Kërko

Lufta në Ukrainë Lufta në Ukrainë

Ukrainë: ofensivë ruse kundër Donbasit në ditën e 55-të të luftës

Ushtria ruse ka filluar ofensivën për të “çliruar republikat e Donetskut dhe Luganskut”, por ka dërguar raketa edhe kundër Lvivit. Britania e Madhe njofton me tone pak optimiste se kjo fazë e re e luftës mund të zgjasë muaj me radhë. Joe Biden flet me aleatët

R.SH. – Vatikan

Dita e 55-të e luftës ruso-ukrainase. Ka filluar ofensiva kundër Donbasit, në një front prej 480 kilometrash. Në Mariupol, ushtria ruse rrethoi fabrikën e çelikut, duke u kërkuar ushtarëve të regjimentit Azov të dorëzohen. Sipas ukrainasve, në fabrikë janë strehuar edhe gra, fëmijë e të moshuar, për të cilët u njoftua se është hapur një korridor humanitar. Ndërkaq, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një intervistë për “India Today”, nënvizoi se Moska nuk ka ndërmend të përdorë armë bërthamore, por vetëm “armë konvencionale”. E, sot pasdite, presidenti amerikan Joe Biden flet në videokonferencë me krerët e tjerë të shteteve, që bëjnë pjesë në NATO.

Në Bucha, më se 420 civilë pa jetë

Po ukrainasit njoftuan se në Bucha, numri i civilëve pa jetë, gjetur në varre të përkohshme nëpër kopshte, bodrume e puse, ka arritur në 420 vetë. Më se 200 të tjerë nuk janë gjetur akoma, ndërsa më se 300 kufoma nuk janë identifikuar ende. Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi për viktima. Drejtori i saj i përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus, denoncoi në një tweet se forcat ruse kanë goditur 147 struktura shëndetësore, duke shkaktuar vdekjen e 73 punonjësve e duke plagosur 53 të tjerë. Bombat ruse nuk kanë kursyer as kishat ortodokse. Gjatë ditëve të kaluara u dëmtua rëndë kisha ortodokse e Shndërrimit të Zotit në eparkinë e Kharkiv, që i përket Patrikanës së Moskës. Më 4 prill, rusët patën bombarduar një kishë tjetër ortodokse, që daton në vitin 1800, gjithnjë në rajonin e Kharkiv-it.

19 prill 2022, 14:41