Kisha katolike bekon negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE
R.SH. - Vatikan
Ipeshkvijtё e Kishës katolike tё Shqipërisë shprehin urimet dhe gëzimin e tyre për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo ngjarje – kujtojnë ipeshkvijtё e Kishës katolike – ёshtё njё “moment historik e tregues i përpjekjeve shumë shekullore të popullit tonë për të qenë pjesë e familjes Europiane të cilës edhe i përket dhe hap një horizont të ri në marrëdhëniet shoqërore, politike dhe njerëzore”. Hapja zyrtare e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ka një "rëndësi të madhe strategjike në procesin për paqen dhe stabilitetin politik e ekonomik" të vendit.
Pёr tё sotmen dhe tё ardhmen e vendit, Ipeshkvijtё e Kishës katolike kërkojnë ndërmjetësimin e Zojёs sё Këshillit tё Mirë, Pajtores Qiellore tё popullit shqiptar, po mё tepёr nga Shkodra tё ndjekim zёdhёnёsit e Konferencёs Ipeshkvnore tё Shqipërisë dom Mark Pashkja:
Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë shpreh urimet dhe gëzimin e saj për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Një lajm i tillë gëzon jo vetëm komunitetin tonë katolik por mbarë shoqërinë Shqiptare. Të bindur se gjendemi përballë një procesi historik, Kisha katolike është e bindur se ky moment është tregues i përpjekjeve shumë shekullore të popullit tonë për të qenë pjesë e familjes europiane të cilës edhe i përket. Sigurisht që gjatë periudhave të ndryshme historike Kisha në Shqipëri nuk është kursyer në asnjë moment për të pohuar dhe vepruar drejt këtij ideali.
Gjatë historisë, shumë bijë e bija të saj ia kushtuan jetën përpunimit dhe lartësimit të këtij vokacioni europian të qytetarëve të saj. Duke qenë të bindur se pozicioni natyral i vendit tonë është ne familje europiane ato qenë të gatshëm të flijonin gjithçka në shërbim të kësaj ëndrre. Edhe gjatë dekadave të fundit vazhdimisht është punuar në këtë drejtim, nder të tjera duke u interesuar e dialoguar pranë Konferences Ipeshkvnore Evropiane dhe përfaqësive të saja në Bashkimin Evropian. Duke theksuar rëndësinë e madhe strategjike të këtij procesi për paqen dhe stabilitetin politik e ekonomik, Ipeshkvinjtë shprehin domosdoshmërinë e përvetësimit praktik të vlerave mbi të cilat qe themeluar Europa në përgjithësi dhe Bashkimi Europian në veçanti.
Me dëshirën e madhe që ky moment historik të hap një horizont të ri e të gjerë në marrëdhëniet shoqërore, politike dhe njerëzore lusim Nënën e Këshillit të Mirë, Pajtorja e Shqipërisë, ta bekoj e ta ruaj popullin tonë.
Dom Mark Pashkja