Në këtë ditë, Radio Vatikanit feston përvjetorin e themelimit.