Kërko

NOBEL PER LA PACE 2022 ALL'ATTIVISTA ALES BIALISTSKI NOBEL PER LA PACE 2022 ALL'ATTIVISTA ALES BIALISTSKI

Çmimi Nobel për Paqe, u vlerësuan mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Bjellorusi, Rusi dhe Ukrainë

Komiteti Norvegjez nderoi ata që përfaqësojnë shoqërinë civile dhe mbrojnë të drejtat e saj themelore. Fituesit janë disidenti Bialiatski, OJQ-ja ruse Memorial dhe Qendra e Ukrainës për Liritë Civile

R.SH. - Vatikan

Për shumë vite fituesit e Çmimit Nobel pёr Paqe 2022 "kanë promovuar të drejtën për të kritikuar pushtetin dhe për t’i mbrojtur të drejtat themelore të popullsisë", për këtë arsye, dhe jo vetëm, një aktivist, bjellorusi Ales Bialiatski dhe dy organizata që luftojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Memorial, OJQ ruse dhe Qendra ukrainase për Liritë Civile, u nderuan sot me Çmimin Nobel për Paqen 2022. Komiteti Norvegjez i Nobelit tregoi se si fituesit përfaqësojnë "shoqërinë civile në vendet e tyre përkatëse" dhe se si ata kanë bërë "një përpjekje të jashtëzakonshme për t’i dokumentuar krimet e luftës, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe abuzimin e pushtetit”. Së bashku, vazhdon motivimi, "ata kanë dёshmuar rëndësinë qё ka shoqëria civile për paqen dhe demokracinë".

 

Disidenti bjellorus Bialatski

"Ales Bialiatski - shpjegon Komiteti – ka qenё një nga nismëtarët e lëvizjes demokratike që u shfaq në Bjellorusi në mesin e viteve 1980. Ai i ka kushtuar jetën promovimit të demokracisë dhe zhvillimit paqësor në vendin e tij të origjinës" dhe shumё herё e në mënyrë të vendosur autoritetet "u përpoqën pёr ta ndaluar veprimtarinё e tij". Bialiatski u arrestua e mbahet nё burg pa gjyq që nga viti 2020, pas demonstratave tё mbajtura në shkallë të gjerë kundër regjimit. Aktivisti qe burgosur edhe mё parё nga viti 2011 deri në 2014. "Pavarësisht vështirësive të mëdha personale, Bialiatski nuk u dorëzua, por e vazhdoi luftёn për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Bjellorusi”, shpjegon Komiteti, i cili shpreson se çmimi nuk do të dëmtojë aktivistin, lirimin e menjëhershëm të të cilit e kërkon.

Aktivizmi i Memorial në Rusi

Çmimi i dhёnё ‘Memorial’, shpjegoi kryetari i Komitetit norvegjez Berit Reiss-Andersen, është njohja e veprimtarisë së organizatës, bazuar mbi “nocionin se krahasimi me krimet e së kaluarës është thelbësor për parandalimin e krimeve të reja”. Memorial, i shpallur agjent i huaj në Rusi dhe më pas i mbyllur, u themelua në vitin 1987 nga aktivistët e Bashkimit Sovjetik të atëhershëm, mes tyre Andrei Sakharov dhe Svetlana Gannuchkina, të cilët "donin të siguronin që viktimat e shtypjes së regjimit komunist" të mos harroheshin kurrë. Pas rënies së BRSS u bë organizata kryesore pёr mbrojtjen e të drejtave njerёzore në Rusi.

Roli i Qendrës për Liritë Civile në Ukrainë

'Qendra për Liritë Civile', thuhet në motivacion, u themelua me "qëllimin e avancimit të të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Ukrainë". Pas fillimit të luftës në shkurt, "kjo qendër u angazhua për t’i identifikuar dhe dokumentuar krimet e luftës ruse kundër popullsisë ukrainase". Qendra, vazhdon Komiteti, "po luan një rol qendror në vendosjen e palëve fajtore përball përgjegjësisë për krimet e saj ", duke u zotuar të "pёrforcojë shoqërinë civile pёrmes njё pёrpjekjeje për ta bërë Ukrainën një demokraci të plotë".

07 tetor 2022, 17:46