Lufta prek të gjithë, t’i lutemi Zotit pёr paqe
R. SH. - Vatikan
Me lutjen tonë, dëshirojmë të hedhim farët e paqes në trojet e Ukrainës si dhe në të gjitha trojet e plagosura nga luftërat e ndryshme. “Zoti na dhashtë paqen e zemrave, na zhduktë çdo prirje për lakmi, babëzi, luftë, dhunё. Paqe, paqe! Zemra jonë qoftë zemër burri e gruaje të paqes. E përtej ndarjeve të feve, etnive e kombeve, të gjithë, të gjithë, të gjithë tё kërkojmë e punojmë pёr Paqe! Sepse të gjithë jemi bij të Zotit. E Zoti është Hyji i paqes. Nuk ekziston një zot lufte: ai që bën luftë është i keqi, djalli, që dëshiron t’i vrasë të gjithë”, tha Papa Françesku nё homelinё e Meshёs sё 23 nёntorit 2017.
T’i lutemi Zotit me këtë uratë:
Pa ty, o Zot, e kotë do të ishte lutja jonë; e rreme, shpresa jonë për paqe! Po ti je i Gjallë e vepron për ne, me ne. Ti, Paqja jonë!
O Zot i Ngjallur, shembi muret e armiqësisë, që ndajnë sot vëllezërit, posaçërisht në Ukrainë!
Ndihmoi fëmijët, gratë, pleqtë viktima të dhunës në zonat e luftës në Ukrainë e në të katër anët e botës.
Shpëtoi fëmijët, që vuajnë për shkak të konflikteve, krejt të huaja për ta, por që u rrëmbejnë fëmijërinë e, shpesh, edhe vetë jetën. Sa hipokrizi ka në fshehjen a mohimin e masakrave tё civilëve, grave e fëmijëve! Këtu lufta tregon fytyrën e vet më të tmerrshme!
O Zot ndihmojë gjithë të vegjlit e të varfrit e botës të vijojnë të besojnë e të shpresojnë se Mbretëria e Hyjit është pranë, mes nesh e se ‘në Shpitin Shenjt është drejtësia, paqja e gëzimi (Rom 14, 17).
Ndihmojë të gjithë ata që, ditë për ditë, përpiqen ta luftojnë të keqen me të mirë, me gjeste e fjalë vëllazërie, respekti, takimi, solidariteti.
Zoti forcoftë në qeveritarët e në të gjithë drejtuesit, një shpirt bujar, të drejtë, të vendosur e guximtar në kërkim të paqes, përmes dialogut e bisedimeve!
Zoti na dhashtë të gjithëve hirin të jemi artizanë të paqes, atje ku ndodhemi, në familje, në shkollë, në punë, në bashkësi e në çdo ambient. Atij i qoftë lumni e lavd, sot e në shekuj të shekujve. Amen!