Nëse Rusia dëshiron të fitojë luftën, duhet të bëjë paqen!
R.SH. - Vatikan
Nëse lufta e Rusisë kundër Ukrainës do të vijojë, ndoshta do të humbasim të gjithë, po humbja ruse do të jetë shkatrrimtare. Nëse Kremlini do të shkojë përpara në pushtim, do të shkojë përmbrapa në histori. Rusia do të mund të fitojë vetëm nëse do t’i dorëzohet paqes! Pothuajse mbarë bota sot është kundër regjimit rus.
Informimi i lirë në vend është zhdukur. Shumë rusë besojnë se po vijon një “operacion special” për të çliruar Ukrainën nga nazistët - kush përdor fjalën pushtim, rrezikohet të kalojë 15 vjet në burg. Për një fjalë goje! Megjithëkëtë shumë rusë marrin pjesë në nismat e solidaritetit për refugjatët ukrainas, duke besuar se po ikin për faj të regjimit të keq të Kievit. Nuk e dinë se ushtria ruse është pushtuesi, që qëllon mbi këta refugjatë e nuk dinë as se shumë civilë ukrainas të çarmatosur, shpesh pleq e plaka, zbresin në rrugët e pushtuara nga tanket ruse, duke u bërtitur sa u ha zëri që të ikin, sepse nuk janë çlirues, por pushtues!
Duam paqe!
Por ka edhe nga ata, që e justifikojnë sulmin, duke pohuar se është faji i pushtuesve perëndimorë, ose i Ukrainës, që nuk i paskësh respektuar marrëveshjet. Ndoshta-ndoshta të gjithë e kanë sadopak përgjegjësi në thellimin e tensioneve, por nuk pushtohet, as nuk sheshohet një vend sovran, vetëm për shkak të ca arsyeve. Nuk bombardohen civilët e nuk vriten fëmijët, vetëm sepse një vend sovran dëshiron lirisht të hyjë në një bashkësi të ndryshme nga ajo e tija. Kjo të kujton logjikën biblike të Lamech, që e vriste të afërmin, për një gërvishje të vetme, duke u hakmarrë 77 herë.
Kush e justifikon në ndonjë farë mënyre agresionin, nuk i ka të dashurit, ndoshta fëmijët e vegjël, në ikje në mes të ngricës ose nën breshërinë e bombave. Ta copëton zemrën pamja simbolike e çiftit të ri të prindërve, që vrapon drejt një spitali, ku nuk ka më as dritë elektrike për të shpëtuar foshnjën e tyre 18 muajshe, të goditur nga bombardimet. Mjekët nuk mundën të bëjnë asgjë. E kush e ka fajin për këtë vdekje? Kush, për gjithë këtë dhimbje, që do të zgjasë gjithë jetën? Kush për shumë fëmijë e shumë të rritur, që këto çaste japin shpirt?
A munden popujt të rebelohen kundër luftërave të pushtetarëve?
Kush mbjell erë, korr stuhi. Na e mëson historia. Fryti i dhunës të kthehet kundra. Perandorët, diktaturat, regjimet, heret a vonë marrin fund. Njeriu u bë për të qenë i lirë. E kemi një ndërgjegje, një zë që na flet e na tregon çka është e mirë e çka e keqe, pavarësisht nga përkatësitë kombëtare, etnike, ideologjike, fetare. Të vrasësh fëmijë, të shkaktosh vdekjen e një mori vocrrakësh, gjë që po bëhet pa dhimbje e pa mëshirë nga ky pushtim, është ligësi e madhe, mizore, e egër!
Duhet dëgjuar Zoti, para njerëzve!”(Vap 5.29) - u thotë Shën Pjetri autoriteteve, të cilat donin t’ia mbyllnin gojën, që të mos fliste më për Jezusin. Natyrisht, rrezikohesh ta paguash shtrenjt. Edhe me rrezikun e martirizimit, që i bashkon dëshmitarët e guximshëm të të gjitha kohërave. Thirrja e gjithë botës drejtuar rusëve, është: “Ulini armët, dorëzohuni në duart e paqes! Vetëm kjo do të jetë fitorja e vendit tuaj. E do të jetë fitore edhe për njerëzimin!”.