Kërko

Ipeshkvi i NIkaraguas imzot Rolando José Álvarez Lagos Ipeshkvi i NIkaraguas imzot Rolando José Álvarez Lagos  (AFP or licensors)

Nikaragua u mohon nënshtetësinë 94 nikaraguanëve

Managua i shpall "tradhtarë të kombit" dhjetëra liderë të opozitës, aktualisht në mërgim. Ndërsa Bashkimi Evropian i kërkon qeverisë së vendit të Amerikës Latine “t’i shfuqizojë menjëherë” masat e shpallura kundër disidentëve, Kombet e Bashkuara kujtojnë se "askujt nuk duhet t’i mohohet arbitrarisht nënshtetësia"

R. SH. - Vatikan

Qeveria e Presidentit të Nikaraguas, Daniel Ortega, ua mohoi "përgjithmonë" nënshtetësinë nikaraguane, për "tradhti ndaj atdheut", 94 nikaraguanëve, duke përfshirë gazetarë, shkrimtarë, aktivistë shoqërorë, politikanë, klerikë dhe mbrojtës të të drejtave, aktualisht në mërgim. Njoftimin, shkruan gazeta La Prensa e Managuas, e dha Ernesto Rodriguez, kryetar i Gjykatës së Apelit të kryeqytetit, i cili i shpalli personat e përfshirë në listë, "të ikur nga drejtësia", duke shtuar edhe se pasuritë e patundshme dhe shoqëritë e tyre do të shpronësohen, për t’u bërë pronë e shtetit të Nikaraguas". Atyre u hiqet edhe çdo mundësi për të  zënë poste të rëndësishme në vend.

Papa lutet për ipeshkvin Alvarez, dënuar në Nikaragua

Masa ndëshkimore e cila, ndërmjet tjerash ka të bëjë edhe me ipeshkvin ndihmës të Managua-s, Imzot Silvio José Báez Ortega si dhe shkrimtarët Sergio Ramirez, ish-zëvendëspresident i qeverisë së parë të Ortegas dhe Gioconda Belli, merret disa ditë pas dëbimit të mbi dyqind kundërshtarëve, tani në mërgim në Shtetet e Bashkuara. Me ta duhet të ishte edhe ipeshkvi nikaraguan i Matagalpës dhe administrator apostolik i dioqezës së Estelí, imzot Rolando José Álvarez Lagos, i cili  nuk pranoi të largohej nga Nikaragua. U dënua menjëherë nga një gjykatë nikaraguane me 26 vjet burg. Papa Françesku e kujtoi dhe u lut për të në Engjëllin e së dielës, 12 shkurt, në Sheshin e Shën Pjetrit:

“Nuk mund të mos kujtoj këtu me shqetësim të thellë ipeshkvin e Matagalpës, Imzot Rolando Alvarez, të cilin e dua shumë, dënuar me 26 vjet burgim, si dhe njerëzit që u internuan në Shtetet e Bashkuara. Lutem për ta dhe për të gjithë të tjerët, që vuajnë në atë vend të dashur. E ju kërkoj edhe ju të luteni! T’i kërkojmë Zotit që, nëpërmjet ndërmjetësimit të Zojës së Papërlyer, t’i prekë zemrat e liderëve politikë dhe të gjithë qytetarëve, duke i nxitur në kërkimin e sinqertë të paqes që lind nga e vërteta, drejtësia, liria dhe dashuria dhe arrihet përmes ushtrimit të durueshëm të dialogut. Le t'i lutemi së bashku Zojës!”.

Alarmi i Kombeve të Bashkuara

OKB-ja, thellësisht "e alarmuar" nga heqja e shtetësisë së dhjetëra njerëzve, kritike kundër qeverisë së Daniel Ortega-s, kërkon respekt për të drejtat e tyre njerëzore duke pohuar se është e gatshme të ndihmojë në përcaktimin e statusit të personave të dëbuar. Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric, kujtoi se e drejta e nënshtetësisë sanksionohet në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe se "askush nuk duhet të privohet arbitrarisht prej saj", si dhe dënoi "persekutimin, a më mirë të themi, hakmarrjen kundër mbrojtësve të të drejtave të njeriut e edhe të atyre që “guxojnë” t’i kundërvihen padrejtësive të qeverisë.

Dënimi i Bashkimit Evropian

Bashkimi Evropian i kërkoi qeverisë së Managuas t’i "revokojë menjëherë" masat e shpallura kundër 94 të internuarve dhe të "ndalojë persekutimin e hakmarrjen kundër disidentëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut". "Neni 15 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut mbron të drejtën e çdo individi për nënshtetësi dhe ndalon privimin arbitrar të saj" - pohoi në një deklaratë zëdhënësi i Punëve të Jashtme dhe i Sigurisë, Peter Stano, duke vënë në dukje se "veprime të tilla janë të pafalshme dhe rrezikojnë të thellojnë izolimin ndërkombëtar të Nikaraguas”.

17 shkurt 2023, 16:12