Kërko

La sesta e ultima apparizione della Madonna ai tre pastorelli, a Fatima. Era il giorno 13 ottobre 1917 La sesta e ultima apparizione della Madonna ai tre pastorelli, a Fatima. Era il giorno 13 ottobre 1917

13 tetor 1917 dukja e fundit e Zojës së Bekuar tre barinjve në Fatima

Më 13 tetor kujtojmë përvjetorin e dukjes së fundit të Zojës së Bekuar tre barinjve, në Fatima të Portugalisë, mё 13 tetor 1917. Mesazhi që u përcolli Zoja Bekuar barinjve të vegjël mbetet aktual: është mesazhi i paqes

R.SH. - Vatikan

Si sot, më 13 maj 1917, në livadhet e Kova d’Iria, ku tre fëmijë: Luçia, Gjaçinta e Françesko, kullosnin grigjat e tyre, u duk për herë të parë Virgjëra Mari, dukje që e shndërroi qytetin e Fatimës në qendër përshpirtërie botërore.  Për herë të fundit Zoja, që tashmë njihet me emërtimin “e Fatimës” u duk 13 tetor 1917, kur njerëzimi ishte i mbytur në gjakun e Luftës I Botërore.

Virgjëra Mari u foli tre barinjve të vegjël, të cilët i porositi ta përcillnin mesazhin e saj për lutje, flijime e pendesë, që njerëzimi të shpëtonte nga përsëritja e tragjedive të luftërave.

Nga Kova d’Iria, në historinë njerëzore të shekullit të fundit, vjen një mesazh, që u rrënjos për vullnet të Hyjit, përmes hireve, veprave të jashtëzakonshme të Zotit në Kishë e në mbarë botën. U rrënjos përmes dukjeve e mrekullisë së diellit. Zoja foli për kthimin e Rusisë, gjë që ngjalli për vite me radhë shpresa të mëdha.

Pastaj dukjet u lidhën nga Provania hyjnore edhe me jetën e Gjon Palit II, me atentatin e 13 majit 1981. Me tre sekretet që Virgjëra Mari ua besoi barinjve të vegjël. E edhe me lumnimin e tre barinjve, ndërmjet të cilëve, Luçia, e cila jetoi gjatë për t’i zbuluar botës sekretet e Zojës së Fatimës, që njihet, nderohet e duhet nga mbarë bota e që Papa Benedikti XVI e kujtoi sot në audiencën e përgjithshme.

Nga Fatima vjen një mesazh ngushëllues, jo frikësues.

Kisha e fton botën, e cila tepër shpesh shikon gjithçka me mosbesim, të mos e shtrembërojë e harrojë atë, që u tha Zoja e Bekuar tre barinjve të vegjël, në një ditë të largët, më 1917, duke iu dukur në atë hapësirë të privilegjuar, të hapur nga qielli, përmbi tokë. Hapësirë e cila, që asokohe na mëson të shpresojmë në mëshirën hyjnore, që shëron e shpëton.

Zoja Bekuar përmes barinjve të vegjël në Fatima na mëson të shpresojmë në mëshirën hyjnore, që shëron e shpëton. Nga kjo ngjarje na drejtohet  një mesazh i përqendruar mbi lutjen, mbi pendesën e mbi kthimin në rrugën e Zotit, që i kapërcen kufijtë e kërcënimeve, të rreziqeve, të tmerreve të historisë, për ta ftuar njeriun të ketë besim në veprën e Zotit, të ushqejë Shpresën e madhe, të provojë hirin e Hyjit, për t’u dashuruar me Atë, që është burim i dashurisë e i paqes.

Mesazhi që u përcolli Zoja Bekuar barinjve të vegjël mbetet aktual: është mesazhi i paqes; ashtu si Shenjtërorja e Fatimës është shenjtërore e paqes, djep i paqes. Në atë Shenjtërore ruhet plumbi, që e përshkoi Papën Shën Gjon Palin II, ngërthyer si stoli e çmuar, në aureolën e kurorës së shtatores së Zonjës. Ruhet edhe një copëz nga muri i Berlinit, që tregon se Zoja Bekuar ngadhënjeu edhe atje, ku perdja e hekurt e ateizmit dukej e pakapërcyeshme. E bota, që edhe sot tronditet rëndë nga konfliktet, nuk duhet ta harrojë porosinë e Zojës: lutjen për paqe, sepse paqja është dhuratë që vjen nga qielli, dhuratë e Zotit.

Në ditën e kremtimit të dukjeve të fundit të Zojës së Fatimës, ju propozojmë lutjen e motër Luçisë, vajzës, që jetoi gjatë e që bënte pjesë në treshen e barinjve të vegjël, të cilëve iu duk Zoja. Murgeshë, mbajti gjithnjë të fshehur Sekretet e Fatimës, derisa shën Gjon Pali II, papë, vendosi t’ia zbulojë botës. Ja lutja:

O Virgjër Nënë e Zotit e Nëna ime, i kushtohem krejtësisht Zemrës tënde të Papërlyer, me gjithçka jam e me gjithçka kam. Më merr nën mbrotjen tënde amnore, më mbro nga rreziqet, më ndihmo të fitoj mbi tundimet, që më nxisin drejt së keqes, e më ndihmo ta ruaj pastërtinë e trupit dhe të shpirtit tim.

Zemra jote e Papërlyer qoftë streha ime dhe udha që më çon te Zoti. Më jep hirin për t’u lutur e për t’u flijuar për dashurinë e Jezusit, për kthimin e mëkatarëve e për shpërblimin e mëkateve kundër Zemrës tënde të Papërlyer. Përmes Teje, në bashkim me Zemrën e Birit tënd Hyjnor, dua të jetoj për lavdinë e së Shenjtueshmes Trini, në të cilën besoj e shpresoj, të cilën e adhuroj dhe e dua. Amen! 

13 tetor 2022, 11:10