Kërko

Katedralja e Zojës së Papërlyer në Nagasaki, shkatërruar nga bomba atomike Katedralja e Zojës së Papërlyer në Nagasaki, shkatërruar nga bomba atomike

9 gusht 1945: pas Hiroshimës, bombë mbi Nagasakin

Është ora 11.02 e 9 gushtit 1945. Forcat ajrore amerikane, tre ditë pas lëshimit të bombës atomike në Hiroshima, hedhin një tjetër bombë në Nagasaki. Shpërthimet, që në fakt, i dhanë fund tragjikisht Luftës II Botërore, u morën jetën qindra mijëra njerëzve. As sot, nuk dihet numri i saktë.

R.SH. - Vatikan

Është ora 11.02 e 9 gushtit 1945. Forcat ajrore amerikane, tre ditë pas lëshimit të bombës atomike në Hiroshima, hedhin një tjetër bombë në Nagasaki, duke e kthyer qytetin në një grumbull rrënojash dhe duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të rreth 70.000 njerëzve. Shumë nga ata që mbijetuan, me kalimin e viteve, kaluan sëmundje të shkaktuara nga ekspozimi ndaj rrezatimit.

Papa Gjon Pali II e tmerri i luftës

“Hiroshima e Nagasaki kujtohen… si viktimat e para të luftës bërthamore… Emrat e shumë – tepër – vendeve vijnë ndërmend sidomos, sepse dëshmojnë tmerrin dhe vuajtjen, që sjell lufta”. Me këto fjalë, gjatë vizitës së 1981-shit në Memorialin e Paqes, në Hiroshimë, Papa Gjon Pali II, kujtonte shkatërrimin e dy qyteteve japoneze më 6 e më 9 gusht 1945, nga hedhja e dy bombave të para atomike në histori. Shpërthimet, që në fakt, i dhanë fund tragjikisht Luftës II Botërore, u morën jetën qindra mijëra njerëzve. As sot, nuk dihet numri i saktë.

Papa Françesku e fëmija i Nagasakit

         E s’mund të mos kujtojmë gjestin e Papës Françesku, në janarin e vitit 2018. Në udhëtim drejt Kilit, etapa e parë e shtegtimit të tij të 22-të apostolik, Papa bisedonte me gazetarët në avion. Shprehu frikën e një aksidenti, i cili mund të shkaktonte luftë bërthamore. U tregoi të pranishmëve fotografinë e një fëmije nga Nagasaki, që mbante mbi supe të vëllanë e vdekur, duke pritur radhën para furrës krematore, ku do të përfundonte vogëlushi i vrarë nga bomba atomike. “U mallëngjeva, kur e pashë – pati thënë Ati i Shenjtë – e guxova të shkruaja: ‘Fryti i luftës’. Mendova t’i bëj disa kopje e t’ua jap, sepse një pamje e tillë të mallëngjen më shumë se njëmijë fjalë”. Fotografia ka si autor, amerikanin Joseph Roger O’Donnell, korrespondent nga Hiroshima e Nagasaki, pas shpërthimit të bombave. Është denoncimi më elokuent kundër tmerrit të përdorimit të gabuar të energjisë bërthamore.

09 gusht 2022, 17:14