Kërko

Padre Vinçenc Malaj ofm Padre Vinçenc Malaj ofm

At Vinçenc Malaj, ofm, studiues i shquar, në përvjetorin e vdekjes

Figura poliedrike e At Vinçenc Malajt, françeskan e figurë poliedrike, la pas veprën e tij shkencore “Kuvendi i Arbënit 1703”, pastaj veprën dy vëllimshëm “Të Dhëna Albanologjike: folklor, bibliografi e histori”, botime françeskane e shumë shkrime tjera me vlerë të jashtëzakonshme. Frati i Tuzit, i dhënë pas fesë, nuk pushoi së punuari për kulturën shqiptare

R.SH. - Vatikan

Kujtojmë sot, më 4 shkurt, përvjetorin e vdekjes së At Vinçenc Malajt, françeskan e studiues i njohur shqiptar.

At Vinçenc Malaj, lindi më 1 dhjetor 1928 në Ljarje të Krajës, vdiq më 4 shkurt 2000 në Tuz, ku edhe u varros. Ndërmjet këtyre dy datave, kemi një jetë plot veprimtari, që filloi me thirrjen për rrugë rregulltare ndër françeskanë, vijoi me studimet në liceun Illyricum, kushtet e përjetshme të jetës rregyulltare ndër bijtë e shën Françeskut të Asizit, studimet filozofike e teologjike në Zagreb e ato linguistike në Romë, me prof. Ernes Koliqin, shugurimin meshtarak e kremtimin e Meshës së parë në Tuz më 13 tetor 1957.

Pra françeskani At Vinçenc Malaj qe meshtar dhe studiues i njohur që la një trashëgimi të pasur kulturore. Bashkëpunoi me revistën “Shenjzat” të prof. Ernest Koliqit, ku botoi disa studime; shkroi veprën “Kuvendi I Arbënit”, studioi veprën e imzot Pjetër Bogdanit, bëri shumë gjurmime mbi historinë kombëtare të popullit shqiptar, mbi krishterimin ndër shqiptarë e mbi atletin e Krishtit, heroin Gjergj Kastriotit Skënderbeut, artin e tjera.

Në moshë të shtyrë u rikthye atje ku kishte nisur jetën rregulltare: në Shkodër, ku dha mësim në Seminarin ndërdioqezan, që sapo ishte hapur, mbi historinë e kombit dhe të krishterimit shqiptar, duke i mësuar të rinjtë shqiptarë mbi të kaluarën e rrënjët etnike e shpirtërore, shpresë e ardhmërisë së Kombit dhe të Kishës së martirizuar shqiptare.

Në përvjetorin e vdekjes së këtij meshtari fraçeskan, intelektuali e historiani të shquar, ju propozojmë disa je fragment nga një intervistë që kemi realizuar me At Vinçenc Malaj-n në vitin 2000, me rastin e simpoziumit mbi 2000 vjetorin e krishterimit ndër shqiptarë. Ta dëgjojmë:

Vinçenc Malaj: dëshmia për krishterimin te shqiptarët

Nje fragment nga një intervistë që kemi realizuar me Atë Vinçenc Malaj-n në vitin 2000, me rastin e simpoziumit mbi 2000 vjetorin e krishterimit ndër shqiptarë. Ta dëgjojmë

“Vdekja”
Vdekje n’t’vërtetë nuk ka,
ajo s’âsht landë,
as ekzistencë...
Ajo, po, âsht ekstazë,
një kurrgjâsend,
ankth, trishtim,
tymtajë...
shkapërcim prej shtegut n’shteg,
m’tjetrânë si bazë,
kalim prej shkretisë n’oazë...
Rrugë që njitet përpjetë
prej bregut në breg
e ulet prap n’teposhtë
n’tatpjetë...

Ajo âsht urë,
tejkalim si nëpër unazë,
tunel, galerí nëndhese,
udhëtim ânemëkand
prej një jete së shkurtë
e të shueme
të këtij shekulli të zí
në tjetrën jetë:
mâ të mirë,
mâ të bukurmâ të lirë
fatlume në lumní...

Marrë nga përmbledhja poetike “Papërdhokë e gurë faqokë”, Botim i Misionit Françeskan, Tuz-Malësi, Tuz 2010, fq. 32

04 shkurt 2023, 11:43