Kërko

Situata në Ukainë Situata në Ukainë 

Kriza e grurit, përplasje e re ndërmjet Kievit dhe Moskës

Ndërsa ofensiva ruse në Lugansk vazhdon, bëhen gjithnjë më shqetësuese pasojat e konfliktit në nivel global. Në orët e fundit, presidenti ukrainas Zelensky foli me kryeministrin italian Draghi, ndërsa presidenti rus Putin pati një bisedë telefonike me kancelarin austriak Nehammer.

R. SH. - Vatikan

Kriza e mundshme, shkatërrimtare ushqimore botërore, e lidhur me luftën në Ukrainë, mbetet një nga temat qendrore të konfliktit që po vazhdon prej 94 ditësh në vendin e Evropës Lindore. Ndërsa ofensiva ruse në Lugansk vazhdon, e ashtuquajtura kriza e grurit bëhet gjithnjë e më shqetësuese: Ukraina njofton se ka grurë të mjaftueshëm për të gjithë vitin për të garantuar eksportin e zakonshëm botëror, me kusht që të ndalohet zjarri në Detin e Zi. Ndërsa Rusia pohon se është gati ta zhbllokojë situatën, me kusht që të hiqen masat ndëshkimore. Në orët e fundit pati një shkëmbim të ri, të zjarrtë akuzash reciproke ndërmjet Moskës dhe Kievit. Ky i fundit denoncon se 22 milionë tonë grurë ukrainas kanë ngecur ndër kapanone për shkak të pushtimit rus. Kremlini përgjigjet se ishin ukrainasit ata, që i minuan portet.

Gruri ukrainas: presion Rusisë për zhbllokimin e eksportimeve

Në frontin diplomatik, shtohen nismat në përpjekjen për t’i zhbllokuar portet dhe për të shmangur skenarin më të frikshëm. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kujton në Twitter se pati një bisedë telefonike me kryeministrin italian Mario Draghi, gjatë së cilës diskutoi për ndihmat ushtarake, por edhe për shmangjen e krizës ushqimore. “E informova për situatën në vijën e parë” - saktësoi ai - duke shtuar se Kievi “pret ndihmë të mëtejshme mbrojtëse nga partnerët”. “E ngrita çështjen e furnizimit me karburant”, shkruan më tej dhe “u diskutuan mënyrat e parandalimit të krizës ushqimore”. “Ne duhet t’i zhbllokojmë portet e Ukrainës së bashku” përfundoi. Qeveria italiane e konfirmoi intervistën dhe shpjegoi, në një shënim, se “u përqendrua në zhvillimet e fundit të situatës në terren, veçanërisht në lidhje me zonat lindore të vendit”, përveç perspektivave të zhbllokimit të eksporteve të grurit nga Ukraina, për të përballuar krizën ushqimore që kërcënon vendet më të varfra në botë.

Ukraina: gjenocidi, Lugansk dhe gruri janë tri fjalët e ditës

Presidenti rus Vladimir Putin është gati të diskutojë për hapjen e “korridoreve të gjelbërta” që lejojnë eksportet e drithit, bllokuar në portet e Ukrainës. Këtë pohoi kancelari austriak Karl Nehammer në një konferencë për shtyp, pas një bisede telefonike 45-minutëshe “shumë intensive dhe serioze” me vetë kreun e shtetit rus. Sipas kancelarit austriak, Putin jep shenja se do ta lejojë kalimin e grurit nga portet. “Pasojat e një krize të mundshme ushqimore do të prekin veçanërisht vendet e Afrikës së Veriut ose Pakistanin, të cilat varen shumë prej eksporteve nga Ukraina” pohoi ai. Kreu i qeverisë së Vjenës shpjegoi më tej se Putini do të ishte i gatshëm të bisedonte me Kievin për shkëmbimin e robërve të luftës. Premton edhe se mund të bisedojë për këtë çështje, e cila për Kremlinin, përqendrohet në heqjen e sanksioneve evropiane dhe amerikane kundër Rusisë.

Situatë e nderë, me “fajtorë e të pafaj”, me ndeshje dramatike, të cilave nuk u duket fundi… Çka duket, është shkrehja e armëve, janë kufomat e njerëzve të të gjitha moshave, arratisja e fajtorëve të pafaj, janë varret e reja e kërcënimi i botës nga uria!

28 maj 2022, 13:24