Kërko

Më 27 shkurt kalendari kujton Shën Gabrielin e Zojës së Dhimbshme

Dëshmia e krishterë e Shën Gabrielit të Zojës së Dhimbshme ishte aq e jashtëzakonshme, sa të shërbejë si model për mbarë Kishën, posaçërisht për breznitë e reja. Gabrieli ishte një nga të rinjtë e kohës së vet, plot gjallëri e entuziazëm, plot me dëshirë për një jetë të vërtetë, të përkryer, gjë që e shtyu të rrijë larg jetës së botës e kënaqësive të saj kalimtare, për të gjetur strehë në Krishtin.

R.SH. - Vatikan

Kalendari kishtar më 27 shkurt përkujton Shën Gabrielin e Zojës së Dhimbshme, rregulltar. Ishte një nga të rinjtë e kohës së vet, plot gjallëri e entuziazëm, plot me dëshirë për një jetë të vërtetë, të përkryer, gjë që e shtyu të rrijë larg jetës së botës e kënaqësive të saj kalimtare, për të gjetur strehë në Krishtin.

Shenjti pajtor qiellor i krahinës Italiane të Abrucit, Francesco Possenti, lindi në Asizi më 1 mars 183. Kur ishte katër vjeç, i vdiq e ëma. Më vonë ndoqi vëllezërit dhe babain, guvernator i Shtetit papnor, nëpër vende të ndryshme. Pastaj u vendos në Spoleto, ku frekuentoi Vëllezërit e shkollave kristiane dhe Jezuitët.

Në moshën 18 vjeçare filloi rishtarinë pranë rregulltarëve Pasionistë në Morrovale ( Maçeratë), duke marrë emrin Gabrieli i Zojës së Dhimbshme. U quajt Gabrieli i Zojës së Dhimbshme, sepse pati vegime të vazhdueshme mistike, në të cilat i dukej pikërisht Zoja e Dhimbshme. Vdiq në vitin 1862, 24 vjeç, në Izola del Gran Sasso, kur kishte marrë vetëm urdhrat e vegjël të jetës rregulltare, pra pa u bërë rregulltar me kushte të përjetshme, as meshtar. 

Në Gran Sasso nderohet shumë, në shenjtëroren që mban emrin e tij, cak shtegtimesh, sidomos të të rinjve. Është shpallur shenjt në vitin 1920.  Shën Gabrieli u dallua për një jetë të përkushtuar plotësisht Mundimeve të Jezu Krishtit, dhurimit të plotë të vetes pa rezerva, të shpirtit të uratës e të pendesës, në mënyrë të posaçme kishte një përshpirtëri ndaj të Shenjtënueshmes Zojë të Dhimbshme. 

Shën Gabrieli jetoi pak, por jetoi me fund sipas Ungjillit. Ndaj la gjurmë të thella kudo shkeli, kudo foli, kudo u lut. La kudo gjurmë feje e shprese, mbi të cilat mund të ecin të gjithë ata, që duan  t’i afrohen Zotit e të afërmit. Deri në fund të fundit. Për të jetuar, më pas, një jetë që nuk mbaron në Zotin! Për ditët tona figura e Shën Gabrielit, “shenjtit të buzëqeshjes” është shembull i përshpirtërisë së sinqertë kristiane, mësim i rëndësishëm për të gjithë se si të jetojmë në përkim me Ungjillin e në lutje të vazhdueshme me Mësuesin e Jetës, Krishtin. 

27 shkurt 2023, 09:36