Kërko

Evakuimi i civilëve nga Mariupol Evakuimi i civilëve nga Mariupol 

Ukrainë: evakuohen civilë nga uzina e çelikut në Mariupol

Korridor humanitar në Mariupol. Grupi i parë i civilëve ukrainas, bllokuar prej javësh në uzinën e çelikut Azovstal, u transportua në Kiev me autobusë të kontrolluar nga OKB-ja. Ndërkaq, Rusia kërcënon se do të sekuestrojë pasuritë e firmave të huaja, ndërsa OKB-ja jep alarmin për 4,5 milion tonelata grurë, që nuk mund të dalin nga portet e Ukrainës

R.SH. – Vatikan

Dita e 68-të e luftës në Ukrainë. OKB-ja, në koordinim me Kryqin e Kuq e me palët në konflikt, arriti të evakuojë grupin e parë prej 100 civilësh nga uzina e çelikut Azovstal në Mariupol. Ata u transportuan me autobusë në Kiev, ndërsa burime vendase njoftojne se brenda impiantit ndodhen ende 500 civilë e së paku, 1000 luftëtarë, që nuk e lëshojnë zonën e fundit të pakontrolluar nga rusët. Sot, zhvendosja e civilëve vijoi, kësaj radhe për në Zaporizhzhia.

Bombardime të reja në Lindje

Ndërkaq, sapo u larguan civilët, forcat ruse vijuan sulmin kundër Azovstal-it. Gjithashtu, bombardime ka pasur në rajonin e Kharkiv, por edhe në Odesa e Kherson. Komandanti i qytetit të Mykolaiv denoncon se rusët po përdorin bomba copëtuese, duke mos respektuar konventat ndërkombëtare, që ka nënshkruar. Sipas ukrainasve, Moska po përgatit ofensivën edhe kundër Slovianskut, qytet i rëndësishëm në rajonin e Donetskut.

Rusët mund të konfiskojnë pasuritë e vendeve jo mike

Në planin diplomatik, spikat vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësueve të SHBA-së, Nancy Pelosi, në Kiev, ku u takua me presidentin ukrainas Zelensky, por edhe ajo e kryeministrin indian, Narendra Modi, në Evropë, axhenda e të cilit përqendrohet në krizën e furnizimit me gaz, shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Nga ana tjetër, Hungaria shprehet sërish kundër sanksioneve për naftën e gazin rus, në një kohë kur Bashkimi Evropian mendon t’i ashpërsojë. Ndërkaq, Duma ruse propozon konfiskimin e pasurive të vendeve jo mike, si përgjigje e masave të ngjashme marrë nga vendet perëndimore kundër Rusisë.

Alarmi për grurin ukrainas

Në një intervistë televizive, ministri i jashtëm rus, Serghei Lavrov, dha të kuptohet se ofensiva do të shkojë përtej datës 9 maj dhe nënvizoi se objektivi i Moskës nuk është largimi i qeverisë aktuale ukrainase, por eliminimi i kërcënimeve që vijnë nga Ukraina për Rusinë. Ndërkohë, OKB-ja jep alarmin për 4,5 milion tonelatat e grurit, që nuk mund të lëvizin nga portet ukrainase, për shkak të luftës. Ky bllokim shkakton rritjen e çmimeve të produkteve të grurit në të gjithë botën. Lajmi konfirmohet edhe nga vetë presidenti Zelensky, gjatë një interviste me një program australian.

02 maj 2022, 12:04