Mendime të Shën Agostinit, me vlerë për të gjitha kohët
R. SH. - Vatikan
Bota është si libër e kush nuk shtegton, njeh vetëm një faqe të saj. Duke e njohur, njohim Zotin. Që nuk mund të mos na bëjë për vete. Na bën për vete, o Zot, e zemra jonë nuk gjen paqe, derisa të pushojë në Ty. E di se duhet të të duam, që ti të na afrohesh, se duhet të jemi pranë teje, që ti të banosh në shpirtin tonë. Duke e ditur se të besosh, do të thotë të prekësh me zemër! E të ndjesh me ndërgjegje. Sepse, o njeri, ti mund të ikësh nga gjithçka, po kurrë nga ndërgjegjja jote. Nga zemra jote. Një zemër e madhe është më e mirë se një kokë e madhe. Të mëson të dhurosh. E ta kuptosh se e ke humbur, atë që nuk e dhurove. E se fjalët nuk u shpikën, që njeriu të gënjejë njeriun, por që secili t’ia kalojë tjetrit mirësinë e mendimeve të veta.
Dëshron të jesh i madh? Hapi i parë është të bëhesh i vogël! E kur ecën me këtë hap, do të duash me të vërtetë gjithçka, paqen në radhë të parë. E kush e do me të vërtetë paqen, do edhe armiqtë e paqes!
Nëse mundesh, kupto; nëse nuk mundesh, beso! Beso në Zotin, që unë e gjeta tepër vonë.
Tepër vonë, të njoha, Bukuri kaq e lashtë, e kaq e re, vonë të desha. Po, sepse ti ishe brenda meje e unë, jashtë: aty të kërkoja. Ishe me mua, po unë nuk isha me ty. Më thërrisje e britma jote m’i hapi veshët… të shijova e tani kam uri e etje për Ty: më preke e përvëlohem nga dëshira për paqen tënde!
(Marrë nga interneti: “Fraza, citime, aforizma dhe mendime të Shën Agostinit”.)