Kërko

Mikhail Gorbaciov  (AFP or licensors) Mikhail Gorbaciov (AFP or licensors)

Gorbaçovi dhe pyetjet e mëdha të kohës sonë

Në nëntor të vitit 2000, me rastin e Samitit të Çmimit Nobel për Paqen, organizuar në Romë, ish-udhëheqësi sovjetik i dha një intervistë Radio Vatikanit. Gorbaçovi trajtoi disa çështje që janë ende shumë aktuale, si çarmatimi bërthamor dhe shlyerja e borxhit të jashtëm të vendeve në zhvillim. Me emrin e tij lidhen edhe ndryshimet epokale në trojet shqiptare…

R.SH. - Vatikan

Data e 1 dhjetor 1989 mbetet e pashlyeshme në historinë e shekullit të njëzetë. Presidenti i Bashkimit Sovjetik kapërceu pragun e Vatikanit, për të takuar Gjon Palin II. Vetëm tri javë më parë, rënia e Murit të Berlinit kishte hapur një horizont paqeje që, deri para pak muajsh, dukej i papërfytyrueshëm. Njëmbëdhjetë vjet pas atij çasti kulmor historik, Mikhail Gorbachev u kthye për të takuar Papën e moshuar polak me rastin e Samitit të Çmimit Nobel për Paqen, organizuar në Campidoglio. Ishte data 13 nëntor, viti 2000.

Po atë ditë, në Sallën e Protomotekës, Gorbaçovi dha një intervistë për Radio Vatikanin, duke vënë theksin mbi disa nga çështjet e trajtuara në samit. E kujtoj ende - shkruan autori i këtyre radhëve,  Alessandro Gisotti, sot Zëvendës-drejtor editorial i mediave të Vatikanit  - emocionin që më pushtoi të tërin, pasi kisha vetëm disa muaj që merresha me lajmet ditore të radios  papnore, në çastin kur nisa t’i bëj pyetjet, me ndërmjetësimin e një përkthyesi rus, një gjiganti të shekullit të njëzetë, dhe e  ndjeva veten - siç e themi zakonisht ne gazetarët -  “ballë për ballë me historinë”.

22 vjet më vonë, është mjaft mbresëlënëse të gjesh në fjalët e liderit të fundit të BRSS shqetësimin për çështjet e kohës sonë, me rëndësi dramatike, nëse kemi parasysh atë që po ndodh në Ukrainë. “Në këtë samit - nënvizoi Gorbaçovi - ne diskutuam çështje të ndryshme duke përfshirë atë të globalizimit. Diskutuam për mundësitë që mund të rrjedhin prej tij në të ardhmen dhe si mund të ndahen në mënyrë të barabartë mundësitë që ofron globalizimi”. Në atë samit u ngrit me alarm edhe çështja e çarmatimit bërthamor. “Në këtë periudhë - paralajmëroi ish-presidenti sovjetik – ka procese që çojnë jo aq në çarmatim sesa në rreziqet e përhapjes së armëve bërthamore. Së fundi, folëm për rendin e ri botëror, i cili, duke iu referuar fjalëve të Atit të Shenjtë, duhet të jetë 'më i qëndrueshëm, më i drejtë dhe më human'”.

Gorbaçovi më pas ofroi një reflektim mbi borxhin e vendeve të varfra,  tjetër temë që fatkeqësisht mbetet ndër çështjet ende të pazgjidhura njëzet vjet më vonë, pavarësisht thirrjeve të shumta të Papëve. “Personalisht - tha ai para mikrofoneve të Radio Vatikanit - jam për shlyerjen e borxheve të vendeve në zhvillim. Megjithatë, nënvizoi se kjo nuk mjafton për rigjallërimin ekonomik, sepse nevojiten masa më komplekse, një sërë masash që favorizojnë zhvillimin e këtyre vendeve”. Fjalë të një protagonisti të madh të historisë bashkëkohore që, në ditën e vdekjes së tij, fitojnë vlerën e një trashëgimie të çmuar, që nuk duhet zhdukur, por duhet përdorur për të ndërtuar një të ardhme më njerëzore për të gjithë popujt e Tokës.

31 gusht 2022, 13:14