Kërko

Rebelimi i nënave në Rusi dhe rezistenca e popullit ukrainas

Në Ukrainë u dërguan për të luftuar edhe ushtarë të rinj rusë, të thirrur nën armë, të pavetëdijshëm për këtë mision luftarak. Nënat e tyre po protestojnë me forcë, sepse nuk kanë më asnjë lajm nga djemtë, ndërsa populli ukrainas po bën çmos për të rezistuar para pushtuesit: luftë për mbrojtjen e lirisë!

R.SH. - Vatikan

Në Rusi ka nëna guximtare, që nuk kanë frikë të protestojnë për bijtë e tyre, të dërguar të pushtojnë Ukrainën, pa e ditur fare për ku po niseshin. Disa janë ushtarë të thirrur nën armë pa e mbushur mirë moshën e shërbimit ushtarak. Janë adoleshentë e nuk duan ta luftojnë një luftë, që nuk u përket. Luftë, për të tjerët!

Ka edhe nëna, që i pranojnë arsyet e luftës, sepse të trullosura nga informacioni i rremë, por kur ke një bir të gënjyer, të shpërdoruar e të dëguar në front për të vrarë e për t’u vrarë, në vend që të jetojë e t’i lërë edhe të tjerët të jetojnë, atëhere rebelimi mposht çdo lloj frike. Nuk ka pikë rëndësie nëse tani është në fuqi një ligj, që e dënon me 15 vjet burgim, kë guxon të përdorë fjalën pushtim. E nëse nënat rebelohen, regjimi duhet të shqetësohet seriozisht!

Ka nëna ruse që zbritën në sheshe për të protestuar. Që s’pyetën për keqtrajtimin. E as për burgimin. Për nënën, biri është gjithçka. Duan ta dinë ku i kanë  fëmijët e tyre, të dërguar në front si cjapi te kasapi, për të cilët nuk kanë asnjë lajm, sepse autoritetet nuk janë të interesuar t’ua japin!

Ka nëna, që shpresojnë, sepse biri i zënë rob nga ukrainasit, mundi të telefonojë, i mbytur në lot. Domethënë se është ende gjallë. E ka edhe nga ata djelmoça, që dezertojnë e ikin. Nuk e kuptojnë pse duhet të vdesin në këtë luftë.

Në frontin kundërshtar ndjehet fort rezistenca guximtare e një populli të lirë, atij ukrainas, që nuk dëshiron të shkelet nën thundrën e asnjë regjimi të huaj. Për ata, që i besojnë, ose duan t’i besojnë gënjeshtrës, sipas së cilës ushtria ruse shkon të shpëtojë popullin nga duart e nazistëve, mjafton të shikosh sa ukrainas nga mbarë bota lënë të dashurit, mirëqenien, pasurinë e rehatinë e rikthehen në Atdhe, për ta mbrojtur nga pushtuesi.

Mjafton të shikosh sa pleq, gra e civilë ukrainas të pambrojtur dynden nëpër rrugët e pushtuara nga tanket, nisur nga Moska, duke bërtitur: “Përjashta! Ikni nga trojet tona!”. Janë fakte që flasin vetë, përballë atyre, që tregojnë të kundërtën, falsiteti i të cilave duket sheshit. Këtu është një popull, Ukrainasi, që dëshiron të jetë i lirë e të vendosë vetë për ardhmërinë e që do të rezistojë deri në fund të fundit.

Prandaj armata ruse qëllon mbi civilët e i shtrëngon në morsën e urisë, duke shkretuar gjithçka gjen përpara; shtëpi, spitale, shkolla, kisha, mbasi Moska e di se mund ta fitojë betejën -  po kurrë luftën - kundër një populli që  do lirinë! 

11 mars 2022, 15:43