Kërko

Giornata Mondiale di preghiera e riflessione contro la tratta di persone 2023 Giornata Mondiale di preghiera e riflessione contro la tratta di persone 2023

Dita e nëntë Botërore e Lutjes kundër Trafikimit të Njerëzve

Sivjet Dita e nëntë Botërore e Lutjes dhe Reflektimit kundër Trafikimit të Njerëzve, që kremtohet sot më 8 shkurt 2023, ka si temë, zgjedhur nga një grup ndërkombëtar i të rinjve të angazhuar në luftën kundër trafikimit, “Të ecim për dinjitetin”

R.SH. / Vatikan

Sot më 8 shkurt bie Dita Botërore e Lutjes kundër Trafikimit të Njerëzve që sivjet si temë “Të ecim për dinjitetin”. Së bashku kundër trafikimit, kjo është ftesa e Kishës Katolike për t’i bashkuar forcat që të përballohet sfida e shfrytëzimit dhe e trafikimit të njerëzve – problem, që prek mbi 40 milion vetë në mbarë botën. Rasti jepet nga Dita botërore e Lutjes dhe e Reflektimit kundër Trafikimit, që kremtohet, çdo vjet, më 8 shkurt, në përkujtimin liturgjik të shën Bakitës, murgeshë me origjinë sudaneze, simbol universal i angazhimit të Kishës kundër skllavërisë.

Siç dihet, që në ditët e para të zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, Papa Françesku e përcaktoi luftën kundër skllavërive moderne si përparësi të papnisë së tij. Kështu, më 8 shkurt 2015, të gjitha institutet rregulltare, mashkullore e femërore, kremtuan Ditën e parë Ndërkombëtare të Lutjes e Reflektimit kundër Trafikut të Njerëzve.

Sivjet, Dita e nëntë Botërore e Lutjes dhe Reflektimit kundër Trafikimit të Njerëzve kremtohet sot më 8 shkurt 2023, me temën e zgjedhur nga një grup ndërkombëtar i të rinjve të angazhuar në luftën kundër trafikimit, është “Të ecim për dinjitetin”.

Janë hapat, shtegu, rruga e përbashkët, që bëhen nga ata që janë të angazhuar për të mposhtur trafikimin dhe të atyre që janë viktima ose mbijetuan. E gjithë kjo është në qendër të kësaj Dite e cila bashkon mijëra njerëz në të gjithë botën – në shumë famulli kishtare, komunitete e grupe – takohen, reflektojnë, lutën dhe i dërgojnë një mesazh në botë kundër këtij fenomeni global.

Jo rastësisht, në këtë datë Kisha Katolike kremton edhe festën liturgjike të shën Jozefina Bakitës, skllave sudaneze, e cila, kur u bë e lirë, ia kushtoi jetën Zotit si murgeshë kanosiane. U shpall shenjte në vitin 2000. Kështu, Kisha katolike dëshiron të sensibilizojë opinionin publik për fenomenin e të reflektojë mbi gjendjen globale të dhunës e padrejtësisë, në të cilën janë përfshirë shumë njerëz, që nuk mund ta ngrenë zërin, nuk i llogarit askush, nuk janë askush, trajtohen thjesht si skllevër.

Sipas të dhënave zyrtare, viktimat e trafikut të njerëzve arrijnë në 21 milion vetë në të gjithë botën. Shfrytëzohen për qëllime seksuale, për punë të detyruar, për transplantimin e organeve, flaken në rrugë si lypës, përdoren për punët e shtëpisë, detyrohen të martohen me zor, janë objekt i birësimeve të paligjshme dhe të formave të tjera të skllavërimit modern.

Çdo vit, trafiku i njerëzve përfshin 2,5 milion viktima të tjera. Pse nuk ndalet? Sepse kjo veprimtari kriminale siguron një xhiro prej 32 miliard dollarësh në vit, duke u radhitur në “biznesin” e tretë më fitimprurës, pas trafikut të drogës dhe atij të armëve.



08 shkurt 2023, 15:42