Në Ukrainë sulmohet centrali i madh bërthamor i Evropës. Reaktorët nuk goditen
R.SH. - Vatikan
Natën e kaluar tmerri i luftës arriti edhe tek centrali atomik. Bombardimet, nga ana e forcave ruse, shkaktuan një zjarr, që më pas u shua. Nuk pati viktima. Nëse centrali do të ishte hedhur në erë, pasojat do të ishin dhjetë herë më shkatrrimtare se ato që u shkaktuan nga aksidenti në Chernobyl. Burimet vendase njoftuan se forcat ushtarake ruse e morën nën kontroll centralin. Autoritetet ukrainase shtuan edhe se u rivendos siguria e impiantit. Drejtori i centralit pohon se është garantuar siguria bërthamore.
Dje u goditën shkolla e shtëpi në Cernihiv e Mariupol. Në Detin e Zi u fundos një anije estone mallrash, e goditur nga silurët.
Raundi i dytë i bisedimeve, mbajtur dje në Bjellorusi, pati si rezultat hapjen e korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve nga zonat e luftimeve të vazhdueshme. Nuk u arrit të sigurohej armëpushimi i shpresuar, por gjithsesi është diçka më e mirë se përfundimi me duar bosh. Në përfundim të bisedimeve, komentet e të dyja palëve ishin të papajtueshme. Sipas delegacionit ukrainas, nuk u arrit as më e vogla marrëveshje, ndërsa Moska bëri të ditur se pati progres.
Në raundin e dytë të bisediemeve, në pyllin bjellorus Belovezhskaya Pushcha, në kufi me Poloninë, delegacioni i Moskës dhe ai i Kievit arritën marrëveshjen për krijimin e korridoreve humanitare, me një ndalim të përkohshëm zjarri, për krijimin e kushteve të evakuimit të civilëve dhe të dorëzimit të mjeteve më të domosdoshme për jetën në Ukrainë.
Vështirë ta vlerësosh në këto orë forcën reale ushtarake e diplomatike të vendit, që sulmon, e të atij, që mbrohet.
Sot janë në program takime të tjera emergjence të Natos, G7 dhe BE-së. Bashkimi Evropian po punon mbi hipoteza të ndryshme për të frenuar ndikimin e luftës në Ukrainë mbi sektorin bujqësor e atë energjitik. Parashikohet, në fund, për javën e ardhshme, raundi i tretë i bisedimeve të delegacionit të Kievit, me atë të Moskës.
Vijon heksodi nga Ukraina
Një hapje e ndrojtur, në favor të një popullsie, që po jep shpirt. Tani për tani refugjatët e ikur nga Ukriana e kanë kaluar milionin. Numri, sipas OKB-së, është gjithnjë në rritje. Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, pohon se po të vijojë kjo situatë në Ukrainë, numri i refugjatëve mund të arrijë në 10 milionë, duke përfshirë edhe 4 milionët e njerëzve, që mund të kalojnë kufijtë drejt vendeve fqinje.
Një heksod i mirëfilltë, me ritëm rreth njëqind mijë vetë në ditë, sipas të dhënave të Unhcr. Parashikohet një dyndje masive: Bashkimi Evropian, me një pohim të njëzëshëm e në kohë të shpejta dha, orët e fundit, direktivën për mbrojtjen e përkohshme të refugjatëve. Objektivi është t’u sigurohet ukrainasve në ikje strehimi në Bashkimin Evropian për një periudhë prej një deri në dy vjetësh.