Kërko

Sister Project në Davos Sister Project në Davos  #SistersProject

Në Davos, projektet e suksesshme të murgeshave

Në Forumin Ekonomik Botëror, që po mbahet në Zvicër, dje, 23 maj, u paraqit “Sister Project” në një debat publik me ekonomistë dhe ekspertë të të drejtave të njeriut. Bota ka nevojë për “liderë të guximshëm”, veçanërisht për gra, pohoi motër Patricia Murray e Bashkimit të Eproreve të Përgjithshme (UISG). Të shumta, përvojat e dëshmitë e fesë dhe të solidaritetit

R.SH. – Vatikan

“Ne murgeshat jetojmë dhe punojmë pranë njerëzve, veçanërisht, pranë atyre, që mënjanohen nga shoqëria”. Kështu pohoi motër Patricia Murray, gjatë debatit publik të së hënës, 23 maj, në Davos të Zvicrës, ku po mbahet Forumi Ekonomik Botëror, në të cilin marrin pjesë 2500 liderë nga fusha të ndryshme.

Në qendrën “Goal 17”, në prani të të ftuarve të shumtë, rregulltarja e Bashkimit të Eproreve të Përgjithshme (UISG) foli për problemet aktuale globale me përfaqësuesit e kompanive të rëndësishme si Google apo Unilever. Sipas motrës Murray, gratë rregulltare kontribuojnë në përballimin konkret të “sfidave më të mëdha” të shoqërisë, në fusha si: shëndetësia, arsimi, mbështetja për migrantët dhe ndihma për viktimat e trafikimit të njerëzve. Sipas saj, nevojiten “ndryshime strukturore në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, me dhe për njerëzit më të harruar e të injoruar”.

Gjeste të vogla, rezultate të mëdha

Rregulltarja indiane Mary John paraqiti në Davos projektet e suksesshme të “Sister Project”. Shpesh është fjala për gjeste të vogla, që kanë sjellë rezultate të mëdha. Tani, shpjegoi rregulltarja, në qendër të veprimtarive të murgeshave, janë gratë e Ukrainës. Motrat nuk largohen kur shpërthejnë dhuna e konflikte, kudo në botë. U kujtua motër Ann Rose Nu Tawng, që u gjunjëzua para ushtarëve në Mianmar, për t’i ndalur; u përmendën murgeshat e Sri Lankës, që mbrojtën protestuesit kundër shkurtimit të furnizimit me energji elektrike, benzinë dhe ilaçe; u dha shembulli i murgeshës kolumbiane Gloria Cecilia Navarez, e cila u lirua pas pesë vitesh burgimi në Çad. Modele liderësh të guximshëm, që shpesh, nuk u dëgjohet zëri, por që me përvujtëri, japin kontributin e tyre në botë, edhe në një Forum si ai i Davosit, ku marrin pjesë mjaft “peshkaqenë” të mësuar të notojnë në ujra të turbullta.

24 maj 2022, 14:18