Trashëgimia kulturore e Sirisë dhe e Turqisë dëmtohet rëndë nga tërmeti
R.SH. / Vatikan
Sa ndryshojnë rrënojat e shkaktuara nga lufta, nga ato që shemben nga tërmetet? Sa, rrënojat e Ukrainës, nga ato turke dhe siriane? Pamjet e tmerrshme që shohim, kanë të bëjnë me vise të ndryshme, por i ngjasin shumë njëra-tjetrës! Gërmadhat janë gjithnjë të ngjashme. Syri i specialistit i dallon ndryshimet, por perceptimi i parë është i njëjtë: një grumbull gri, i frikshëm, fantazmagorik. Me tërmetin e 6 shkurtit, vende dhe qytete të tëra ndryshuan fytyrën, historia e tyre u shpërfytyrua. E kështu edhe zona e goditur nga tërmeti, që rrethon daljen e madhe në det, me pamje nga ishulli i Qipros, gjiri i Iskenderum, për të hyrë në Anadoll, ndërmjet kufirit turk dhe sirian.
Vendi i kalimit dhe i takimit, ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit
Është vend ku lanë gjurmë qytetërime shumë të lashta. Pozita ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit ndihmoi për kalimin e popujve që nga kohërat parahistorike. Kaluan e shpesh edhe u ndaluan këtu, Hattitët, Hititët, Asirianët, Persianët, Grekët, për të kujtuar vetëm më të lashtët në këtë zonë. Zonë, që tërmeti e shkundi shumë herë, si pasojë e gjeomorfologjisë së saj e natyrës së saj tektonikisht humë aktive. Edhe në shekullin e nëntëmbëdhjetë këtu tokë e det u lëkundën dhunshëm nga tërmetet, ashtu si qenë lëkundur gjatë Perandorisë Romake – na kujtojnë burimet - e dhe në lashtësinë e vonë! Por ai, që po e shikojmë këto ditë, konsiderohet ndër më të dhunshmit në histori.
Epiqendra: Kalaja e Gaziantepit
Epiqendra e tërmetit ishte - e është - në rrafshnaltën perëndimore të Anadollit juglindor turk, aty ku lartohet kështjella bizantine e Ganziatep, kandidate që prej vitit 2012 për t'u përfshirë në listën zyrtare të vendeve të UNESCO-s, që duhen ruajtur e mbrojtur. Po a mund të ruhet e të mbrohet dheu nga tërmeti, që dyndet pa anjë paralajmërim mbi vlera të lashta e të reja?
Rrethi i mureve, i përforcuar nga kulla të fuqishme, të ndërtuara në blloqe guri, në majë të kodrës, sot duket si një grumbull i madh rrënojash. Ndërtimi, ashtu siç dukej para shkatërrimit përfundimtar, ishte dëshmitar i shumë themeleve dhe ndryshimeve, që ndodhën në rrjedhë kohe: së pari binte në sy një vend vëzhgimi ushtarak hitit, ngritur këtu 6000 vjet më parë, pastaj një kështjellë romake, me moshë ndërmjet shekujve II dhe III pas Krishtit. Pastaj, akoma, përforcime të mëdha mbi strukturën, nën sundimin e Justinianit, perandorit romak lindor, ndërmjet viteve 537 dhe 565. Ajo u braktis ose u rindërtua sipas rrethanave historike dhe nevojave të çastit, nën sundimin e mamlukëve, Dulkadiridive dhe osmanëve… e përsëri e përsëri gjatë epokës së kryqëzatave e, më në fund, gjatë sundimit arab në shekullin e pesëmbëdhjetë. Ngjarje të lashta historike, por që flasin shumë për rolin e rëndësishëm strategjik të sitit, ku para se t’ia behte tërmeti, ngrihej një muze i artit ushtarak dhe i vlerave arkeologjike, gjetur gjatë gërmimeve në zonë.
Vendet e krishterimit të hershëm
Energjia e frikshme e çliruar nga toka shpërtheu me forcë dhe mbuloi një hapësirë të madhe, duke shkatërruar objekte të tjera me rëndësi të jashtzakonshme historiko-arkeologjike. Trojet, që gjatë historisë u përshkuan nga persët, grekët, me në krye Aleksandrin e Madh, themelues i qyteteve të ndryshme, e më pas romakët... një vend ku shkelën në shekuj qytetërime të ndryshme. Para se të shkelte tërmeti, për t’ia zhduklur gjurmët. Këtu kaloi këmba zhurmëmadhe e ushtarëve dhe hapi i heshtur i të krishterëve të parë. Një pjesë e madhe e Ungjijve u krijua pikërisht në këto vise. Maria dhe Gjoni i lanë këtu gjurmët, ndërsa rrugëtonin drejt Efezit. Këtu shkeli Pjetri, kujtimi i të cilit u ruajt në shekuj në Antioki mbi Oronte, në shpellën, “që tërmeti nuk guxoi ta prekte”, ndërsa shkatërronte kishën përballë saj. Mbi të gjitha, nëpër këto vende kaloi Pali, i cili zgjodhi këto qytete për hapat e parë misionarë, duke nisur nga Tarsi, vendlindja e tij.
Efekte, që vijojnë të rrëmbejnë vise e njerëz
Efektet e shkatërrimit janë mbresëlënëse, por ende jo përfundimtare dhe fatkeqësisht të paracaktuara të keqësohen. Për më tepër, tërmetet e kësaj madhësie shoqërohen nga një numër i madh ngjarjesh: jo vetëm nga lëkundje të përsëritura, por edhe shembje dhe rrëshqitje të dheut, të cilat nuk premtojnë tjetër, veçse rreziqe të mëtejshme. Shqetësimi rritet! Njerëzit e tmerruar janë mpirë e presin… Nuk mungojnë as pyetjet për muzeumet e rëndësishme, shpërndarë në të gjithë territorin, si ai i Hatajit, i Zeugma-s, vend i famshëm i gjetjeve shumë të rëndësishme të kohëve të fundit, veçanërisht i mozaikëve. Strukturat antike vijojnë të shemben, njëlloj si dhe ato modernet. Tërmeti nuk ka pikë mëshire për bukurinë, as për kujtesën historike! Shihen ndërtesa që të grimcohen parasysh, drejtpërdrejt, si të ishin copa letrash. Kisha katedrale e shekullit të 19-të, kushtuar Lajmërimit të Zojës, në Iskenderun, qe nga të parat që u shemb, e dihet se edhe kapela e ndërtuar në kujtim të Imzot Luigi Padovese, vrarë në vitin 2010 në Alessandretta, qytet-port, u godit nga tërmeti dhe nga një zjarr i madh.
Shembet Katedralja e Iskenderunit. Vikari: mikpresim mes rrënojave
Unesco, së bashku me Këshillin Ndërkombëtar për Monumentet dhe sitet (ICOMOS) tashmë po bëjnë vlerësimin fillestar të dëmit. Audrey Azoulay, drejtoreshë e përgjithshme e UNESCO-s, duke shprehur ngushëllimet për viktimat e tërmetit, kujtoi se është gati për ndihmë "brenda mandatit të saj". Për më tepër, disa vende, si Halebi, tashmë u regjistruan në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Në veçanti, ka shembje të kalasë dhe të mureve të kullës perëndimore. Halebi, qytet përrallor sirian, një nga më të vjetrit në botë; për dymbëdhjetë vjet i shtypur nga lufta civile, tani u shkatërrua edhe nga tërmeti. Turqia vijon të dëmtohet: në qytetin e Dijarbakirit u shembën disa ndërtesa që i përkasin kalasë së Dijarbakirit dhe u dëmtuan rëndë kopshtet e Hevselit, vend i rëndësishëm i periudhave romake, më pas sasanide, bizantine, islamike dhe osmane. Së fundi, ka edhe shumë objekte të tjera të përfshira tashmë në Listën e Trashëgimisë Botërore, si Göbekli Tepe, mali Nemrut dhe Tuma e Arslantepe, të cilat dyshohet se janë dëmtuar përgjithmonë. Përgjithmonë – lexohet mbi rrënojat! E kjo e thellon trishtimin në këto vende që panë shumë gërmadha në shekuj – por panë edhe shumë mrekulli. Panë vdekje, por edhe rilindje; luftëra, por edhe paqe, shëmtim, por edhe shumë, shumë bukuri krijuar nga Ai që sundon mbi tërmetet e mbi kohën, e cila shket e shkon e ngarkuar me të papritura…