Kërko

DAVOS 2023 DAVOS 2023

Davos: ekonomistët mendojnë se do të ketë recesion global gjatë vitit 2023

Sapo filloi Forumi Ekonomik Botëror i Davosit. Në një sondazh, dy të tretat e ekonomistëve të përfshirë në të deklarojnë se gjatë vitit 2023 ka mundësi që ekonomia globale të kthehet mbrapsht

R.SH. – Vatikan

Gjatë vitit 2023 ka mundësi që ekonomia botërore të pësojë një krizë të tillë, sa ta çojë krejt planetin në recesion. Ky është mendimi i dy të tretave të ekspertëve ekonomistë, të cilëve u është kërkuar një mendim nga Forumi Ekonomik Botëror, që u hap sot në Davos të Zvicrës. Në sondazhin e ditës së parë të tij (Chief Economists Outlook), duke pasur parasysh tensionet gjeopolitike dhe politikën monetare shtrënguese të Bankës Qendrore amerikane (FED) dhe të asaj evropiane (BCE), krye-ekonomistët e institucioneve më të mëdha financiare dhe të ndërmarrjeve më të rëndësishme e konsiderojnë recesionin ekonomik “jashtëzakonisht të mundshëm”. Numri i ekspertëve, që e mendojnë këtë, është dyfishuar në krahasim me shtatorin e kaluar. Perspektivat janë të errta sidomos për Evropën dhe për SHBA-të, për të cilat pritet një rritje krejt e parëndësishme. Ekonomistët nuk janë të një mendjeje për Kinën, ku vendimi për të mos ndjekur më politikën “zero Covid” mund t’i japë një shtysë zhvillimit, por duhet parë ç’ndikim do të ketë ky veprim në strukturat shëndetësore.

Reflektorët mbi Kievin

Në Forumin e Davosit, që do të përfundojë të premten, marrin pjesë 2.700 vetë nga 130 vende të ndryshme. Ndër ta, 52 krerë shtetesh e qeverish. Nga Shqipëria, është i pranishëm kryeministri Edi Rama, ndërsa nga Kosova, kryeministri Albin Kurti. Në takimin me temë “Bashkëpunimi në një botë të fragmentuar”, ku nuk merr pjesë asnjë rus, Ukraina do të jetë në qendër të vëmendjes. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të mbajë një fjalim në videokonferencë. Përveç luftës dhe pasojave të saj shkatërrimtare, do të flitet edhe për ekonominë, energjinë, klimën dhe sigurinë. Ashtu si vitin e kaluar, përveç Forumit Ekonomik do të mblidhet edhe Forumi Politik Botëror, megjithëse nuk do të jenë në Davos as presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, as ai kinez, Xi Jinping e as krerë shtetesh të tjera të rëndësishme.

Global Risks Report

 Nërkaq, u publikua edhe Global Risks Report, paraqitur në një konferencë për shtyp në Londër, sipas të cilit kostoja e jetesës dhe pasojat e ndryshimeve klimatike janë dy rreziqet kryesore, me të cilat do të përballet bota gjatë dy viteve të ardhshme. Raporti  i Forumit të Davosit, në edicionin e tij të tetëmbëdhjetë, bazohet në anketimin e mbi 1200 ekspertëve, njerëzve e krerëve të politikave ekonomike. Sipas tyre, dhjetë rreziqet më të mëdha për botën në dy vitet e ardhshme janë: së pari, kriza e lidhur me koston e jetesës; së dyti, fatkeqësitë natyrore dhe ngjarjet ekstreme atmosferike e, së treti, konfliktet gjeo-ekonomike. Pasojnë: dështimi në zbutjen e ndryshimeve klimatike, erozioni i kohezionit shoqëror dhe polarizimi i shoqërive, dëmet në shkallë të gjerë, shkaktuar nga aksidentet mjedisore, mospërshtatja me ndryshimet klimatike, përhapja e krimit kibernetik dhe e pasigurisë në internet, krizat e shkaktuara nga kërkesa për burime natyrore dhe, së fundi, në vendin e dhjetë, migrimet në shkallë të gjerë.

Ka edhe një projektim rreziqesh për dhjetë vitet e ardhshme. Sipas ekspertëve, ekonomia do të kalojë krizë të rëndë nëse bota do të dështojë t’i zbusë dhe t’u përshtatet ndryshimeve klimatike, duke u varur gjithnjë e më shumë nga pasojat e fatkeqësive natyrore dhe të ngjarjeve të skajshme klimatike. Gjithashtu, ekonomistët paralajmërojnë për rrezikun e humbjes së biolarmisë dhe të prishjes së ekosistemeve, për migrimet në shkallë të gjerë, për krizat e lidhura me burimet natyrore, për problemet shoqërore që do të sjellë polarizimi i shoqërive, për problemet e sigurisë në internet, për konfliktet gjeo-ekonomike dhe, së fundi, për mundësinë e aksidenteve mjedisore në shkallë të gjerë.

Schwab: “Objektivi është rikthimi i besimit”

“Gjatë Takimit - shpjegoi Klaus Schwab, themeluesi dhe presidenti ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror - do të përpiqemi të forcojmë bashkëpunimin publik-privat për t’u bërë ballë sfidave më urgjente të botës së fragmentuar, në të cilën jetojmë… për një të ardhme më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme. Njëkohësisht, duhet të ndërgjegjësohemi se zhvillimi ekonomik duhet bërë më elastik, më i qëndrueshëm dhe se askush nuk duhet lënë pas”. Schwab shpjegoi se në Davos "do të ketë një pjesëmarrje pa precedent të shoqërisë civile, aktivistëve dhe të rinjve". Qëllimi, theksoi ai, "është rikthimi i besimit në axhendën ekonomike".

16 janar 2023, 16:11