Kërko

Katolikët kinezë kremtojnë Zojën e Sheshanit

O Nënë e shpresës, që në errësirën e së Shtunës së Madhe u nise/me besim të patundur drejt agimit të Pashkëve, /jepu bijve të tu aftësinë për të dalluar në çdo situatë, /sado e errët që të jetë, shenjat e pranisë së dhembshur të Hyjit. /O Zoja jonë Ndihmëtare, ndihmoi të gjithë ata që në Kinë, /në mundimin e përditshëm, vijojnë të besojnë, të shpresojnë e të duan, /të mos të kenë kurrë më frikë t’i flasin botës për Jezusin e Jezusit për botën.

R.SH. - Vatikan

Më 24 maj kremtohet festa liturgjike e Zojës Ndihmëtare, që nderohet me devocion të veçantë në Shenjtëroren e Sheshanit në Shangai. Katolikët kinezë, pra, më 24 maj kremtojnë dhe lusin Zojën e Bekuar të Sheshanit. Kisha katolike u kërkoj të gjithë besimtarëve të luten që, nën mbrojtjen e Nënës Ndihma e të Krishterëve, katolikët e Kinës të vijojnë të besojnë, të shpresojnë, të duan e të jenë, në çdo rrethanë, tharm i bashkëjetesës së harmonishme ndërmjet bashkëqytetarëve të tyre

Është Virgjëra më e dashur e më e nderuar nga katolikët në Kinë, posaçërisht gjatë majit. Zoja e Sheshanit është edhe Pajtore Qiellore e vendit. Që prej 160 vjetësh, nga tempulli i ndërtuar me tulla të kuqe, në të cilin shkrihen elementet arkitektonike perëndimore me ato vendase, Zoja e Sheshanit vigjëlon mbi Shangain dhe mbi fatet e Kishës në Kinë. Për të, siç tregon atë Paolo Kong, thuhet se u duk disa herë, posaçërisht në kohët më të errëta  të luftës së shekullit  të kaluar, kur të krishterët kishin aq shumë nevojë për mbrojtjen e saj.

Të dielёn e kaluar, gjatë lutjes mariane tё Mbretëreshës Qiellor, kremtuar nё Sheshin e Shёn Pjetrit, nё Vatikan, Papa Françesku e kujtoi Festën e Zojës së Sheshanit, qё sot kremtohet nga katolikët në Kinë, të  cilёs e lusin Zojën Ndihma e të Krishterëve, e nderuar në Shenjtëroren e Sheshanit, në Shangai:

“Në shtatoren, që lartohet mbi Shenjtërore,

Maria e ngre lart të Birin, Jezus

duke ia paraqitur botës me krahë hapur,

në një gjest dashurie e mëshire.

T’i lutemi Marisë t’i ndihmojë katolikët në Kinë,

që të jenë gjithnjë dëshmitarë të besueshëm

të kësaj dashurie përdëllyese në mes të  Popullit të tyre

e të jetojnë shpirtërisht të bashkuar

me shkëmbin e Pjetrit, mbi të cilin është ndërtuar Kisha”.

 

Më 24 maj 2013 Papa Françesku i pati drejtuar këtë lutje Zojës së Sheshanit: 

“O Zoja jonë e Sheshanit,

 ndihmoi katolikët kinezë!

Bëji impenjimet tyre të vështira,

përherë e më të çmuara para syve të Zotit

e premto të rritet gjithnjë më shumë

dashuria e pjesëmarrja e Kishës në Kinë,

në udhën e Kishës universale”.

 

Ndërsa më 24 maj 2008, Papa Benedikti XVI i drejtohej Zojës së Sheshanit me këtë lutje:

“O Virgjër e Shenjtnueshme, Nënë e Fjalës së Mishëruar e Nëna jonë,
e nderuar me titullin “Ndihma e të krishterëve”

në Shenjtëroren e Sheshanit,
nga e cila i drejton sytë, plot dashuri, mbarë Kisha që është në Kinë,
po vijmë sot para teje për të kërkuar mbrojtjen tënde.

Silli sytë nga populli i Hyjit e priji me dashuri amtare
në rrugët e së vërtetës e të dashurisë, që të jetë në çdo rrethanë
tharm i bashkëjetesës plot harmoni ndërmjet gjithë nënshtetasve.

Me atë ‘po’ plot bindje që shqiptove në Nazaret, ti i lejove
Birit të amshuar të Hyjit të mishërohej në kraharorin tënd virgjëror
e të hynte kështu në historinë e Shëlbimit,
në të cilën bashkëpunove me përkushtim durimtar,
duke pranuar që shpata e dhimbjes ta shporonte shpirtin,
deri në orën e fundme të kryqit, kur ndenje mbi Kalvar
drejt në këmbë, pranë Birit tënd, i cili vdiste, që njeriu të jetonte.

Që atëherë ti u bëre, në një mënyrë krejt të re, Nënë
e të gjithë atyre, që e mirëpresin në fe Birin tënd, Jezusin,
që pranojnë ta ndjekin pas, duke marrë kryqin e tij mbi shpinë.

O Nënë e shpresës, që në errësirën e së Shtunës së Madhe u nise
me besim të patundur drejt agimit të Pashkëve,
jepu bijve të tu aftësinë për të dalluar në çdo situatë,
sado e errët që të jetë, shenjat e pranisë së dhembshur të Hyjit.

O Zoja jonë Ndihmëtare, ndihmoi të gjithë ata që në Kinë,
në mundimin e përditshëm, vijojnë të besojnë, të shpresojnë e të duan,
të mos të kenë kurrë më frikë t’i flasin botës për Jezusin e Jezusit për botën.

Në shtatoren që sundon mbi shenjtërore, ti e ngre lart Birin tënd,
ia paraqet kështu botës me krahë hapur në shenjë dashurie.

Ndihmoi katolikët kinezë të jenë gjithnjë dëshmitarë të besueshëm të kësaj dashurie,
duke i mbajtur të bashkuar me shkëmbin e Pjetrit, mbi të cilin është ndërtuar Kisha.
Nëna e Kinës dhe e Azisë, lutu për ne, sot e përgjithmonë e jetës. Amen!

24 maj 2022, 15:11