Kërko

Ukrainё, Këshillit Ekumenik i Kishave thirrje për hetime mbi mizoritë që ndodhën në Bucha

Sekretari i përgjithshëm i përkohshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave (CEC), At Ioan Sauca, shprehu, dje, tmerrin e tij për mizoritë qё kanё ndodhur në Bucha e nё zona të tjera të Ukrainës dhe kërkoi që të kryhen hetime në mënyrë që të sigurohet qё përgjegjësit tё mund të përgjigjen për to

R.SH. - Vatikan

“Raportet që tani po dalin nё pah nga Bucha dhe zona të tjera pranë Kievit japin indikacione të qarta për shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar.  Këshilli Ekumenik i Kishave shpreh tmerrin e tij për mizoritë e raportuara, të cilat duhet të hetohen dhe dokumentohen siç duhet, në mënyrë që përgjegjësit të mund të përgjigjen ligjërisht dhe personalisht për to”. Kështu shkruan At Sauca, në një deklaratë të publikuar, dje, në faqen e internetit të Këshillit Ekumenik të Kishave, një organ ekumenik me qendër në Gjenevë, i cili bashkon 349 Kisha protestante, ortodokse e të pavarura dhe përfaqëson më shumë se 550 milionë të krishterë në mbi 120 vende tё ndryshme.

Ndalja e menjëhershme e konfliktit

At Sauca kujton se "lufta është një kontekst thelbësisht i favorshëm për kësi brutalitete, çka nënvizon edhe nevojën për instrumente ligjore për t’i ndjekur penalisht ata që janë përgjegjës, në mënyrë që të frenohet më e keqja e njerëzimit". Sekretari i përgjithshëm i përkohshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave (CEC), At Ioan Sauca thekson edhe "nevojën urgjente për t'i dhënë fund menjëherë këtij konflikti të tmerrshëm, në mënyrë që të parandalohen vdekjet e mëtejshme, plagosjet dhe shkatërrimet e komuniteteve".

Apeli përgjegjësve tё luftës

Sekretari i përgjithshëm i përkohshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave përfundon duke u bërë thirrje drejtuesve që konceptuan, ndoqën dhe mbështetën këtë luftë që të ndalin gjakderdhjen e shkatërrimin dhe të shpëtojnë jetët e të gjithë fëmijëve, grave dhe burrave.

05 prill 2022, 15:30