Kërko

Dita Botërore kundër fëmijëve ushtarë, një krim i turpshëm në 18 vende

Gjashtë mijë të mitur rekrutohen çdo vit në mbarë botën për të luftuar në milici të parregullta dhe të rregullta, viktima të drogës dhe abuzimeve të të gjitha llojeve. Një tragjedi e denoncuar vazhdimisht nga Papa Françesku. Kombet e Bashkuara po përpiqen të rikuperojnë sa më shumë që të jetë e mundur, por riintegrimi mbetet një pengesë e vështirë për t'u kapërcyer

R. SH. - Vatikan

Ajo e "shumë fëmijëve të marrë nga familjet dhe nga shkollat​​e tyre për t'u përdorur si ushtarë" është "një tragjedi". Papa Françesku e pati kujtuar këtë dramë gjatë lutjes së Engjëllin Tënzot të 19 shkurtit 2017, duke folur për dhunën në Republikën Demokratike të Kongos. Papa Françesku ka folur shpesh për këtë "krim të neveritshëm", herën e fundit në konferencën për shtyp me gazetarët duke u kthyer pikërisht nga vendi afrikan - ku ky fenomen është veçanërisht i përhapur - të cilin Papa e vizitoi së bashku me Sudanin e Jugut javën e kaluar. "Fëmijët rekrutohen për t'u bashkuar me milicinë dhe për të luftuar me fëmijë të tjerë" pohoi Papa, duke kujtuar se si ky është një efekt djallëzor i shitjes së armëve, të cilat shkatërrojnë personin, shoqërinë dhe krijimin.

OKB: një dhunë e padurueshme

Kombet e Bashkuara e dënojnë këtë fenomen, i cili përfshin të paktën 18 vende në botë dhe ka vendosur një ditë ndërkombëtare, më çdo 12 shkurt, për të kujtuar këtë neveri. “Fëmijët në mbarë botën vazhdojnë të preken në mënyrë disproporcionale nga konfliktet e armatosura”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të OKB-së dhe Bashkimit Evropian të lëshuar me rastin e kësaj dite, “dhe janë të detyruar të pësojnë nivele të padurueshme dhune, ata janë të privuar nga fëmijëria dhe e drejta për të edukimin e mbeten me plagë të thella fizike dhe psikologjike që zgjasin gjithë jetës së tyre”.

Mbi gjashtë mijë të mitur të rekrutuar në vitin 2021

Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme të OKB-së, janë të paktën gjashtë mijë të mitur të rekrutuar dhe përdorur në luftëra në mbarë botën, disa prej të cilëve janë vetëm gjashtë vjeç. Një nga vendet më të përfshira është Somalia, ku 1200 fëmijë janë rrëmbyer dhe përdorur nga milicët e al-Shabab e në disa raste edhe nga ushtria dhe policia. Ndër shtetet e tjera: Afganistani, Kolumbia, Republika e Afrikës Qendrore, Iraku, Mali, Nigeria, Sudani, Siria dhe Jemeni. Pikërisht në shtetin e Gadishullit Arabik, i cili prej vitesh është në luftë, janë dy mijë të mitur nga mosha 10 deri në 17 vjeç të rekrutuar nga rebelët Houti dhe që vdiqën në luftime midis janarit 2020 e majit 2021. Tetë mijë në mbarë botën, me rreth 3500 rrëmbime dhe 1300 raste të dhunës seksuale.

Krim lufte

Gjykata Penale Ndërkombëtare e konsideron rekrutimin e fëmijëve nën 15 vjeç, krim lufte, ndërsa Organizata Ndërkombëtare e Punës e quan një nga format më të tmerrshme të punës së të miturve. Sot, OKB-ja ka në dorë statistikat e fenomenit, por u kërkon shteteve të bëjnë më shumë për parandalimin e tij, për çmobilizimin e fëmijëve ushtarë ekzistues, duke dhënë mbështetje për zgjidhjen e problemeve, që shpesh, i detyrojnë fëmijët të marrin në dorë armët. Dita Ndërkombëtare kundër përdorimit të Fëmijëve si ushtarë në luftëra është një takim i OKB-së, i cili nuk mungon vit për vit, që nga 12 shkurti i vitit 2002,  kur u shënua në Protokollin e Konventës pёr të drejtat e fëmijëve. 

Thirrjet e mëparshme të Papës

Më se një herë zëri i Papës është ngritur për t’i dhënë fund kësaj plage që ende sot, sipas të dhënave të OKB-së, rëndon tmerrësisht mbi jetën e mёse 250 mijë fëmijëve, përfshirë në konflikte të armatosura nëpër botë. Në fjalimin për fillimin e vitit 2014 drejtuar anëtarëve të Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, Papa Françesku pati kujtuar  “tmerrin” që i shkakton vetëm mendimi se edhe sot e kësaj dite ka fëmijë, që përdoren si ushtarë nga forcat e rregullta a të parregullta ushtarake.

“Ndjej dhimbje të fortë për shumë fëmijë të shkëputur nga familjet, për t’u përdorur si ushtarë. Kjo është tragjedi!”, pati pohuar nё tweetin e 12 shkurtit 2018. Në videomesazhin për ndjetin e lutjes të muajit dhjetor 2016, ashtu si edhe në një tweet të 2017-tës, Papa nxiti të bëhet ç’është e mundur për respektimin e dinjitetit të fëmijëve dhe për t’i dhënë fund kësaj “forme të skllavërisë”.

12 shkurt 2023, 17:13