Kërko

Psalmet Psalmet 

Ndërroi jetë këngëtari i Psalmeve, Petraq Kolevica

Ndërroi jetë Njeriu që ia këndoi Psalmet Zotit, në një kohë kur Psalmet kishin heshtur e shumica e njerëzve të pendës i këndonin diktatorit e diktaturës.

R. SH. - Vatikan

Ndërroi jetë këngëtari i Psalmeve, arkitekti i mirënjohur, që la pas një mori ndërtesash moderne, e autori i disa shkrimeve, që do t’i bëjnë ballë kohrave,  miku i lirikut të madh Lasgush Poradeci e i prozatorit të madh, Mitrush Kuteli, jetët e të cilëve na i la të skalitura në jetëshkrimet më në zë të letrave shqipe. E edhe deputeti në parlamentin e parë shqiptar të pas diktaturës, prej nga u largua shumë shpejt.

Petraq Kolevica është edhe njeriu që i këndoi shqip Psalmet e Biblës, në kohë kur Psalmet kishin heshtur e shumica e njerëzve të pendës i këndonin diktatorit e diktaturës komuniste. Ky, thënë me dy fjalë, portreti njerëzor e shpirtëror i Petraq Kolevicës, burrit të qetë, të kulturuar, mikut të së bukurës e të së vërtetë, për të cilën do t’i duhej të paguante shpesh haraç, që do t’i peshonte rëndë mbi jetën.  Jetonte në një shtëpizë të vogël, në Tiranë, stolia e vetme e së cilës ishin shoqja e jetës e fëmijët. Dhuratë e vërtetë e Zotit, për atë që i këndonte Psalmet gati-gati të harruara, në vendin e vetëm në botë, ku mohohej zyrtarisht Zoti!

U lind më 11 janar 1934 në Korçë, ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin (1952), pasardhës i Liceut francez, me profesorët e mëparshëm, që vazhdonin të jepnin mësim. Ishin këta mësues që ngjallën tek Petraqi interesin dhe dashurinë për artin e, sidomos, për poezinë. E edhe dëshirën për të vizituar punishtet e piktorëve të famshëm korçarë Vangjush Mio e Vangjush Tushi, me ndikim të fuqishëm mbi formimin e tij. Pasi kreu studimet për inxhinieri ndërtimi (1952–1957) në Universitetin Politeknik të Tiranës, punoi shumë vite si inxhinier dhe arkitekt. Dashuronjës i fjalës së lirë, pas një opinioni që i kundërvihej “shijeve” të Enver Hoxhës, shqiptuar në ekspoziten „Shqipëria Sot“, u dërgua të punojë si teknik ndërtimi në Valias. Ndërtonte e shkruante. Sepse kishte lindur ndërtues shtëpish e poezish! Por ndërsa ndërtesat që dilnin nga duart e tij i shikonin të gjithë, pak e kush e dinte se arkitekti i famshëm ishte edhe shkrimtar i guximshëm, ndër të rrallët që nuk shkruante sipas shijes së atij, që i shndërronte sakaq poetët në të burgosur politikë e shpesh, edhe në kufoma! Mik i ngushtë me Lasgushin, e njohu si moskush dhe i kushtoi një nga biografitë më në zë të letrave shqipe, titulluar “Lasgushi më ka thënë” (Toena, Tiranë, 1999).

Këngëtari i Psalmeve

Poet i lindur, Petraq Kolevica ndjente fort nevojën për të kënduar. E ndërsa poetët i këndonin tiranit, ai nisi të këndonte “këngët e pakëndueme”, sepse të ndaluara “Psalmet” e Biblës. Himnet që shqiptari kishte nisur t’i këndonte shqip qysh në kohën e Gjon Buzukut, i cili në vitin e largët 1555, nga 150 Psalmet, përktheu 28. Punë e vijuar nga imzot Bogdani, Kristoforidhi e të tjerë e të tjerë. Deri kur u shembën kumbonaret! I ringjallte, kështu, në heshtje, këto himne lartuar Zotit, në një vend që e kishte mohuar. Ku duhej shumë guxim t’i këndoje amshimit. Kush e jetoi diktaturën komuinste, e di mirëfilli sa shpejt shndërrohej në vaj - kënga që nuk i pëlqente diktatorit. Njihet edhe si romancier e përkthyes i poezisë dhe i romaneve...

Kolevica, projektues i fjalës...

Që në vitin ’60 botoi, të përkthyer nga rusishtja “Demoni-n” e Lermontovit,  ndërsa në ’86-ën, u dhuroi lexuesve në shqip “Poezi gjermane dhe austriake”. Sepse Arkitekti ishte edhe poliglot! Me “Këngë nga koha e keqe” do të niste pas regjimit botimin e vëllimeve të tij poetike, duke krijuar një lidhje të pandashme me vargjet, të cilat një dekadë më parë do t’i përmblidhte në vëllimin “Të korrat e vona”. I tëhequr prej vitesh nga jeta publike, Petraq Kolevica, që do të mbetet një nga emrat më të famshëm të arkitekturës shqiptare, e jo më pak edhe të letrave shqipe, u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare!

Pushoftë në paqe!

15 shkurt 2023, 15:56