Falja do t’ju bëjë të lirë: mësimi i Nelson Mandelës
R.SH. – Vatikan
Alessandro Gisotti
“E vetmja mënyrë e ligjshme për ta parë një person nga lart poshtë është kur i jep dorën për ta ndihmuar të ngrihet”. Kjo frazë, e përsëritur shumë herë nga Papa Françesku, përshkruan më së miri dëshminë e një njeriu të madh të kohës sonë, ditëlindjen e të cilit – që bie sot – e festojnë edhe Kombet e Bashkuara. Më 18 korrik kremtohet në gjithë botën Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës. Përmes betejave të tij civile jo të dhunshme, përmes impenjimit të një “ëndërrimtari, që nuk u dorëzua kurrë”, siç i pëlqente ta përshkruante veten, Mandela dëshmoi me përpikmëri se askush nuk është më superior se të tjerët, pasi të gjithë kemi të njëjtin dinjitet. E pikërisht për këtë arsye, siç thotë shpesh edhe Papa Bergoglio, “askush nuk shpëton i vetëm”.
Për udhëheqësin e guximshëm të Afrikës së Jugut, i cili i pagoi me 27 vite burg idetë e tij për drejtësi dhe barazi, të bardhët nuk mund të sundojnë mbi zezakët, por as e kundërta nuk është e pranueshme. Prandaj, kur më në fund u lirua, më 11 shkurt 1990 e, kur disa vite më vonë, u zgjodh president i vendit të tij, ai hodhi poshtë vendosmërisht çdo tundim për hakmarrje nga ana e zezakëve, duke filluar një proces të paparë pajtimi dhe kujdesi për plagët e thella, që i kishte shkaktuar aparteidi popullit të Afrikës së Jugut. Ky impenjim e bëri të fitojë Çmimin Nobel për Paqen dhe e bën, edhe sot – nëntë vite pas vdekjes – një nga figurat më frymëzuese për brezat e rinj.
Siç vuri në dukje Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në mesazhin e këtij viti, lideri i Afrikës së Jugut “dëshmoi që secili prej nesh e ka aftësinë - dhe përgjegjësinë - për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë”. Për të gjithë. Jo vetëm për një pjesë. Sepse, siç kujton një nga thëniet e tij më të cituara, “është e lehtë të prishësh e të shkatërrosh. Heronjtë e vërtetë janë ata, që bëjnë paqe dhe ndërtojnë”. Por si ia doli Mandela t’i rezistonte privimit të lirisë për gati tridhjetë vite të jetës së tij, duke u bërë më pas ai ndërtues i paqes, që të gjithë e kanë admiruar dhe vazhdojnë ta admirojnë? Përmes faljes.
Sigurisht që Madiba, siç e quanin në farefis, nuk i fali pa mundime torturuesit; e tija, nuk ishte fitore me “çmim të lirë”. Vetë ai rrëfente se, në çastet e para pas daljes nga burgu, në shpirt i mbizotëronte zemërimi. Por ishte pikërisht në atë fazë kyçe për jetën e tij (dhe për historinë e Afrikës së Jugut) që, siç tregonte, ndieu këtë paralajmërim të Zotit: “Nelson, kur dergjeshe në burg, ishe i lirë; tani që je i lirë, mos u bëj rob i tyre”. Kështu, Mandela vendosi të mos mbetej i mbërthyer në kurthin e së kaluarës, ta linte hidhërimin të kalonte. Ishte i vetëdijshëm, siç do të pohonte më vonë, se “falja ta çliron shpirtin, ta largon frikën. Ja pse falja është armë e fuqishme”.
Kushedi ç’do të thoshte sot Mandela për deklaratën e Papës Françesku se falja duhet të konsiderohet “e drejtë e njeriut, sepse ne të gjithë kemi të drejtën të na falin”. Vajza e tij Makaziwe, në një intervistë për mediat e Vatikanit, dhjetorin e kaluar, pyetjes për mësimin më të madh, marrë nga i ati, iu përgjigj: “Askush nuk lind me urrejtje për tjetrin, për shkak të ngjyrës së lëkurës, kulturës apo besimit fetar. Na mësojnë të urrejmë, prandaj, nëse na mësojnë të urrejmë, është e mundur edhe të na mësojnë të duam, sepse dashuria është e natyrshme për shpirtin njerëzor”.