Kërko

Ndёrroi jetё ish-Presidenti Bujar Nishani

Ish-Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ndërroi jetë në moshën 56- vjeçare, në një spital në Gjermani. Priti Papёn Françesku pёr vizitё nё Tiranё, mё 24 shtator 2014, mori pjesё nё ceremoninё e Shenjtёrimit tё Nёnё Terezёs nё Vatikan mё 5 shtator 2016. Presidenti Nishani qe një demokrat i përkushtuar, punoi pёr vlerat e njё shoqërie tё mirëfilltë demokratike, dha njё kontribut në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve shtetërore

R.SH. - Vatikan

Ish-Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ndërroi jetë në moshën 56- vjeçare, në një spital në Gjermani. 

Presidenti Bujar Nishani qe një demokrat i përkushtuar,  punoi  pёr vlerat e njё shoqërie tё mirëfilltë demokratike, dha njё kontribut në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve shtetërore të Shqipërisë, punoi në bashkimin e të gjitha përpjekjeve, me rëndësi vendimtare, për Shqipërinë për t’u përballuar me sfidat në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Pati njё bashkëpunimin tё mirё dhe të frytshëm edhe me Selinë e Shenjtë, në të mirë të promovimit të vlerave universale të paqes, mirëkuptimit, duke mbështetur bashkëjetesën ndërfetare ndërmjet komuniteteve fetare tё vendit dhe në të gjithë popujt, në rajon dhe më gjerë. Bashkëjetesa ndërmjet feve, pati pohuar, ёshtё një vlerë e çmueshme që duhet ruajtur e kultivuar gjithmonë me kujdes e dashuri.

Presidenti Nishani priti Papёn Françesku pёr vizitё nё Tiranё, mё 24 shtator 2014. “Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri është pak të thuash se ishte historike, mbi gjithçka, ishte një mesazh i një vlerësimi të jashtëzakonshëm, që pakkush nga personalitetet botërore i ka bërë Shqipërisë, po kombit shqiptarë, gjatë historisë së tij”, pati pohuar nё mikrofonin e redaksisё shqipe tё Radio Vatikanit me rastin e njё vjetorit tё vizitёs papnore, mё 21 shtator 2015.

Qe i pranishëm nё Vatikan, madje i ndoqi tri ditë rresht kremtimet dhe iu gëzua Shenjtërimit tё një bije e gruaje shqiptare, Nёnё Terezёs – Ganxhe Bojaxhiut, shpallur nga Papa Françesku nё Sheshin e Shёn Pjetrit, mё 5 shtator 2016. Nёnё Tereza, pati pohuar Presidenti Nishani, ёshtё shembull, një histori unike, njё sintezë shpirtërore e popullit shqiptar, e cila u shndërrua në vlerë universale.

“Nёnё Tereza ёshtё dhuratë që kombi shqiptar i bën mbarë njerëzimit. Fatmirësisht ne jemi bashkëkohës të një ngjarje të madhe tredimensionale, për historinë tonë kombëtare, për Kishën Katolike dhe për mbarë njerëzimin. Në këtë pikëtakim nëpërmjet Nënë Terezës, kësaj lartësie ndërtuar me përvujtni, shqiptaret marrin vendin e merituar në trashëgiminë shpirtërore të popujve. Unë mendoj se çdo shoqëri mund të frymëzohet nga Nënë Tereza e ndoshta pak më tepër çdo grua, nënë a bijë, e mbase disi më shumë, gratë shqiptare, sepse ajo ishte dhe mbetet njëra prej tyre. Nënë Tereza është emblema e imazhit shqiptar”. Ne duhet t’i bindim të tjerët se ajo nuk është një rastësi, se shoqëria jonë e ka këtë fuqi, gruaja shqiptare po kaq.. Identifikimi si vendi dhe populli i Nënë Terezës nuk është një dëshirë folklorike, por një standard për ndërgjegjen tonë, një pasqyrë morale në të cilën duhet të këqyremi çdo ditë me kurajë teksa gruaja shqiptare përpiqet mes shumë vështirësish të gjejë çdo ditë Nënë Terezën brenda vetes”.

Bujar Nishani jetoi si protagonist një periudhë politike tё Shqipërisë, deputet, ministër dhe President. E bëri këtë me impenjim, koherencë, pasion dhe inteligjencë, duke pasur gjithmonë në qendër idenë e një demokracie të mundshme,  jetën konkrete të njerëzve, shpresat dhe interesat e tyre. La pas njё dëshmi dhe trashëgimi tё çmueshme.

28 maj 2022, 20:54