Terror në Jeruzalem, sulm në sinagogë ditën e Shabbatit
R. SH. - Vatikan
Tensionet thellohen dramatikisht në Lindjen e Mesme. Disa orë pasi Izraeli bombardoi Gazën, duke vrarë 10 palestinezë në një operacion kundër terrorizmit në Jenin, në Bregun Perëndimor, 7 izraelitë u vranë gjatë një sulmi nga një palestinez 21-vjeçar. Sulmi, i cili ndodhi në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, ishte një nga më tragjikët e viteve të fundit. Vrasësi, Alkam Kairi, mbërriti me makinë para Sinagogës rreth orës tetë të mbrëmjes. “Nisi të qëllojë nga afër këdo që i kalonte pranë” - pohon një dëshmitar. Si hyri në sinagogë, vuri në shënjestër besimtarët e pranishëm. Më pas u kthye në makinë dhe u largua, i ndjekur nga policët, që e vranë.
Izrael: përleshje mes ushtrisë dhe palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe në Gazë
Hamasi e quajti sulmin "përgjigje e natyrshme" që i jepej operacionit ushtarak kryer nga ushtria izraelite vetëm një ditë më parë, të enjten, më 26 janar, në kampin e refugjatëve të Jenin, Cisjordani.
Kombet e Bashkuara e dënuan ashpër këtë tragjedi të re. Sekretari i përgjithshëm, Antonio Guterres, pohoi se është “thellësisht i shqetësuar nga shkallëzimi i dhunës në këto vise, që gjithë bota i nderon si të shenjta! Është koha - paralajmëroi - për maturi maksimale - duke nënvizuar më pas “keqardhjen që sulmi ndodhi në një vend adhurimi, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Nuk ka kurrë justifikime për akte terrorizmi, që duhen dënuar dhe refuzuar qartë nga të gjithë” - pohoi.
Vigjilencë e lartë në Jeruzalem
Në Jeruzalem dhjetëra policë ruajnë vendin e sulmit, pranë qytetit të vjetër. Shërbimi i ambulancës kujton se mjekët shpëtuan shumë prej të plagosurve, shtatë prej të cilëve u vdiqën ndër duar. Burime policore pohojnë se forcat e sigurisë janë në kërkim të mbështetësve të mundshëm të sulmuesit. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, pasi vizitoi vendin e vdekjeve, pohoi se ka vendosur t’i japë këtij krimi të ri "përgjigje të menjëhershme, që do të fillojë gjatë natës", pa saktësuar për çfarë masash e kishte fjalën. Ndërkohë, sipas mediave lokale, policia izraelite arrestoi prindërit e sulmuesit.