Kërko

Më 23 nëntor 1700 Papa Klementi XI qe zgjedhur në fronin e Shën Pjetrit

Një nga pasardhësit e Shën Pjetrit Apostull qe Gjon Françesk Albani, Papa me origjinë shqiptare Klementi XI, i cili më 23 nëntor 1700 qe zgjedhur në fronin e Shën Pjetrit

R.SH. - Vatikan

Papa Klementi XI, Gjon Françesk Albani, me origjinë shqiptare, si sot, më 23 nëntor 1700, qe zgjedhur në fronin e Shën Pjetrit, në udhëheqje të Kishës katolike Universale.

Gjon Françesk Albani, siç u thirr në Pagëzim, lindi më 23 korrik 1649 në Urbino të Italisë, kreu shkollimin e plotë në Romë e, falë aftësive të tija, iu besuan shumë shpejt misione e detyra shkallët e larta kishtare: së pari si sekretar i kanonikëve (1687), më pas si kardinal (1690) e së fundi si i 261-ti pasardhës i Shën Pjetrit (23 nëntor 1700).

Pati një papni të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm ndërmjet Francës e Perandorisë spanjolle, që krijoi rrezikun e një sulmi të armatosur kundër papatit. Përballoi me urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krijuan pas Traktateve të Utrehtit, të Ratsadit e të Badenit (1712- 1714) ku u caktuan normat për ndarjen e Evropës.

Më pas iu desh të përballonte një rrezik tjetër: atë të pushtimit turk. Dha një kontribut të shquar në fushën teologjike, duke luftuar herezitë e kohës; në fushën kanonike e liturgjike, duke kontribuar për përkryerjen e riteve lindore të kinezëve e malabaritëve; në fushën e misionit, duke dendësuar veprimtarinë misionare në Mesdheun Perëndimor, Persi, Indi e Kinë.

Në fushën e ndihmesës për atdheun e të parëve, krenar për prejardhjen shqiptare, u interesua nga afër për fatet e vendit, organizoi 14 janar 1703 Kuvendin e Arbënit në Mërçi të Lezhës dhe botoi Aktet e tij në shqip e latinisht, kontribut i madh për përhapjen e gjuhës e të kulturës në trojet shqiptare, hap i parë drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare të një populli që rënkonte në errësirën e thellë të pushtimit, duke pritur padurueshëm, një rreze drite, që t'ia ndriçonte shtegun drejt lirisë.

Lutja shumë e bukur E PAPËS KLEMENTIT XI, të cilën mund ta thotë çdo besimtar i krishterë - dhe do të ishte shumë mirë, madje edhe shumë e dobishme ta themi çdo ditë:

O Zoti im, besoj në Ty, ma përforco besimin; shpresoj në Ty, ma jep shpresën; të dua Ty, ma rrit dashurinë, pendohem para Teje, ma shto pendesën.
Të adhuroj, si fillesën e parë, të dëshiroj si qëllimin e fundit, të lavdoj, si bamirësin tim të përhershëm; të thërras në ndihmë, si mbrojtësin tim sovran. Të lutem, më drejto me urtinë tënde, më gjyko me drejtësinë tënde, më ngushëllo me mëshirën tënde, më mbro me fuqinë tënde.

Ty t’i kushtoj, o Zoti im, mendimet e mia, fjalët e mia, veprat e mia, vuajtjet e mia. Që sot e tutje, do të mendoj veç për Ty, do të flas për Ty, do të veproj si të më thuash Ti, do të vuaj për Ty.
Dua atë që do Ti, siç e do Ti, sepse e do Ti!
Të lutem o Zot, ma jep urtinë, ma kalit vullnetin, ma pastro trupin, ma shenjtëro shpirtin.
Më ndihmo o Zot, të pendohem për mëkatet, të fitoj mbi tundimet, të praktikoj virtytet.
Ma mbush zemrën me dashurinë e mirësinë tënde, me mërinë për hipokrizinë, me zellin për të afërmin, me neverinë për vesin.
Më ndihmo ta mund koprracinë me lëmoshë, zemërimin me ëmbëlsi, përtacinë me vetëmohim.
Më ndihmo të jem i pjekur në këshilla, i qëndrueshëm në rreziqe, durimtar në prova, i thjeshtë në sukses.
Bëj, o Zot, të jem i përkushtuar në lutje, i përmbajtur në të ngrënë, i zellshëm në punë, i qëndrueshëm në vendime.
Më mëso ta kem zemrën të pastër, veshjen të thjeshtë, bisedën bindëse, sjelljen të rregullt.
Më ndihmo ta sundoj natyrën, të jetoj sipas urdhërimeve të tua, të meritoj shëlbimin. Bëj që të jem gati për të vdekur, t’i druhem gjykimit tënd, të shpëtoj nga ferri, të fitoj parajsën. Nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë. Amen!

23 nëntor 2022, 11:51