Kërko

San Nicola di Mira (di Bari) San Nicola di Mira (di Bari)

Lutja e moçme e Shën Kollit

...O Shën Koll, nji t’madhe nder:/na e ban t’gjithve si dhunti/ n’doren tande t’jem përherë./...O i Shën Kollë plot me dashni/Shpirtnat tonë ti na i kujto./Prap po t’bajm ket porosi:/ti n’at jetë t’gjith na shëlbo./Ashtu kjoftë.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike kremton sonte natën e festës liturgjike të Shën Nikollit, ipeshkëv i Mirës në Azi të Vogël (Turqia e sotme), në shekullin e IV, një ndër shenjtorët e dëshmitarët e Krishtit më të nderuar nga besimtarët e krishterë si dhe ata shqiptarë, të të gjitha viset, kudo që jetojnë.

Lutja e moçme e Shën Kollit

Sa hyqmet e mrekulli

që ka ba Shejti Shën Kollë,

difton qiella me lumni

tanë dylnjaja s’pranë tue folë.

Barkaxhia tue vozitë,

derdimendi që lypë bukë,

kangë e lavd s’rrinë pa qitë,

si shtektari që ban rrugë.

Si zenjin, si fukara,

në pastë marrë ndoj e ligë e randë,

fill te i Lumi pa ia da

në uj t’Shën Nkollit gjen derman.

Qysh se leu ky fmi n’dylnja

kje si ylli që shkëlqen,

që po i duken punt e mdha,

gjindja mbushen me gazmend.

Ai kje i pastër si biluri,

i dha korpit t’madh ezgjet:

as n’e prende as n’e merkur

gji nuk merrte prej nans vet.

Tue u rritë me shumë urti

shpejt e njiten prindja n’shkollë

e nji t’madhe mrekulli

hin me e ba Shejti Shën Kollë.

Kur prej shkolls kthente n’shpi,

hasë një gru që ish tue dekë

e ky djalë plot me dashni

tue i ba kryq e shndosh me vrep.

Adeodati djalë dishirit

kje grabitë e çu n’gurbet

e i Shën Nkolli prej misirit

për hava e çon n’shpi t’vet.

Tri kuleta tuj i dërgue

për tri vajza t’mbetun shkretë

prej dritaret shkon me ia lshue,

erz e shpirtin n’selamet.

Tre fmi t’mbytun prej katilit,

shti në shekë copë e grim,

shohin prap dritën e diellit,

i ngjallë Shën Kolli me i bekim.

Fushë e male, tokë e det,

ajër zjerm e diell e hanë,

sa Shën Kolli s’kenka i nxeht;

për gjithkend diftojn taman.

Dridhet ferri prej idhnimit

kur Shën Kolli del n’mejdan.

ik armiku prej trishtimit

kur i kshteni thotë “Aman”.

Për nji t’madhe porosi,

o Shën Koll, nji t’madhe nder:

na e ban t’gjithve si dhunti

n’doren tande t’jem përherë.

T’bijt e Zojs t’kongregacionit,

me gjithë zemër tuj u dasht,

t’i mbajm veprat e devocionit,

turp e marre, fjalë pa drashtë.

Ban që shpirtit t’i bajm rrëfimin,

me ndigjesë e përvujtllek,

shpesh tuj e marrun na kungimin,

sikur t’gjithve na përket.

E n’at ditë që t’jet shenue

prej kso jete na me u hjek,

n’dorën tande kjoshim lshue,

ku gjithmonë na kjeme pshtetë.

O i Shën Kollë plot me dashni

Shpirtnat tonë ti na i kujto.

Prap po t’bajm ket porosi:

ti n’at jetë t’gjith na shëlbo.

Ashtu kjoftë.

05 dhjetor 2022, 17:06