Dita e 70-të Botërore kundër gërbulës, sëmundje që duhet zhdukur
R. SH, - Vatikan
Lebra - apo gërbula, është sëmundje që, për shumëkënd, tashmë është harruar. E pra vijon të prekë miliona njerëz. Edhe pse mund të mjekohet, mbetet ende problem i mprehtë shëndetësor në mbarë botën. Prandaj Dita Botërore e Lebrës, që festohet çdo të dielë të fundit të muajit janar, e dëshiruar dhe e nxitur nga Raoul Follerau, e njohur zyrtarisht nga Kombet e Bashkuara, është më aktuale se kurrë. Ditë, për të kujtuar jo vetëm se sëmundja e Hansen nuk është zhdukur kurrë, por vazhdon të jetë e pranishme, veçanërisht në zonat më të varfra të botës, ku mungon kujdesi për ta prandaluar e për ta zhdukur!
Gërbula, bijë e varfërisë, e ndjekur nga indiferenca e padrejtësisë
Emergjencat e shumta të botës nuk mund të na bëjnë ta harrojmë gërbulën, sëmundje që mjekohet shumë thjeshtë me atibiotikë e që, megjithatë, vijon të prekë një njeri në çdo tre minuta. E ndër vendet më të prekura, mund të kujtojmë Indinë e Madagaskarin.
Françesku, të mos i harrojmë njerëzit!
Papa, në një mesazh dërguar konferencës për sëmundjen e Hansen ditët e fundit, nga Augustinianum, kujtoi:
"Çka duhet të na shqetësojë, sot më shumë se atëherë, është se mund të harrohet jo vetëm sëmundja, por edhe njerëzit”.
Prandaj ftesa e fortë e Françeskut që të mos “harrojmë këta vëllezër dhe motra tona” dhe të mos e injorojmë këtë sëmundje, e cila fatkeqësisht ende prek shumë, veçanërisht në rrethana më të pafavorizuara.
Dy fjalë për historikun e kremtimit
Bota duhet të reflektojë pra, e të mbledhë fonde për viktimat e kësaj sëmujndjeje të tmerrshme, që në gjuhën shkencore quhet sëmundja Hansen, në atë popullore, lebër e gërbulë. E pikërisht për të reflektuar u zgjodh kjo ditё, që bie çdo vit të dielën e fundit të janarit, synon të sensibilizojë qëndrimin e njerëzimit ndaj saj dhe përkujtohet në mbarë botën, e nxitur nga Shoqata “Miqtë e Raoul Follereau”(AIFO).
Kremtimi i saj u themelua në vitin 1954 nga Raoul Follereau (17 gusht 1903- 6 dhjetor 1977), bamirës, gazetar e poet francez, që shkriu gjithë jetën për të gërbulurit. Njeri me shpirt shumë të ndjeshëm e katolik i vërtetë, pati thënë:
“Në shekullin XX të krishterimit gjeta të gërbulur në burgje, në çmendina, të mbyllur në varreza të braktisura, të internuar ndër shkretëtira, të rrethuar nga telat me gjemba, me reflektorë, me mitroloza. Pashë varrët e tyre përplot me miza, kasollet e infektuara, rojet me pushkë. Pashë një botë të papërfytyrueshme tmerresh, dhimbjesh, dëshpërimi”.
Follereau e zbuloi këtë botë të dhimbjes në Afrikë, ku kish shkuar si i dërguar i posaçëm i të lumit Charles de Foucaud. Shkruan:
“Një ditë, i bllokuar papritmas gjatë një shtegtimi në shkretëtirë, pashë duke dalë nga pylli njerëz me trupat e ngrënë nga sëmundja. I tmerruar nga ky takim, që në atë çast vendosa t’i kushtohesha të gërbulurve, të cilët pak më parë nuk e dija as se ekzistonin kund në këtë botë, ku sytë tanë mund të shikojnë paprtimas tmerre, që ia ndryshojnë krejt rrjedhën e jetës”.
Kështu shkroi, e kështu edhe bëri. E shkriu gjithë jetën në shtegtime të panumërta, duke i uluritur në vesh botës së shurdhër indinjatën për indiferencën që tregonte - e vijon të tregojë - për këta njerëz, të katandisur në kufoma të gjalla nga sëmundja tmerruese.
U bëri, prandaj, thirrje krerëve të shteteve, mbajti konferenca, shkroi artikuj e libra, mblodhi fonde për mjekimin e këtyre të sëmurëve. Duke e pasur gjithnjë fare të qartë se gërbula është bijë e mjerimit, e shfrytëzimit, e urisë e, prej këndej, mundet duke luftuar “gërbulat” e tjera: ushqimin e pamjaftueshëm, egozimin e, shtojmë, plagët shoqërore, domethënë, të gjitha gjërat që i katandisin të gërbulurit në nënspecie njerëzore, të dënuar pa të drejtë apelimi e pa amnisti!
“Falas, për Krishtin”: një çast nga jeta e Shën Nënë Terezës
Duke përmendur Raoul Follereau-n, nuk mund të mos kujtojmë një emër tjetër, që bëri aq e më shumë në sheshet e mejdanit kundër gërbulës. Kujtojmë pra një çast nga jeta e jashtzakonshme e Nënë Terezës, një nga shembujt më të shkëlqyer të shërbimit edhe në frontin e luftës kundër gërbulës. Një gazetari amerikan, i cili, duke e parë të përkulur, tek mjekonte plagët e një të gërbuluri, që kullonin gjak e qelb, i pati thënë se ai nuk do ta kishte bërë këtë as për një milion dollarë, Nënë Tereza i qe përgjigjur aty për aty: "As unë nuk do ta bëja kurrë për aq para. Por e bëj falas për Krishtin!".