Kërko

Tutti i santi, manoscritto Tutti i santi, manoscritto

Shenjtorët e javës 12-19 shkurt

E diel 12 shkurt, Kisha kremton të dielën e 6-të gjatë vitit kishtar 'A', e po më 12 shkurt kalendari kujton shën Saturninin me shokë, martirë të Abitenes. Në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu (5,17-37) Jezusi nënvizon se nuk ka ardhur për të ndryshuar Ligjin, as për t’i ftuar njerëzit për të mos e respektuar Ligjin e Moisiut dhe profetët, por për ta plotësuar atë, për ta përsosur përmes Dashurisë. Kjo mënyrë e re u përurua nga Jezu Krishti

R. SH. - Vatikan

E diel 12 shkurt, Kisha katolike e ritit romak kremton të dielën e 6-të gjatë vitit kishtar 'A', e gjithnjë më 12 shkurt kalendari liturgjik përkujton shën Saturninin me shokë, martirë të Abitenes.  

Në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu (5,17-37) Jezusi nënvizon se nuk ka ardhur për të ndryshuar Ligjin, as për t’i ftuar njerëzit për të mos e respektuar Ligjin e Moisiut dhe profetët, por për ta plotësuar atë, për ta përsosur përmes Dashurisë. Kjo mënyrë e re u përurua nga Jezu Krishti me Pashkët e veta. Njeriu nuk e ndjek më Ligjin vetëm si normë në vetvete, por e jeton atë për të qenë vërtet i lirë. E liria është pasuria më e çmuar, që Zoti i ka dhuruar njerëzimit. 

Të hënën më 13 shkurt, kalendari kishtar përkujton të Lumin Jordanin e Saksonisë, meshtar dominikan. Liturgjia e ditës na kujton porosinë e Krishtit: “Ruhuni nga tharmi i farizejve dhe i Herodit!”. E kjo do të thotë se njeriu i drejtë, larg çdo hipokrizie e servilizmi, nuk lakmon pasuri: i mjafton ‘Buka e Zotit’, që është vetë Jezu Krishti. Në historinë e Kishës të gjitha veprat e mëdha nisin nga përvujtëria e vogëlsia e njerëzve fare të papërfillur nga bota, por tepër të pëlqyer nga Zoti.

Të martën e ardhshme më 14 shkurt, kalendari kishtar kujton shën Çirilin, murg e shën Metodin, ipeshkëv, Pajtorë Qiellor të Evropës si dhe shën Valentinin. Liturgjia e ditës na kujton se mbarë kufijtë e tokës do të shohin shëlbimin që vjen nga Zoti përmes nxënësve të tij, të cilët në rrjedhë shekujsh venë në jetë porosinë e Krishtit: “Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin!”. E Pajtorët e Evropës, që Kisha do t’i kremtojë më 14 shkurt, qenë pionierë të inkulturimit, përmes të cilit krijohen kushtet që feja të rrënjoset në çdo kulturë.

Të mërkurën më 15 shkurt,  kalendari kishtar kujton shën Onezimin, nxënës i shën Palit, shën Faustinin e shën Gjovitën, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se mbarë popujt e tokës do t’i shërbejnë Zotit, por edhe se nuk është aspak e lehtë të ecësh gjithnjë në dritën e Atij të Lumit. Na e vërteton Shën Pjetrit, i cili ishte tepër i kënaqur që mundi të shpallë se Jezusi ishte Krishti, në sa nuk donte ta pranonte se vullneti i Zotit ishte që Biri i njeriut të vuante e të vdiste në kryq.

Të enjten më 16 shkurt, kalendari kishtar kujton shën Gjylianen, virgjër e martire. Liturgjia e ditës na kujton se kush e humbet jetën për kauzën e Krishtit e të Ungjillit të Tij, ka për ta shpëtuar.

Të premten më 17 shkurt kalendari kishtar kujton Shtatë themeluesit e Urdhrit të Shërbëtorëve të Virgjërës Mari, ndërmjet të cilëve Aleks Konfalonieri. Liturgjia e ditës kujton se për të kundruar fytyrën e lumnueshme të Jezusit, sytë tanë duhet të jenë të kthjelltë e të lirë, të pa mjegulluar nga pasionet kalimtare. Por edhe kur nuk mund ta kundrojmë lumninë e tij, mund t’ia dëgjojmë fjalën e ta ndjekim pas në udhën e kryqit e të ringjalljes.

Të shtunën që vejn më 18 shkurt , kalendari kishtar përkujton të Lumin Gjovani nga Fiesole, i njohur me emrin i lumi Angjeliko, meshtar domenikan. Liturgjia e ditës na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.

Të dielën e ardhshme më 19 shkurt, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 7-të gjatë vitit liturgjik ‘A‘ e gjithnjë më 19 shkurt kalendari do të përkujtojë edhe shën Konrrad Konfalonierin. Ky vetmitar françeskan na fton të meditojmë mbi rolin e fesë e të lutjes, si mjetet më të sigurta për të ngadhënjyer mbi Djallin dhe mbi pasojat e mbrapshta të tundimeve që vijnë prej tij.

12 shkurt 2023, 09:32